Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Samuelit 1:1-28

1 i Samuelit 1:1-28 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Ishte një herë një burrë prej Ramahut, një cofit nga malet e Efraimit, që quhej Elkanah. Ai ishte biri i Jerohamit, të birit të Elihuit, të birit të Tohuit, të birit të Cuf Efratitit. Elkanahu kishte dy gra. Njëra quhej Ana, tjetra Penina. Penina kishte fëmijë, ndërsa Ana jo. Ky njeri nisej për vit nga qytetit i tij e shkonte në Shiloh për të adhuruar e për t'i kushtuar fli ZOTIT të ushtrive. Atje shërbenin si priftërinj të ZOTIT dy bijtë e Eliut, Hofniu e Finehasi. Kur kushtonte fli, Elkanahu u jepte nga një pjesë të flisë Peninës, gruas së tij, dhe tërë bijve e bijave të saj, ndërsa Anës i jepte vetëm një pjesë, sepse, edhe pse e donte, ZOTI e kishte lënë beronjë. Anën e mundonte edhe kundërshtarja e saj që e thumbonte për shkak se ZOTI e kishte lënë beronjë. Kështu ndodhte çdo vit. Sa herë që shkonte në shtëpinë e ZOTIT, kundërshtarja e thumbonte dhe ajo qante e nuk hante. Elkanahu, i shoqi, i thoshte: «Përse qan e nuk ha? Përse je e trishtuar? A nuk jam unë për ty më i mirë sesa dhjetë djem?». Një herë, pasi patën ngrënë e pirë në Shiloh, Ana u ngrit ndërsa prifti Eli rrinte ulur në ndenjëse, në të hyrë të tempullit të ZOTIT. Me shpirt të këputur, ajo iu lut ZOTIT e vajtoi me dënesë duke iu betuar: «O ZOT i ushtrive, në e pafsh mjerimin e shërbëtores tënde, në e kujtofsh e në mos e harrofsh shërbëtoren tënde, në më dhënç një trashëgimtar, ty, o ZOT, do të ta kushtoj tërë jetën e tij e brisku nuk ka për t'ia prekur flokun e kokës». Ndërsa i lutej ende ZOTIT, Eliu po vështronte buzët e saj. Ana po lutej në zemrën e saj, vetëm duke lëvizur buzët e pa bërë zë. Kështu, Eliu kujtoi se kishte pirë, prandaj edhe i tha: «Edhe sa kohë do të rrish e dehur? Mos pi më verë!». Ana iu përgjigj: «Jo, imzot, nuk kam pirë as verë, as pije të forta. Më dhemb shpirti, prandaj dhe po ia zbraz zemrën ZOTIT. Mos kujto se shërbëtorja jote është grua e pahijshme. Gjithë kësaj kohe jam lutur për shkak të mjerimit dhe dëshpërimit tim të madh». Atëherë Eliu i tha: «Shko në paqe. Perëndia i Izraelit ta plotësoftë kërkesën që i bëre!». Ajo i tha: «Gjettë hir para teje shërbëtorja jote!». Pastaj shkoi udhës së vet, hëngri dhe nuk pati më fytyrë të trishtuar. Të nesërmen u ngritën herët në mëngjes, adhuruan ZOTIN dhe u kthyen në shtëpinë e tyre në Ramah. Elkanahu fjeti me Anën, gruan e tij, dhe ZOTI e kujtoi. Kur u plotësuan ditët, Ana mbeti shtatzënë e lindi një djalë. Ajo e quajti Samuel, sepse tha: «ZOTIT ia kërkova!». Elkanahu me mbarë familjen e tij shkoi për t'i kushtuar flinë vjetore ZOTIT dhe për të përmbushur kushtin e tij. Por Ana nuk shkoi me të, sepse i tha të shoqit: «Vetëm pasi ta ndaj nga gjiri do ta sjell djalin e do ta paraqes te ZOTI, që të jetojë atje përherë». Elkanahu, i shoqi, iu përgjigj: «Bëj si të të duket më mirë. Rri derisa ta ndash nga gjiri. ZOTI e përmbushtë fjalën e tij!». Kështu, Ana ndenji për të mëkuar të birin derisa e ndau nga gjiri. Pasi e ndau nga gjiri, ajo e solli të birin në Shiloh bashkë me një mëzat tre vjeçar, një kilogram miell dhe një kacek vere. Djaloshi ishte ende i vogël. Si e therën mëzatin, e sollën djaloshin tek Eliu dhe ajo tha: «Të lutem, imzot, pasha jetën tënde, unë jam ajo gruaja që pati ndenjur me ty këtu duke iu lutur ZOTIT. Për këtë djalë u luta dhe ZOTI ma plotësoi kërkesën që i bëra. Prandaj dhe unë po ia fal ZOTIT. Sa të jetë gjallë, djaloshi do t'i përkasë ZOTIT».

