Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Mbretërve 8:22-66

1 i Mbretërve 8:22-66 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Atëherë Solomoni qëndroi përpara altarit të ZOTIT në prani të mbarë bashkësisë së Izraelit, ngriti duart drejt qiellit, e tha: «O ZOT, Perëndi i Izraelit, nuk ka tjetër perëndi si ti as lart në qiell e as poshtë në tokë, ti që i qëndron besnik besëlidhjes që ke bërë me shërbëtorët e tu, kur ata ecin para teje me gjithë zemër, ti që i mbajte premtimet që i bëre shërbëtorit tënd, Davidit, atit tim. Ato që premtove me gojën tënde, i përmbushe me dorën tënde, e ashtu po bën edhe sot. E tani, o ZOT, Perëndi i Izraelit, mbaje premtimin që i bëre shërbëtorit tënd, Davidit, atit tim, kur i the: “Nuk do t'ua heq pasardhësve të tu fronin e Izraelit, vetëm nëse ata do të kenë kujdes të ecin para meje ashtu si ti”. Prandaj, o Perëndi i Izraelit, le të plotësohet premtimi që i bëre shërbëtorit tënd, Davidit, atit tim. Por, a mund të banosh vërtet mbi tokë, o Perëndi? Ja, ty nuk të nxënë as qiejt e qiejve e aq më pak ky tempull që ta ndërtova unë! Vëri, pra, vesh lutjes së shërbëtorit tënd e përgjërimit të tij, o ZOT, Perëndia im! Dëgjoje thirrjen e lutjen që shërbëtori yt po të drejton sot! Sytë e tu qëndrofshin hapur e pafshin nga ky tempull natë e ditë, nga ky vend për të cilin the: “Aty do të jetë emri im!”. Dëgjoje lutjen që shërbëtori yt po të drejton prej këtij vendi! Dëgjoje përgjërimin e shërbëtorit tënd e të popullit tënd, Izraelit, sa herë që të lutet drejt këtij vendi! Dëgjoje prej vendit ku banon në qiej! Dëgjona e përdëllena! Kur dikush mëkaton kundër të afërtit e i kërkohet të betohet për pafajësinë e tij dhe ai vjen për t'u betuar përpara altarit tënd në këtë tempull, dëgjoje prej qiellit, vepro dhe gjykoji shërbëtorët e tu. Dënoje të paudhin, që e keqja t'i bjerë mbi kokë vetë atij, shpalle të pafajshëm të pafajshmin dhe shpërbleje sipas drejtësisë së tij. Kur Izraeli, populli yt, të mposhtet para armikut, për shkak se do të ketë mëkatuar kundër teje, por më pas kthehet te ti, duke përlëvduar emrin tënd, duke t'u lutur e duke t'u përgjëruar në këtë tempull, dëgjoje prej qiellit, falja mëkatin e ktheje në vendin që u ke dhënë paraardhësve të tij. Kur të ndryhet qielli e të mos bjerë më shi, për shkak se izraelitët do të kenë mëkatuar kundër teje, por më pas luten drejt këtij vendi, duke përlëvduar emrin tënd e duke u penduar për mëkatet e tyre, për shkak të ndëshkimit tënd, dëgjoji prej qiellit e fale mëkatin e shërbëtorëve të tu dhe të popullit tënd, Izraelit, mësoju udhën e së mirës, nëpër të cilën duhet të ecin, dhe jepi shi tokës sate, tokës që ia dhe për trashëgim popullit tënd. Nëse vendin e godet zia e bukës apo murtaja, nëse e ha vrugu, myku, karkaleci apo vemja, nëse e rrethon armiku nga të gjitha anët, nëse mbi të bien çfarëdolloj plagësh e sëmundjesh, dhe nëse çdo njeri apo mbarë populli yt, Izraeli, të lutet e të përgjërohet, duke lartësuar duart drejt këtij tempulli, për shkak të plagës që ka në zemër, dëgjoje prej qiellit, prej vendit ku banon, fal, vepro e jepi secilit sipas sjelljes së tij, se ti ia njeh zemrën dhe