Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Mbretërve 8:22-43

1 i Mbretërve 8:22-43 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Atëherë Solomoni qëndroi përpara altarit të ZOTIT në prani të mbarë bashkësisë së Izraelit, ngriti duart drejt qiellit, e tha: «O ZOT, Perëndi i Izraelit, nuk ka tjetër perëndi si ti as lart në qiell e as poshtë në tokë, ti që i qëndron besnik besëlidhjes që ke bërë me shërbëtorët e tu, kur ata ecin para teje me gjithë zemër, ti që i mbajte premtimet që i bëre shërbëtorit tënd, Davidit, atit tim. Ato që premtove me gojën tënde, i përmbushe me dorën tënde, e ashtu po bën edhe sot. E tani, o ZOT, Perëndi i Izraelit, mbaje premtimin që i bëre shërbëtorit tënd, Davidit, atit tim, kur i the: “Nuk do t'ua heq pasardhësve të tu fronin e Izraelit, vetëm nëse ata do të kenë kujdes të ecin para meje ashtu si ti”. Prandaj, o Perëndi i Izraelit, le të plotësohet premtimi që i bëre shërbëtorit tënd, Davidit, atit tim. Por, a mund të banosh vërtet mbi tokë, o Perëndi? Ja, ty nuk të nxënë as qiejt e qiejve e aq më pak ky tempull që ta ndërtova unë! Vëri, pra, vesh lutjes së shërbëtorit tënd e përgjërimit të tij, o ZOT, Perëndia im! Dëgjoje thirrjen e lutjen që shërbëtori yt po të drejton sot! Sytë e tu qëndrofshin hapur e pafshin nga ky tempull natë e ditë, nga ky vend për të cilin the: “Aty do të jetë emri im!”. Dëgjoje lutjen që shërbëtori yt po të drejton prej këtij vendi! Dëgjoje përgjërimin e shërbëtorit tënd e të popullit tënd, Izraelit, sa herë që të lutet drejt këtij vendi! Dëgjoje prej vendit ku banon në qiej! Dëgjona e përdëllena! Kur dikush mëkaton kundër të afërtit e i kërkohet të betohet për pafajësinë e tij dhe ai vjen për t'u betuar përpara altarit tënd në këtë tempull, dëgjoje prej qiellit, vepro dhe gjykoji shërbëtorët e tu. Dënoje të paudhin, që e keqja t'i bjerë mbi kokë vetë atij, shpalle të pafajshëm të pafajshmin dhe shpërbleje sipas drejtësisë së tij. Kur Izraeli, populli yt, të mposhtet para armikut, për shkak se do të ketë mëkatuar kundër teje, por më pas kthehet te ti, duke përlëvduar emrin tënd, duke t'u lutur e duke t'u përgjëruar në këtë tempull, dëgjoje prej qiellit, falja mëkatin e ktheje në vendin që u ke dhënë paraardhësve të tij. Kur të ndryhet qielli e të mos bjerë më shi, për shkak se izraelitët do të kenë mëkatuar kundër teje, por më pas luten drejt këtij vendi, duke përlëvduar emrin tënd e duke u penduar për mëkatet e tyre, për shkak të ndëshkimit tënd, dëgjoji prej qiellit e fale mëkatin e shërbëtorëve të tu dhe të popullit tënd, Izraelit, mësoju udhën e së mirës, nëpër të cilën duhet të ecin, dhe jepi shi tokës sate, tokës që ia dhe për trashëgim popullit tënd. Nëse vendin e godet zia e bukës apo murtaja, nëse e ha vrugu, myku, karkaleci apo vemja, nëse e rrethon armiku nga të gjitha anët, nëse mbi të bien çfarëdolloj plagësh e sëmundjesh, dhe nëse çdo njeri apo mbarë populli yt, Izraeli, të lutet e të përgjërohet, duke lartësuar duart drejt këtij tempulli, për shkak të plagës që ka në zemër, dëgjoje prej qiellit, prej vendit ku banon, fal, vepro e jepi secilit sipas sjelljes së tij, se ti ia njeh zemrën dhe vetëm ti e njeh zemrën e çdo njeriu. Kështu, ty do të të druajnë të gjithë sa të jenë gjallë mbi tokën që u dhe paraardhësve të tyre. Edhe i huaji, që nuk i përket popullit tënd, Izraelit, nëse vjen nga një vend i largët për hir të emrit tënd, që të lutet drejt këtij tempulli, për shkak se ka dëgjuar për emrin tënd të madhërishëm, për dorën tënde të fuqishme e për krahun tënd të gjithëpushtetshëm, dëgjoje prej qiellit, prej vendit ku banon dhe plotësoja të gjitha kërkesat që të bën. Kështu, të gjithë popujt e botës do ta njohin emrin tënd, do të të druajnë, siç të druan populli yt Izrael, dhe do ta dinë se emri yt thirret në këtë tempull që të ndërtova unë.

