1 i Samuelit 1:12-18
1 i Samuelit 1:12-18 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ndërsa i lutej ende ZOTIT, Eliu po vështronte buzët e saj. Ana po lutej në zemrën e saj, vetëm duke lëvizur buzët e pa bërë zë. Kështu, Eliu kujtoi se kishte pirë, prandaj edhe i tha: «Edhe sa kohë do të rrish e dehur? Mos pi më verë!». Ana iu përgjigj: «Jo, imzot, nuk kam pirë as verë, as pije të forta. Më dhemb shpirti, prandaj dhe po ia zbraz zemrën ZOTIT. Mos kujto se shërbëtorja jote është grua e pahijshme. Gjithë kësaj kohe jam lutur për shkak të mjerimit dhe dëshpërimit tim të madh». Atëherë Eliu i tha: «Shko në paqe. Perëndia i Izraelit ta plotësoftë kërkesën që i bëre!». Ajo i tha: «Gjettë hir para teje shërbëtorja jote!». Pastaj shkoi udhës së vet, hëngri dhe nuk pati më fytyrë të trishtuar.
1 i Samuelit 1:12-18 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ndërsa ajo e zgjaste lutjen e saj përpara Zotit, Eli shikonte me kujdes gojën e saj. Ana fliste në zemër të saj; vetëm buzët i lëviznin, por zëri saj nuk dëgjohej; pikërisht për këtë Eli mendonte që ishte e dehur. Kështu Eli i tha: "Deri kur do të jesh e dehur? Të daltë pija!". Por Ana u përgjigj dhe tha: "Jo, imzot, unë jam një grua e vrarë në frymë dhe nuk kam pirë as verë, as pije të tjera dehëse, por isha duke hapur zemrën time para Zotit. Mos mendo se shërbëtorja jote është një grua e çoroditur, sepse ka qenë dhembja dhe hidhërimi i pamasë që më shtynë të flas deri tani". Atëherë Eli iu përgjigj: "Shko në paqe dhe Perëndia i Izraelit të dhëntë atë që i kërkove". Ajo u përgjigj: "Shërbëtorja jote pastë gjetur hirin në sytë e tu". Kështu gruaja iku në rrugën e saj, nisi të ushqehet dhe pamja e saj nuk ishte më e trishtuar.