Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Samuelit 13:1-15

1 i Samuelit 13:1-15 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Sauli ishte tridhjetë vjeç kur u bë mbret dhe kishte dy vjet që sundonte në Izrael. Ai zgjodhi tre mijë izraelitë. Dy mijë veta ishin me të në Mikmas e në malësinë e Betelit, ndërsa një mijë ishin me Jonatanin në Gibeahun e Benjaminit. Pjesën tjetër të popullit e nisi secilin në shtëpinë e vet. Jonatani sulmoi kullën e vrojtimit në Gebë dhe tërë filistinët e morën vesh. Edhe Sauli i ra borisë anekënd vendit e shpalli: «Ta marrin vesh hebrenjtë!». Kur mbarë populli dëgjoi se Sauli kishte sulmuar kullën e vrojtimit të filistinëve dhe se kështu e kishte futur Izraelin në armiqësi me ta, u mblodh në Gilgal rreth Saulit. Edhe filistinët mblodhën për luftë kundër Izraelit tre mijë karroca, gjashtë mijë kalorës dhe ushtarë të panumërt, porsi rëra e detit. Ata u nisën e fushuan në Mikmas, në lindje të Bet Avenit. Kur e panë izraelitët se ishin në rrezik, ngaqë ushtria e tyre gjendej ngushtë, u fshehën nëpër shpella, pyje, shkrepa, guva e puse. Disa hebrenj kaluan përtej Jordanit, në tokën e Gadit e të Gileadit. Sauli ishte ende në Gilgal, por tërë ushtria përreth tij dridhej nga frika. Sauli priti shtatë ditë, siç kishte caktuar Samueli, por ai nuk erdhi në Gilgal dhe ushtria filloi të shpërndahej. Sauli tha: «M'i sillni flitë e shkrumbimit e të paqtimit». Atëherë kushtoi flinë e shkrumbimit. Sapo përfundoi flinë e shkrumbimit, mbërriti Samueli. Sauli doli ta takonte e ta përshëndeste. Por Samueli i tha: «Çfarë bëre kështu?». Ai iu përgjigj: «Kur pashë se ushtria po largohej prej meje dhe se ti nuk po vije në kohën e caktuar, ndërkohë që filistinët po mblidheshin në Mikmas, mendova se filistinët do të më sulmonin në Gilgal, pa e marrë ende bekimin prej ZOTIT, prandaj m'u desh ta kushtoja flinë e shkrumbimit». Samueli i tha: «Veprove marrëzisht! Nuk e mbajte urdhrin që të dha ZOTI, Perëndia yt. ZOTI do ta kishte bërë mbretërinë tënde në Izrael të palëkundur deri në amshim, por tani mbretëria jote nuk do të qëndrojë më. ZOTI ka kërkuar një njeri tjetër sipas zemrës së vet dhe e ka urdhëruar t'i prijë popullit të tij, sepse ti nuk e zbatove urdhrin e ZOTIT». Samueli u ngrit e shkoi nga Gilgali në Gibeah të Benjaminit. Sauli i rreshtoi njerëzit që gjendeshin përreth tij. Ishin gjashtë mijë veta.

1 i Samuelit 13:1-15 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Sauli ishte tridhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë; dhe mbasi mbretëroi dy vjet mbi Izraelin, ai zgjodhi tre mijë ushtarë të Izraelit: dy mijë rrinin me të në Mikmash dhe në krahinën malore të Betelit; dhe një mijë me Jonathanin në Gibeah të Beniaminit; e ktheu prapa pjesën tjetër të popullit, secili shkoi në çadrën e vet. Jonathani e mundi garnizonin e filistenjve që ndodhej në Geba, dhe filistenjtë e mësuan këtë ngjarje. Atëherë Sauli urdhëroi që t'u binin borive në tërë vendin, duke thënë: "Le ta dinë hebrenjtë!". Dhe në tërë Izraelin filluan të thonë: "Sauli mundi garnizonin e filistenjve dhe Izraeli tani urrehet nga filistenjtë". Kështu populli u thirr në Gilgal për të shkuar pas Saulit. Edhe filistenjtë u mblodhën për të luftuar kundër Izraelit, me tridhjetë mijë qerre, gjashtë mijë kalorës dhe shumë njerëz, si rëra në bregun e detit. Ata u nisën pra, dhe u vendosën në Mikmash, në lindje të Beth-Avenit. Kur izraelitët e panë se ishin në rrezik (pse populli u gjend ngushtë), u fshehën në shpella, në gëmusha, ndër shkëmbinj, në guva dhe në hauze. Disa Hebrenj kaluan Jordanin për të vajtur në vendin e Gadit dhe të Galaadit. Sauli ishte akoma në Gilgal dhe tërë populli shkonte pas tij duke u dridhur. Ai priti shtatë ditë sipas kohës së caktuar nga Samueli; por Samueli nuk po vinte në Gilgal dhe populli kishte filluar të shpërndahej larg tij. Atëherë Sauli tha: "Më sillni holokaustin dhe flijimet e falënderimit". Pastaj ofroi holokaustin. Sapo kishte mbaruar së ofruari holokaustin, kur erdhi Samueli; dhe Sauli i doli përpara për ta përshëndetur. Por Samueli i tha: "Çfarë bëre kështu?". Sauli u përgjigj: "Kur pashë që populli po shpërndahej larg meje, që ti nuk kishe arritur ditën e caktuar dhe që filistenjtë po mblidheshin në Mikmash, thashë me vete: "Tani filistenjtë do të më sulen në Gilgal dhe unë akoma nuk i jam lutur Zotit". Prandaj e mblodha veten dhe ofrova olokastin". Atëherë Samueli i tha Saulit: "Ti ke vepruar pa mend; nuk ke respektuar urdhërimin që Zoti, Perëndia yt, të kishte dhënë. Në fakt Zoti do të vendoste përgjithnjë mbretërinë tënde mbi Izraelin. Tani përkundrazi mbretëria jote nuk ka për të vazhduar, Zoti ka kërkuar një njeri sipas zemrës së tij, dhe Zoti e ka caktuar princ të populli të tij, sepse ti nuk ke respektuar atë që Zoti të pati urdhëruar". Pastaj Samueli u ngrit dhe u ngjit nga Gilgali në Gibeah të Beniaminit, dhe Sauli kaloi në revistë popullin që gjendej me të; ishin rreth gjashtë qind veta.