1 i Mbretërve 8:22-43 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj Salomoni u vendos para altarit të Zotit, përballë tërë asamblesë së Izraelit, shtriu duart në drejtim të qiellit dhe tha: "O Zot, Perëndia i Izraelit, nuk ka asnjë Perëndi të ngjashëm me ty as atje lart në qiell, as këtu poshtë në tokë! Ti e ruan besëlidhjen dhe tregohesh shpirtmadh me shërbëtorët e tu që ecin para teje me gjithë zemër. Ndaj shërbëtorit tënd David, atit tim, ti mbajte atë që i kishe premtuar; po, sot ke kryer me dorën tënde atë që kishe premtuar me gojën tënde. Tani, pra, o Zot, Perëndi i Izraelit, mbaje premtimin që i kishe bërë Davidit, atit tim, duke thënë: "Ty nuk do të të mungojë asnjëri nga ata që ulen para teje mbi fronin e Izraelit nëse bijtë e tu do të kenë kujdes sjelljen e tyre dhe të ecin para meje si ke ecur ti". Prandaj të lutem tani, o Perëndi i Izraelit, të plotësosh fjalën që i ke thënë shërbëtorit tënd David, atit tim! Po a është e vërtetë që Perëndia banon mbi tokë? Ja, qiejt dhe qiejt e qiejve nuk mund të të nxënë dhe aq më pak ky tempull që kam ndërtuar! Megjithatë o Zot, Perëndia im, dëgjo me vëmendje lutjen e shërbëtorit tënde dhe kërkesën e tij, duke dëgjuar thirrjen dhe lutjen që shërbëtori yt larton sot para teje. Sytë e tu u drejtofshin natë e ditë në këtë tempull, drejt vendit për të cilin ke thënë: "Aty do të jetë emri im", për të dëgjuar lutjen që shërbëtori yt do të të bëjë duke t'u drejtuar nga ky vend. Dëgjo lutjen e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd të Izraelit kur do të të luten duke t'u drejtuar nga ky vend. Dëgjo nga vendi ku ti banon në qiejt; dëgjo dhe fal. Në qoftë se dikush mëkaton kundër të afërmit të tij dhe, duke qenë i detyruar të betohet, vjen të betohet para altarit tënd në këtë tempull, ti dëgjoje nga qielli, ndërhy dhe gjyko shërbëtorët e tu; dëno fajtorin, duke bërë që të bjerë mbi kokën e tij sjellja e tij dhe shpalle të drejtë të pafajshmin duke i dhënë atë që i takon sipas së drejtës së tij. Kur populli yt i Izraelit do të mundet para armikut sepse ka mëkatuar kundër teje, në rast se kthehet te ti dhe lavdëron emrin tënd, në rast se të lutet dhe të përgjërohet në këtë tempull, ti dëgjoje nga qielli dhe fale mëkatin e popullit tënd të Izraelit, dhe ktheje në vendin që u ke dhënë etërve të tyre. Kur qielli do të mbyllet dhe nuk do të ketë më shi sepse kanë mëkatuar kundër teje, në qoftë se luten duke t'u drejtuar nga ky vend, në qoftë se lavdërojnë emrin tënd dhe heqin dorë nga mëkati i tyre sepse i ke dëshpëruar shumë, ti dëgjoji nga qielli, fale mëkatin e shërbëtorëve të tu dhe të popullit tënd të Izraelit, duke u treguar rrugën e mirë nëpër të cilën duhet të ecin, dhe dërgo shiun mbi tokën që i ke dhënë si trashëgimi popullit tënd. Kur vendi të preket nga zia e bukës ose murtaja, nga ndryshku apo nga bloza, nga një dyndje karkalecash dhe krimbash, kur armiku ta rrethojë popullin tënd në vendin e qyteteve të tua, kur të shpërthejë një fatkeqësi apo një epidemi çfarëdo, çdo lutje, çdo kërkesë që do të të drejtohet nga çfarëdo personi apo nga tërë populli yt i Izraelit, kur secili të ketë pranuar plagën e zemrës së tij dhe të ketë shtrirë duart në drejtim të këtij tempulli, ti dëgjoje nga qielli, nga vendbanimi yt, dhe fal, ndërhy dhe jepi secilit sipas sjelljes së tij, ti që njeh zemrën e secilit; (në të vërtetë vetëm ti ua njeh zemrën gjithë bijve të njerëzve), me qëllim që ata të kenë frikë prej teje tërë kohën që do të jetojnë në vendin që u ke dhënë etërve tanë. Edhe i huaji, që nuk i përket popullit tënd të Izraelit, kur të vijë nga një vend i largët për shkak të emrit tënd, (sepse do të dëgjohet të flitet për emrin tënd të madh, për dorën tënde të fuqishme dhe për krahun tënd të shtrirë) kur të vijë të të lutet duke t'u drejtuar nga ky tempull, ti dëgjo nga qielli, nga vendbanimi yt, dhe jepi të huajit tërë ato që kërkon, me qëllim që tërë popujt e dheut të njohin emrin tënd dhe kështu të kenë frikë prej teje, ashtu siç bën populli yt i Izraelit, dhe të dinë që emri yt përmendet në këtë tempull që kam ndërtuar.