Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Pjetrit 3:8-22

1 Pjetrit 3:8-22 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Së fundi, jini të gjithë të një mendjeje, të dhembshur, plot dashuri vëllazërore, të mëshirshëm e të përulur. Mos e ktheni të keqen me të keqe dhe as poshtërimin me poshtërim! Përkundrazi, bekoni, sepse u thirrët pikërisht për të trashëguar bekimin. Kush e do jetën e dëshiron të shohë ditë të mira, le ta ruajë gjuhën nga e keqja dhe buzët e tij të mos thonë gënjeshtra. Le të largohet nga e keqja e le të bëjë të mirën. Le të kërkojë paqen e le të rendë pas saj. Sepse sytë e Zotit janë mbi të drejtët e veshët e tij dëgjojnë klithmën e tyre, por ai u kundërvihet atyre që bëjnë keq. E kush do t'ju bëjë keq nëse jepeni me zell pas së mirës? Por edhe nëse vuani për hir të drejtësisë, lum ju! Mos kini frikë nga kërcënimet e tyre e mos u tronditni. Nderoni në zemrat tuaja Zotin Krisht dhe jini gjithmonë gati për t'ju përgjigjur atyre që kërkojnë arsyen e shpresës që është në ju. Por bëjeni këtë me butësi, me druajtje ndaj Perëndisë e me ndërgjegje të pastër, në mënyrë që ata që flasin keq për jetën tuaj në Krishtin, të turpërohen për shpifjet. Është më mirë të vuani duke bërë të mirën, nëse ky është vullneti i Perëndisë, sesa duke bërë të keqen. Sepse edhe Krishti vuajti një herë e përgjithmonë për mëkatet tona, ai, i drejti për të padrejtët, për t'ju çuar te Perëndia. Ai vdiq me trup, por u ngjall me anë të Shpirtit. Me anë të Shpirtit, ai shkoi e u predikoi edhe shpirtrave që ishin në burg, të cilët nuk iu bindën Perëndisë kur ai i priste me durim gjatë ditëve kur Noeu ndërtonte arkën. Në të hynë pak njerëz, vetëm tetë frymë, që shpëtuan nëpërmjet ujit. Ky ujë është shëmbëllesa e sotme e pagëzimit që ju shpëton. Nuk ka të bëjë me pastrimin e papastërtive të trupit, por është një premtim që i bëhet me ndërgjegje të pastër Perëndisë. Pagëzimi ju shpëton nëpërmjet ngjalljes së Jezu Krishtit, i cili u ngjit në qiell e rri në të djathtë të Perëndisë, ku sundon mbi engjëjt, pushtetet e fuqitë qiellore.

1 Pjetrit 3:8-22 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Dhe më në fund jini të gjithë të një mendjeje, të dhembshur, plot dashuri vëllazërore, të mëshirshëm dhe dashamirës, pa e kthyer të keqen me të keqe ose fyerjen me fyerje, po, përkundrazi, bekoni, duke e ditur se për këtë u thirrët, që të trashëgoni bekimin. Sepse ''kush do ta dojë jetën dhe të shohë ditë të mira, le ta ruajë gojën e tij nga e keqja dhe buzët e tij nga të folurit me mashtrim; të largohet nga e keqja dhe të bëjë të mirën, të kërkojë paqen dhe të ndjekë atë, sepse sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë në lutjen e tyre; por fytyra e Zotit është kundër atyre që bëjnë të keqen''. Dhe kush do t'ju bëjë keq, në qoftë se ju ndiqni të mirën? Por, edhe sikur të vuani për drejtësinë, lum ju! ''Pra, mos kini asnjë druajtje prej tyre dhe mos u shqetësoni'', madje shenjtëroni Zotin Perëndinë në zemrat tuaja dhe jini gjithnjë gati për t'u përgjigjur në mbrojtjen tuaj kujtdo që ju kërkon shpjegime për shpresën që është në ju, por me butësi e me druajtje, duke pasur ndërgjegje të mirë, që, kur t'ju padisin si keqbërës, të turpërohen ata që shpifin për sjelljen tuaj të mirë në Krishtin. Sepse është më mirë, nëse është i tillë vullneti i Perëndisë, të vuani duke bërë mirë, se sa duke bërë keq, sepse edhe Krishti ka vuajtur një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia. U vra në mish, por u ngjall nga Fryma, me anë të së cilës ai shkoi t'u predikojë frymërave që ishin në burg, që dikur ishin rebelë, kur durimi i Perëndisë i priste në ditët e Noeut, ndërsa po ndërtohej arka, në të cilën, pak vetë, gjithsej tetë, shpëtuan nëpërmjet ujit, i cili është shëmbëllesa e pagëzimit (jo heqja e ndyrësisë së mishit, po kërkesa e një ndërgjegjeje të mirë te Perëndia), që tani na shpëton edhe ne me anë të ringjalljes së Jezu Krishtit, i cili shkoi në qiell dhe është në të djathtën e Perëndisë ku i janë nënshtruar engjëj, pushtete dhe fuqie.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë