1 Pjetrit 4:4-11
1 Pjetrit 4:4-11 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Tani atyre u duket çudi që ju nuk rendni më me ta në të njëjtin lumë poshtërsish dhe prandaj ju fyejnë. Ata do t'i japin llogari atij që është gati për të gjykuar të gjallët e të vdekurit. Për këtë arsye ungjilli iu shpall edhe të vdekurve, që të gjykohen sipas njerëzve në trup e të jetojnë sipas Perëndisë në shpirt. Fundi i të gjitha gjërave është afër! Bëhuni të urtë e rrini zgjuar për lutje. Para së gjithash, të keni dashuri të madhe për njëri-tjetrin, sepse dashuria mbulon shumë mëkate. Jini mikpritës për njëri-tjetrin pa murmuritur. Secili prej jush, si kujdestar i mirë i dhuntive të ndryshme të Perëndisë, ta përdorë dhuntinë e tij për t'u shërbyer të tjerëve. Kush predikon, le të predikojë fjalët e Perëndisë dhe kush shërben, le të shërbejë sipas fuqisë që i jep Perëndia, që Perëndia të përlëvdohet në gjithçka nëpërmjet Jezu Krishtit, të cilit i përket lavdia e pushteti, në shekuj të shekujve! Amen!
1 Pjetrit 4:4-11 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Prandaj u duket çudi që ju nuk rendni me ta në po ato teprime shthurjeje dhe flasin keq për ju. Ata do të japin llogari para atij që është gati të gjykojë të gjallë e të vdekur. Për këtë në fakt, ungjilli u është predikuar edhe të vdekurve, që ata të gjykohen në mish sipas njerëzve, por të jetojnë në frymë sipas Perëndisë. Tashmë fundi i të gjithave u afrua; jini, pra, të përkorë dhe rrini zgjuar për t'iu kushtuar lutjeve. Dhe të keni para së gjithash një dashuri të madhe për njëri-tjetrin, sepse ''dashuria do të mbulojë një shumicë mëkatesh''. Jini mikpritës njëri për tjetrin, pa murmuritje. Gjithsecili le ta vërë në shërbim të tjetrit dhuntinë që ka marrë, si kujdestarë të mirë të hirit të shumëfarshëm të Perëndisë. Nëse dikush flet, le ta bëjë si të shpallë orakujt e Perëndisë; kush bën një shërbim, le të bëjë në forcën që i jep Perëndia, që në gjithçka të përlëvdohet Perëndia nëpërmjet Jezu Krishtit, të cilit i takon lavdia dhe pushteti për shekuj të shekujve. Amen.