1 i Samuelit 1:19-28
1 i Samuelit 1:19-28 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Të nesërmen u ngritën herët në mëngjes, adhuruan ZOTIN dhe u kthyen në shtëpinë e tyre në Ramah. Elkanahu fjeti me Anën, gruan e tij, dhe ZOTI e kujtoi. Kur u plotësuan ditët, Ana mbeti shtatzënë e lindi një djalë. Ajo e quajti Samuel, sepse tha: «ZOTIT ia kërkova!». Elkanahu me mbarë familjen e tij shkoi për t'i kushtuar flinë vjetore ZOTIT dhe për të përmbushur kushtin e tij. Por Ana nuk shkoi me të, sepse i tha të shoqit: «Vetëm pasi ta ndaj nga gjiri do ta sjell djalin e do ta paraqes te ZOTI, që të jetojë atje përherë». Elkanahu, i shoqi, iu përgjigj: «Bëj si të të duket më mirë. Rri derisa ta ndash nga gjiri. ZOTI e përmbushtë fjalën e tij!». Kështu, Ana ndenji për të mëkuar të birin derisa e ndau nga gjiri. Pasi e ndau nga gjiri, ajo e solli të birin në Shiloh bashkë me një mëzat tre vjeçar, një kilogram miell dhe një kacek vere. Djaloshi ishte ende i vogël. Si e therën mëzatin, e sollën djaloshin tek Eliu dhe ajo tha: «Të lutem, imzot, pasha jetën tënde, unë jam ajo gruaja që pati ndenjur me ty këtu duke iu lutur ZOTIT. Për këtë djalë u luta dhe ZOTI ma plotësoi kërkesën që i bëra. Prandaj dhe unë po ia fal ZOTIT. Sa të jetë gjallë, djaloshi do t'i përkasë ZOTIT».
1 i Samuelit 1:19-28 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ata u ngritën herët në mëngjes dhe ranë përmbys përpara Zotit; pastaj u nisën dhe u kthyen në shtëpinë e tyre në Ramah. Elkanahu njohu Anën, bashkëshorten e tij, dhe Zoti u kujtua për të. Në kohën e caktuar, Ana mbeti me barrë dhe lindi një djalë të cilit ia vunë emrin Samuel, duke thënë: "Sepse ia kërkova Zotit". Atëherë burri i saj Elkanahu u ngjit me gjithë familjen e tij për t'i ofruar Zotit flijimin vjetor dhe për të plotësuar kushtin e lidhur. Por Ana nuk u ngjit, sepse i tha burrit të saj: "Unë nuk do të ngjitem derisa fëmija të jetë zvjerdhur; atëherë do ta çoj me qëllim që ta paraqes para Zotit dhe të mbetet pranë tij përgjithnjë". Burri i saj, Elkanahu, iu përgjigj: "Bëj si të të duket më mirë; qëndro derisa të të jetë zvjerdhur, mjaft që Zoti ta mbajë fjalën!". Kështu gruaja mbeti në shtëpi dhe i dha gji birit të saj derisa ky u zvordh. Mbasi e zvordhi e mori me vete, bashkë me tri dema të vegjël, një efë mielli dhe një calik verë; dhe i çoi në shtëpinë e Zotit në Shiloh. Djali ishte akoma shumë i vogël. Pastaj ata flijuan një dem dhe ia çuan djalin Elit. Ana i tha: "Imzot! Ashtu siç është e vërtetë që jeton shpirti yt, o imzot, unë jam ajo grua që rrinte këtu, afër teje, dhe i lutej Zotit. Jam lutur për të pasur këtë djalë, dhe Zoti më dha atë që i kisha kërkuar. Prandaj edhe unë ia fal Zotit; derisa të rrojë, ai do t'i kushtohet Zotit". Dhe aty ranë përmbys para Zotit.