Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Samuelit 10:17-27

1 i Samuelit 10:17-27 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Samueli e mblodhi popullin para ZOTIT në Micpah e u tha izraelitëve: «Kështu thotë ZOTI, Perëndia i Izraelit. Unë e nxora Izraelin prej Egjiptit. Ju çlirova edhe ju prej dorës së egjiptianëve e prej gjithë mbretërive që po ju shtypnin. Ju sot e përbuzët Perëndinë tuaj, që ju shpëtoi prej çdo fatkeqësie e vështirësie, duke thënë: “Na cakto një mbret”. Tani, pra, paraqituni para ZOTIT sipas fiseve e familjeve». Samueli i paraqiti të gjitha fiset e Izraelit dhe shorti i ra fisit të Benjaminit. Pastaj paraqiti familjet e Benjaminit dhe shorti i ra familjes së Matriut. Mandej shorti i ra Saulit, birit të Kishit. E kërkuan Saulin, por nuk po e gjenin. Atëherë u këshilluan sërish me ZOTIN: «A presim të vijë ndonjë tjetër?». ZOTI tha: «Ja ku është, i fshehur pas sendeve». Ata vrapuan dhe e morën që andej. Ai qëndroi në mes të popullit. Ishte shtatlartë, një kokë më lart se tërë populli. Atëherë Samueli i tha mbarë popullit: «A e shihni kë ka zgjedhur ZOTI. Nuk ka si ai në mbarë popullin». Tërë populli brohoriti: «Rroftë mbreti!». Samueli i tregoi popullit të drejtat e mbretit. I shkroi në libër dhe i vuri para ZOTIT. Pastaj Samueli e nisi popullin, secilin në shtëpinë e vet. Edhe Sauli u kthye në shtëpinë e vet, në Gibeah, dhe me të shkuan luftëtarët që Perëndia i kishte prekur në zemër. Por disa njerëz të poshtër thanë: «Ky do të na shpëtuaka?». E përbuzën e nuk i çuan asnjë dhuratë, por Sauli bëri sikur nuk i dëgjoi.

1 i Samuelit 10:17-27 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj Samueli mblodhi popullin para Zotit në Mitspah, dhe u tha bijve të Izraelit: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Unë e nxora Izraelin nga Egjipti dhe ju çlirova nga duart e egjiptasve dhe nga duart e të gjitha mbretërve që ju shtypnin". Por sot ju keni hedhur poshtë Perëndinë tuaj që ju ka shpëtuar nga fatkeqësitë dhe mundimet tuaja dhe i thoni: "Cakto një mbret mbi ne!". Prandaj paraqituni para Zotit sipas fiseve dhe sipas mijësheve". Pastaj Samueli afroi tërë fiset e Izraelit, dhe u zgjodh fisi i Beniaminit. Pas kësaj afroi fisin e Beniaminit sipas familjeve të tij dhe u zgjodh familja e Matrit. Pastaj u zgjodh Sauli, bir i Kishit; e kërkuan, por nuk e gjetën. Atëherë u këshilluan përsëri me Zotin: "A ndodhet tanimë këtu?". Zoti u përgjigj: "Ja ku është fshehur midis bagazheve". Vrapuan ta nxjerrin që andej; kështu ai u paraqit para popullit, dhe ishte më i lartë se gjithë njerëzit nga supi e lart. Pastaj Samueli i tha tërë popullit: "E shihni atë që ka zgjedhur Zoti? Nuk ka asnjë si ai në tërë popullin. Kështu tërë populli lëshoi britma gëzimi dhe thirri: "Rroftë mbreti!". Atëherë Samueli i paraqiti popullit të drejtat e mbretërisë dhe i shkroi në një libër, që vendosi përpara Zotit. Pas kësaj Samueli ktheu tërë popullin, secili shkoi në shtëpinë e tij. Edhe Samueli shkoi në shtëpinë e tij në Gibeah, dhe me të shkuan njerëz trima, të cilëve Perëndia u kish prekur zemrën. Por disa njerëz që nuk vlenin asgjë thanë: "Si mund të na shpëtojë ky njeri?". Kështu e përçmuan dhe nuk i bënë asnjë dhuratë. Por ai nuk tha asnjë fjalë.