1 i Samuelit 13:16-23
1 i Samuelit 13:16-23 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Sauli, Jonatani, i biri, dhe populli që gjendej me ta qëndruan në Gebën e Benjaminit, ndërsa filistinët kishin fushuar në Mikmas. Prej fushimit të filistinëve doli një njësi luftarake e ndarë në tri grupe. Njëra mori drejtimin e Ofrahut, në tokën e Shualit, tjetra mori drejtimin e Bet Horonit dhe e treta mori drejtimin e kufirit me pamje poshtë nga lugina e Ceboimit dhe shkretëtirës. Në atë kohë nuk gjendej asnjë farkëtar në tokën e Izraelit, sepse filistinët nuk i lejonin hebrenjtë të bënin shpata e heshta. Çdo izraelit shkonte te filistinët nëse i duhej të mprehte plugun, kazmën, sëpatën apo draprin. Mprehja e plugut dhe e kazmës kushtonte dy të tretat e siklës, ndërsa mprehja e sëpatës dhe ndreqja e hostenit kushtonte një të tretën e siklës. Kështu, pra, në ditën e betejës, përveç Saulit e Jonatanit, askush nga ata që i ndiqte nuk kishte as shpatë, as heshtë. Ndërkohë një çetë filistine kishte dalë te gryka e Mikmasit.
1 i Samuelit 13:16-23 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Sauli, Jonathani, bir i tij, dhe njerëzit që mbetën me ta qëndruan në Gibeah të Beniaminit, ndërsa filistenjtë ishin vendosur në Mikmash. Pastaj nga kampi i filistenjve dolën disa cuba, të ndarë në tri grupe: njeri grup mori udhën në drejtim të Ofrahut, drejt vendit të Shualit; një grup tjetër u fut në rrugën e Beth-Horonit; grupi i tretë mori rrugën e kufirit që sundon luginën e Tseboimit, në drejtim të shkretëtirës. Në tërë vendin e Izraelit nuk gjeje as edhe një kovaç, sepse filistenjtë thoshin: "Hebrenjtë të mos prodhojnë shpata ose shtiza". Kështu tërë izraelitët shkonin te filistenjtë për të mprehur kush plorin, kush sëpatën, kush belin. Çmimi për mprehje ishte një pim për belin, për sëpatën, për sfurkun, për rregullimin e hostenëve. Kështu ditën e betejës nuk shihje as shpatë, as shtizë në duart e tërë njerëzve që ishin me Saulin dhe me Jonathanin, ato i kishin vetëm Sauli dhe Jonathani, bir i tij. Garnizoni i filistenjve doli pastaj dhe u drejtua nga qafa e Mikmashit.