1 i Samuelit 1:1-28 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ishte një njeri nga Ramathaim-Tsofini, nga zona malore e Efraimit, që quhej Elkanah; ishte bir i Jerohamit, bir i Elihut, bir i Tohut dhe bir i Efraimitit Tsuf. Ai kishte dy gra: e para quhej Ana dhe tjetra Penina. Penina kishte fëmijë, kurse Ana nuk kishte. Çdo vit ky njeri nisej nga qyteti i tij për të adhuruar dhe për t'i ofruar flijime Zotit të ushtrive në Shiloh, ku gjendeshin dy bijtë e Efraimit, Hofni dhe Finehasi, priftërinj të Zotit. Kur i vinte dita Elkanahut të ofronte flijimin, ai kishte zakon t'u jepte pjesën që u takonte gruas së tij Penina dhe pjesët gjithë bijve dhe bijave të tij; por Anës i jepte një pjesë të dyfishtë, sepse e donte Anën, megjithëse Zoti ia kishte mbyllur barkun. Por shemra e saj e ngacmonte vazhdimisht për ta zemëruar, sepse Zoti ia kishte mbyllur barkun. Kështu ndodhte çdo vit; sa herë që Ana ngjitej në shtëpinë e Zotit, Penina e ngacmonte; prandaj ajo qante dhe nuk hante më. Atëherë burri i saj Elkanahu i tha: "Ana, pse qan? Pse nuk ha? Pse është trishtuar zemra jote? A nuk jam unë për ty më i mirë se dhjetë fëmijë?". Pasi hëngrën dhe pinë në Shiloh, Ana u ngrit. Prifti Eli ishte ulur mbi ndenjësen që ndodhet në hyrje të tabernakullit të Zotit. Në trishtimin e shpirtit të saj i lutej Zotit duke qarë me dënesë. Pastaj lidhi një kusht, duke thënë: "O Zot i ushtrive, në se vërtetë interesohesh për fatkeqësinë që i ka rënë shërbëtores sate, në se ti më mban mend mua dhe nuk e harron shërbëtoren tënde, por dëshiron t'i japësh shërbëtores sate një fëmijë mashkull, unë do t'ia jap Zotit për të gjitha ditët e jetës së tij dhe brisku nuk ka për të kaluar mbi kokën e tij". Ndërsa ajo e zgjaste lutjen e saj përpara Zotit, Eli shikonte me kujdes gojën e saj. Ana fliste në zemër të saj; vetëm buzët i lëviznin, por zëri saj nuk dëgjohej; pikërisht për këtë Eli mendonte që ishte e dehur. Kështu Eli i tha: "Deri kur do të jesh e dehur? Të daltë pija!". Por Ana u përgjigj dhe tha: "Jo, imzot, unë jam një grua e vrarë në frymë dhe nuk kam pirë as verë, as pije të tjera dehëse, por isha duke hapur zemrën time para Zotit. Mos mendo se shërbëtorja jote është një grua e çoroditur, sepse ka qenë dhembja dhe hidhërimi i pamasë që më shtynë të flas deri tani". Atëherë Eli iu përgjigj: "Shko në paqe dhe Perëndia i Izraelit të dhëntë atë që i kërkove". Ajo u përgjigj: "Shërbëtorja jote pastë gjetur hirin në sytë e tu". Kështu gruaja iku në rrugën e saj, nisi të ushqehet dhe pamja e saj nuk ishte më e trishtuar. Ata u ngritën herët në mëngjes dhe ranë përmbys përpara Zotit; pastaj u nisën dhe u kthyen në shtëpinë e tyre në Ramah. Elkanahu njohu Anën, bashkëshorten e tij, dhe Zoti u kujtua për të. Në kohën e caktuar, Ana mbeti me barrë dhe lindi një djalë të cilit ia vunë emrin Samuel, duke thënë: "Sepse ia kërkova Zotit". Atëherë burri i saj Elkanahu u ngjit me gjithë familjen e tij për t'i ofruar Zotit flijimin vjetor dhe për të plotësuar kushtin e lidhur. Por Ana nuk u ngjit, sepse i tha burrit të saj: "Unë nuk do të ngjitem derisa fëmija të jetë zvjerdhur; atëherë do ta çoj me qëllim që ta paraqes para Zotit dhe të mbetet pranë tij përgjithnjë". Burri i saj, Elkanahu, iu përgjigj: "Bëj si të të duket më mirë; qëndro derisa të të jetë zvjerdhur, mjaft që Zoti ta mbajë fjalën!". Kështu gruaja mbeti në shtëpi dhe i dha gji birit të saj derisa ky u zvordh. Mbasi e zvordhi e mori me vete, bashkë me tri dema të vegjël, një efë mielli dhe një calik verë; dhe i çoi në shtëpinë e Zotit në Shiloh. Djali ishte akoma shumë i vogël. Pastaj ata flijuan një dem dhe ia çuan djalin Elit. Ana i tha: "Imzot! Ashtu siç është e vërtetë që jeton shpirti yt, o imzot, unë jam ajo grua që rrinte këtu, afër teje, dhe i lutej Zotit. Jam lutur për të pasur këtë djalë, dhe Zoti më dha atë që i kisha kërkuar. Prandaj edhe unë ia fal Zotit; derisa të rrojë, ai do t'i kushtohet Zotit". Dhe aty ranë përmbys para Zotit.