1 Pjetrit 2:18-23
1 Pjetrit 2:18-23 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ju, shërbëtorë, nënshtrojuni plot druajtje zotërinjve tuaj, jo vetëm atyre që janë të mirë e zemërbutë, por edhe të mbrapshtëve. Se është hir për njeriun që duron mundimet kur vuan padrejtësisht, për shkak se e ka ndërgjegjen sipas Perëndisë. Çfarë vlere ka nëse duroni mundimet kur keni bërë faj? Por nëse duroni vuajtjet kur keni bërë të mirën, kjo është hir para Perëndisë. Për këtë jeni thirrur, sepse edhe Krishti vuajti për ju. Ai ju la shembullin, që të ndiqni edhe ju gjurmët e tij. Ai nuk bëri asnjë mëkat, në gojën e tij nuk u gjet asnjë mashtrim. Kur poshtërohej, ai nuk poshtëronte, kur vuante, nuk kërcënonte, por ia la veten në dorë Perëndisë që gjykon me drejtësi.
1 Pjetrit 2:18-23 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ju, shërbëtorë, nënshtrohuni me plot druajtje zotërinjve tuaj, jo vetëm të mirëve dhe të drejtëve, por edhe të padrejtëve, sepse është gjë e lavdërueshme, nëse dikush, për ndërgjegje ndaj Perëndisë, duron shtrëngime duke vuajtur padrejtësisht. Sepse çfarë lavdie do të ishte po të duronit në qoftë se ju rrahin sepse keni bërë faje? Ndërsa, po të bëni të mirë dhe të duroni vuajtje, kjo është hir para Perëndisë. Sepse për këtë ju u thirrët, sepse edhe Krishti e vuajti për ne, duke ju lënë një shembull, që të ecni pas gjurmës së tij. ''Ai nuk bëri asnjë mëkat dhe nuk u gjet asnjë mashtrim në gojë të tij''. Kur e fyenin, nuk e kthente fyerjen, kur vuante, nuk kërcënonte, po dorëzohej tek ai që gjykon drejtësisht.