vetëm ti e njeh zemrën e çdo njeriu. Kështu, ty do të të druajnë të gjithë sa të jenë gjallë mbi tokën që u dhe paraardhësve të tyre. Edhe i huaji, që nuk i përket popullit tënd, Izraelit, nëse vjen nga një vend i largët për hir të emrit tënd, që të lutet drejt këtij tempulli, për shkak se ka dëgjuar për emrin tënd të madhërishëm, për dorën tënde të fuqishme e për krahun tënd të gjithëpushtetshëm, dëgjoje prej qiellit, prej vendit ku banon dhe plotësoja të gjitha kërkesat që të bën. Kështu, të gjithë popujt e botës do ta njohin emrin tënd, do të të druajnë, siç të druan populli yt Izrael, dhe do ta dinë se emri yt thirret në këtë tempull që të ndërtova unë. Nëse populli yt del për të luftuar kundër armiqve, atje ku ta kesh urdhëruar, nëse të lutet ty, o ZOT, duke u drejtuar nga qyteti që ke zgjedhur ti dhe nga tempulli që kam ndërtuar unë për nder të emrit tënd, dëgjoja lutjen dhe përgjërimin nga qielli e bëj që të ngadhënjejë e drejta e tij. Nëse mëkatojnë kundër teje, sepse nuk ka njeri që nuk mëkaton, e ti, i zemëruar me ta, i dorëzon tek armiqtë, që i marrin robër e i degdisin në vende armike të largëta a të afërta, por nëse pendohen në vendin ku janë marrë robër, kthehen me gjithë zemër te ti e të përgjërohen duke thënë: “Kemi mëkatuar, kemi bërë ligësi e paudhësi”, nëse kthehen, pra, te ti, me gjithë zemër e me gjithë shpirt, atje në vendin ku i kanë robëruar armiqtë, e të luten duke u drejtuar për nga vendi i paraardhësve të tyre, për nga qyteti yt i zgjedhur dhe për nga tempulli që kam ndërtuar për nder të emrit tënd, dëgjoji lutjet dhe përgjërimet e tyre prej qiellit, prej vendit ku banon, e bëj të ngadhënjejë e drejta e tyre. Falja popullit tënd, që ka mëkatuar kundër teje, të gjitha shkeljet që ka bërë kundër teje e bëj që armiqtë të tregohen të mëshirshëm e të kenë dhembshuri për të, sepse është populli yt dhe trashëgimia jote, janë ata që ti i nxore nga Egjipti, nga shkritorja e hekurit. Mbaji sytë hapur dhe dëgjoji përgjërimet dhe lutjet e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd, Izraelit, sa herë që të thërrasin, o ZOT, Perëndi, sepse ti i zgjodhe mes gjithë popujve të tokës për të qenë trashëgimia jote, ashtu siç the përmes Moisiut, shërbëtorit tënd, kur i nxore paraardhësit tanë nga Egjipti». Kur mbaroi së drejtuari ZOTIT të gjitha këto lutje e përgjërime, Solomoni u ngrit më këmbë para altarit të ZOTIT, ku ishte gjunjëzuar me duart e ngritura drejt qiellit, bekoi bashkësinë e Izraelit me zë të lartë e tha: «Bekuar qoftë ZOTI që i dha prehje popullit të tij, Izraelit, ashtu siç kishte premtuar. Asnjë nga premtimet e mira, që bëri përmes Moisiut, shërbëtorit të tij, nuk mbeti pa u përmbushur. ZOTI, Perëndia ynë, qoftë me ne, ashtu siç ka qenë me paraardhësit tanë. Mos na braktistë e mos na lëntë, por na i prirtë zemrat drejt tij, që të ecim në udhët e tij e që të mbajmë urdhërimet, rregullat e vendimet që ai u urdhëroi etërve tanë. ZOTI, Perëndia ynë, i kujtoftë ditë e natë fjalët e përgjërimeve që bëra para Zotit, që e drejta e shërbëtorit të tij dhe e popullit të tij, Izraelit, të ngadhënjejë ditë pas dite. Kështu, të gjithë popujt e tokës do ta dinë se ZOTI është Perëndia dhe se nuk ka tjetër. Zemra juaj iu përkushtoftë plotësisht ZOTIT, Perëndisë tonë, që të ecni sipas rregullave të tij e të mbani urdhërimet e tij, ashtu si sot». Pastaj, mbreti e mbarë Izraeli bashkë me të, kushtuan fli para ZOTIT. Solomoni i kushtoi ZOTIT si fli paqtimi njëzet e dy mijë qe dhe njëqind e njëzet mijë dhen. Kështu, mbreti dhe të gjithë izraelitët ia kushtuan tempullin ZOTIT. Po atë ditë, mbreti shenjtëroi qendrën e tremes, që ndodhej përpara tempullit të ZOTIT. Atje kushtoi flinë e shkrumbimit, flinë e drithit dhe dhjamin e flive të paqtimit, sepse altari prej bronzi, që ndodhej para ZOTIT, ishte tepër i vogël për të nxënë flinë e shkrumbimit, flinë e drithit dhe dhjamin e flive të paqtimit. Në atë kohë Solomoni dhe e gjithë bashkësia e madhe e izraelitëve, që kishin ardhur nga Lebo Hamati e deri nga përroi i Egjiptit, bënë një festë para ZOTIT, Perëndisë tonë. Kremtimet zgjatën shtatë ditë. Ditën e tetë mbreti e la popullin të shkonte. Izraelitët e bekuan mbretin dhe u kthyen nëpër tendat e veta të kënaqur e me gëzim në zemër për të gjitha të mirat që ZOTI i kishte dhënë shërbëtorit të tij, Davidit, dhe Izraelit, popullit të vet.

1 i Mbretërve 8:22-66 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj Salomoni u vendos para altarit të Zotit, përballë tërë asamblesë së Izraelit, shtriu duart në drejtim të qiellit dhe tha: "O Zot, Perëndia i Izraelit, nuk ka asnjë Perëndi të ngjashëm me ty as atje lart në qiell, as këtu poshtë në tokë! Ti e ruan besëlidhjen dhe tregohesh shpirtmadh me shërbëtorët e tu që ecin para teje me gjithë zemër. Ndaj shërbëtorit tënd David, atit tim, ti mbajte atë që i kishe premtuar; po, sot ke kryer me dorën tënde atë që kishe premtuar me gojën tënde. Tani, pra, o Zot, Perëndi i Izraelit, mbaje premtimin që i kishe bërë Davidit, atit tim, duke thënë: "Ty nuk do të të mungojë asnjëri nga ata që ulen para teje mbi fronin e Izraelit nëse bijtë e tu do të kenë kujdes sjelljen e tyre dhe të ecin para meje si ke ecur ti". Prandaj të lutem tani, o Perëndi i Izraelit, të plotësosh fjalën që i ke thënë shërbëtorit tënd David, atit tim! Po a është e vërtetë që Perëndia banon mbi tokë? Ja, qiejt dhe qiejt e qiejve nuk mund të të nxënë dhe aq më pak ky tempull që kam ndërtuar! Megjithatë o Zot, Perëndia im, dëgjo me vëmendje lutjen e shërbëtorit tënde dhe kërkesën e tij, duke dëgjuar thirrjen dhe lutjen që shërbëtori yt larton sot para teje. Sytë e tu u drejtofshin natë e ditë në këtë tempull, drejt vendit për të cilin ke thënë: "Aty do të jetë emri im", për të dëgjuar lutjen që shërbëtori yt do të të bëjë duke t'u drejtuar nga ky vend. Dëgjo lutjen e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd të Izraelit kur do të të luten duke t'u drejtuar nga ky vend. Dëgjo nga vendi ku ti banon në qiejt; dëgjo dhe fal. Në qoftë se dikush mëkaton kundër të afërmit të tij dhe, duke qenë i detyruar të betohet, vjen të betohet para altarit tënd në këtë tempull, ti dëgjoje nga qielli, ndërhy dhe gjyko shërbëtorët e tu; dëno fajtorin, duke bërë që të bjerë mbi kokën e tij sjellja e tij dhe shpalle të drejtë të pafajshmin duke i dhënë atë që i takon sipas së drejtës së tij. Kur populli yt i Izraelit do të mundet para armikut sepse ka mëkatuar kundër teje, në rast se kthehet te ti dhe lavdëron emrin tënd, në rast se të lutet dhe të përgjërohet në këtë tempull, ti dëgjoje nga qielli dhe fale mëkatin e popullit tënd të Izraelit, dhe ktheje në vendin që u ke dhënë etërve të tyre. Kur qielli do të mbyllet dhe nuk do të ketë më shi sepse kanë mëkatuar kundër teje, në qoftë se luten duke t'u drejtuar nga ky vend, në qoftë se lavdërojnë emrin tënd dhe heqin dorë nga mëkati i tyre sepse i ke dëshpëruar shumë, ti dëgjoji nga qielli, fale mëkatin e shërbëtorëve të tu dhe të popullit tënd të Izraelit, duke u treguar rrugën e mirë nëpër të cilën duhet të ecin, dhe dërgo shiun mbi tokën që i ke dhënë si trashëgimi popullit tënd. Kur vendi të preket nga zia e bukës ose murtaja, nga ndryshku apo nga bloza, nga një dyndje karkalecash dhe krimbash, kur armiku ta rrethojë popullin tënd në vendin e qyteteve të tua, kur të shpërthejë një fatkeqësi apo një epidemi çfarëdo, çdo lutje, çdo kërkesë që do të të drejtohet nga çfarëdo personi apo nga tërë populli yt i Izraelit, kur secili të ketë pranuar plagën e zemrës së tij dhe të ketë shtrirë duart në drejtim të këtij tempulli, ti dëgjoje nga qielli, nga vendbanimi yt, dhe fal, ndërhy dhe jepi secilit sipas sjelljes së tij, ti që njeh zemrën e secilit; (në të vërtetë vetëm ti ua njeh zemrën gjithë bijve të njerëzve), me qëllim që ata të kenë frikë prej teje tërë kohën që do të jetojnë në vendin që u ke dhënë etërve tanë. Edhe i huaji, që nuk i përket popullit tënd të Izraelit, kur të vijë nga një vend i largët për shkak të emrit tënd, (sepse do të dëgjohet të flitet për emrin tënd të madh, për dorën tënde të fuqishme dhe për krahun tënd të shtrirë) kur të vijë të të lutet duke t'u drejtuar nga ky tempull, ti dëgjo nga qielli, nga vendbanimi yt, dhe jepi të huajit tërë ato që kërkon, me qëllim që tërë popujt e dheut të njohin emrin tënd dhe kështu të kenë frikë prej teje, ashtu siç bën populli yt i Izraelit, dhe të dinë që emri yt përmendet në këtë tempull që kam ndërtuar. Kur populli yt të dalë në luftë kundër armikut të tij, duke ndjekur rrugën që i tregove, në rast se i luten Zotit dhe duke iu drejtuar qytetit të zgjedhur prej teje dhe tempullit që ndërtova në emrin tënd, dëgjo nga qielli lutjen dhe kërkesën e tyre dhe përkrahe çështjen e tyre. Kur të mëkatojnë kundër teje (sepse nuk ka njeri që nuk mëkaton) dhe ti, i zemëruar me ta, do t'i braktisësh në dorë të armikut dhe ai do t'i shpërngulë në vendin e tij, afër apo larg, në rast se në vendin ku janë shpërngulur vijnë në vete, në rast se kthehen te ti dhe të luten nga vendi ku i kanë prurë si robër dhe thonë: "Kemi mëkatuar, kemi vepruar në mënyrë të padrejtë, kemi bërë të keqen", në rast se kthehen nga ana jote me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt në vendin e armiqve që i kanë shpërngulur dhe të luten duke u kthyer nga vendi që ti u ke dhënë etërve të tyre, nga qyteti që ti ke zgjedhur dhe nga tempulli që unë kam ndërtuar në emrin tënd, ti dëgjo nga qielli, nga vendbanimi yt, lutjen dhe kërkesën e tyre dhe përkrahe çështjen e tyre, dhe fale popullin tënd që ka mëkatuar kundër teje për të gjitha shkeljet që ka bërë kundër teje dhe bëj që të gjejnë mëshirë pranë atyre që i kanë shpërngulur, me qëllim që këta të fundit të tregohen të mëshirshëm me ta, (sepse ata janë populli yt dhe trashëgimia jote, ata që nxore nga Egjipti, nga një furrë hekuri). Mbaji sytë e hapur ndaj lutjes së shërbëtorit tënd dhe lutjes së popullit tënd të Izraelit, në mënyrë që të plotësosh tërësisht gjithë ato që të kërkojnë, sepse ti i ke veçuar nga të gjithë popujt e tokës që të jenë trashëgimia jote, sipas atyre që ke shpallur me anë të shërbëtorit tënd Moisi, ku nxore nga Egjipti etërit tanë, o Zot, o Zot!". Kur Salomoni mbaroi së drejtuari Zotit tërë këtë lutje dhe kërkesë, ai u ngrit para altarit të Zotit ku ishte gjunjëzuar me duart e shtrira në drejtim të qiellit. Pastaj u ngrit dhe bekoi tërë asamblenë e Izraelit me zë të lartë, duke thënë: "I bekuar qoftë Zoti, që i dha paqe popullit të Izraelit, sipas gjithë atyre premtimeve që kishte bërë; as edhe një fjalë e vetme nuk mbeti pa u zbatuar nga të gjitha premtimet e bëra prej tij me anë të shërbëtorit të tij Moisi. Zoti, Perëndia ynë, qoftë me ne ashtu siç ka qenë me etërit tanë; mos na lëntë dhe mos na braktistë, por t'i kthejë zemrat tona nga ai, me qëllim që ne të ecim në të gjitha rrugët e tij dhe t'u bindeni urdhërimet e tij, statutet e tij dhe dekretet e tij që u ka parashtruar etërve tanë. Këto fjalë, që i kam drejtuar si lutje Zotit, mbetshin pranë Zotit, Perëndisë tonë, ditë e natë, me qëllim që Ai të përkrahë çështjen e shërbëtorit të tij dhe çështjen e popullit të tij, sipas nevojës së përditshme, me qëllim që tërë popujt e dheut të pranojnë që Zoti është Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër veç tij. Le të jetë, pra, zemra juaj e dhënë plotësisht Zotit, Perëndisë tonë, për të ndjekur statutet e tij dhe për të respektuar urdhërimet e tij, si po bëni sot!". Pastaj mbreti dhe tërë Izraeli bashkë me të ofruan flijime përpara Zotit. Salomoni flijoi si flijim falënderimi, që ai i ofroi Zotit, njëzet e dy mijë lopë dhe njëqind e njëzet mijë dele. Kështu mbreti dhe tërë bijtë e Izraelit ia kushtuan shtëpinë e Zotit. Po atë ditë mbreti shenjtëroi pjesën qendrore të oborrit, që ndodhet përpara shtëpisë të Zotit; në fakt atje ai ofroi holokauste, blatimet ushqimore dhe dhjamin e flijimeve të falënderimit, sepse altari prej bronzi, që ndodhet përpara Zotit, ishte tepër i vogël për të nxënë holokaustet, blatimet e ushqimit dhe dhjamin e flijimeve të falënderimit. Në atë kohë Salomoni kremtoi një festë përpara Zotit, Perëndisë tonë, dhe tërë Izraeli qe bashkë me të. Me të u bashkua një kuvend i madh njerëzish, të ardhur nga rrethet e Hamathit deri në përruan e Egjiptit, për shtatë ditë dhe për shtatë ditë të tjera, gjithsej për katërmbëdhjetë ditë. Ditën e tetë ai e shpërndau popullin, dhe ata që ishin mbledhur e bekuan mbretin dhe u kthyen në çadrat e tyre të gëzuar dhe me zemër të kënaqur për tërë të mirat që Zoti u kishte bërë shërbëtorit të tij David dhe Izraelit, popullit të tij.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë