1 i Mbretërve 21:1-29
1 i Mbretërve 21:1-29 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pas këtyre ngjarjeve ndodhi kështu: Nabot Izreliti kishte një vresht në Izrel, pranë pallatit mbretëror të Ahabit, mbretit të Samarisë. Ahabi i tha Nabotit: «Ma jep mua vreshtin për pronë, që ta bëj kopsht perimesh, sepse e kam pranë shtëpisë. Në këmbim të jap një vresht më të mirë, ose, po të duash, të jap aq para sa vlen». Naboti i tha Ahabit: «Mos e dhëntë ZOTI të të jap trashëgiminë e të parëve të mi!». Ahabi u kthye në shtëpi i pikëlluar e i zemëruar nga fjalët e Nabot Izrelitit, që i kishte thënë se nuk do t'ia jepte trashëgiminë e të parëve. Ahabi ra në shtrat, u kthye nga muri dhe nuk hëngri as bukë. Atëherë Izebela, e shoqja, shkoi tek ai dhe e pyeti: «Përse je kaq i pikëlluar e nuk ha bukë?». Ahabi i tha: «Fola me Nabot Izrelitin dhe i kërkova vreshtin për t'ia blerë me para, ose t'ia këmbeja me një vresht tjetër, po të donte, por ai më tha se nuk donte të ma jepte vreshtin». Izebela, e shoqja, i tha: «Ç'bën kështu? A nuk je mbreti i Izraelit? Ngrihu e ha dhe mos të të pikëllohet zemra. Vreshtin e Nabot Izrelitit do të ta jap unë». Izebela shkroi disa letra në emër të Ahabit, i vulosi me vulën e tij dhe ia nisi pleqësisë dhe fisnikëve të qytetit ku banonte Naboti. Ajo shkroi: «Shpallni një agjërim dhe caktoni Nabotin t'i prijë popullit. I vini përballë dy njerëz të poshtër të dëshmojnë kundër tij e të thonë se Naboti ka mallkuar Perëndinë dhe mbretin. Mandej nxirreni jashtë qytetit dhe vriteni me gurë». Pleqësia, fisnikët dhe banorët e qytetit, ku banonte Naboti, bënë siç i kishte urdhëruar Izebela dhe siç ishte shkruar në letrat që kishte dërguar ajo. Shpallën agjërimin dhe caktuan Nabotin në krye të popullit. Dy njerëz të poshtër erdhën dhe u ulën përballë tij. Ata dëshmuan kundër tij para popullit e thanë: «Naboti ka mallkuar Perëndinë dhe mbretin». Atëherë e nxorën Nabotin nga qyteti dhe e vranë me gurë. Mandej i dërguan fjalë Izebelës dhe i thanë se Naboti ishte vrarë me gurë dhe kishte vdekur. Kur Izebela mori lajmin e vrasjes me gurë të Nabotit, i tha Ahabit: «Shko e merre për pronë vreshtin e Nabot Izrelitit, i cili nuk donte të ta shiste. Naboti nuk është më gjallë, vdiq». Kur Ahabi dëgjoi se Naboti kishte vdekur, u ngrit, shkoi te vreshti i Nabot Izrelitit dhe e mori në pronësi. Ndërkohë fjala e ZOTIT iu drejtua Eli Tishbitit e i tha: «Ngrihu e shko në Samari të takosh Ahabin, mbretin e Izraelit. Ja, do ta gjesh te vreshti i Nabotit, që Ahabi ka shkuar ta marrë në pronësi. Do të flasësh me të e do t'i thuash: “Kështu thotë ZOTI: vrave e tani po plaçkit?”. Mandej thuaji: “Kështu thotë ZOTI: në vendin ku qentë lëpinë gjakun e Nabotit, do të lëpijnë edhe gjakun tënd”». Ahabi i tha Elisë: «Më gjete, o armiku im?». Elia i tha: «Të gjeta, sepse shite shpirtin për të bërë ligësi në sytë e ZOTIT. Do të sjell fatkeqësi mbi ty dhe do t'i zhduk e do t'i shfaros të gjithë meshkujt e shtëpisë së Ahabit në Izrael, skllevër apo të lirë. Do ta bëj shtëpinë tënde si shtëpinë e Jeroboamit, birit të Nebatit, dhe si shtëpinë e Bashait, birit të Ahijahut, sepse ke shkaktuar zemërim e ke shtyrë në mëkat Izraelin. Sa për Izebelën, qentë do ta hanë trupin e saj në fushat e Izrelit, thotë ZOTI. Qentë do t'i hanë ata të shtëpisë së Ahabit, që do të vdesin në qytet, dhe grabitqarët e qiellit ata që do të vdesin nëpër ara». Në të vërtetë, para Ahabit askush nuk e kishte shitur shpirtin si ai, për të bërë çka është keq në sytë e ZOTIT, por e nxiti Izebela, gruaja e tij. Ahabi bëri gjëra shumë të pështira dhe u dha pas idhujve, ashtu siç kishin bërë amoritët, që ZOTI kishte dëbuar para syve të izraelitëve. Kur dëgjoi fjalët e Elisë, Ahabi shqeu rrobat, u vesh me grathore dhe agjëroi. Flinte i veshur me grathore dhe ecte kokulur. Atëherë fjala e ZOTIT iu drejtua Eli Tishbitit e i tha: «A e ke parë sa është përulur Ahabi para meje? Për hir të përuljes së tij para meje, nuk do ta dërgoj fatkeqësinë mbi shtëpinë e tij sa të jetë ai gjallë, por do ta sjell gjatë mbretërimit të të birit».
1 i Mbretërve 21:1-29 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Mbas këtyre ngjarjeve, ndodhi që Nabothi i Jezreelit kishte një vresht në Jezreel, afër pallatit të Ashabit, mbretit të Samarisë. Kështu Ashabi i foli Nabothit dhe i tha: "Më jep vreshtin që ta bëj kopsht perimesh, sepse ndodhet afër shtëpisë sime. Në këmbim do të jap një vresht më të mirë ose, po të të pëlqejë më tepër, barasvlerën në të holla". Por Nabothi iu përgjigj Ashabit: "Të më ruajë Zoti të të lë trashëgiminë e etërve të mi!". Prandaj Ashabi u kthye në shtëpi i trishtuar dhe i zemëruar për përgjigjen që Nabothi i Jezreelit i kishte dhënë: "Nuk do të jap trashëgiminë e etërve të mi!". Ra mbi shtratin e tij, ktheu kokën mënjanë dhe nuk deshi të hante. Atëherë Jezebeli, bashkëshortja e tij, iu afrua dhe i tha: "Pse e ke frymën kaq të trishtuar dhe nuk ha?". Ai iu përgjigj: "Sepse fola me Nabothin e Jezreelit dhe i thashë: "Më jep me para vreshtin tënd ose, po të të pëlqejë më shumë, të të jap një vresht tjetër si këmbim". Por ai m'u përgjigj: "Nuk do të të jap vreshtin tim!"". Atëherë gruaja e tij Jezebel i tha: "A nuk je ti që mbretëron tani mbi Izrael? Çohu, ha dhe zemra jote të gëzohet; vreshtin e Nabothit në Jezreel do të ta jap unë". Kështu ajo shkroi disa letra në emër të Ashabit, i vulosi me vulën e këtij dhe ua dërgoi pleqve dhe parisë që banonin në po atë qytet me Nabothin. Në letrat ajo shkruante kështu: "Shpallni agjërimin dhe e ulni Nabothin në rreshtin e parë përpara popullit; i vini përballë dy njerëzve të poshtër që të deponojnë kundër tij, duke thënë: "Ti ke blasfemuar Perëndinë dhe mbretin"; pastaj çojeni jashtë, goditeni me gurë dhe kështu të vdesë". Njerëzit e qytetit të Nabothit, pleqtë dhe paria që banonin në qytetin e tij vepruan ashtu si Jezebeli kishte dërguar t'u thoshte, siç ishte shkruar në letrat që u kishte drejtuar. Shpallën agjërimin dhe e ulën Nabothin përpara popullit. Pastaj erdhën dy njerëz të poshtër që u ulën përballë tij; dhe këta dy të poshtër deponuan kundër Nabothit përpara popullit, duke thënë: "Nabothi ka mallkuar Perëndinë dhe mbretin". Pastaj e çuan jashtë qytetit dhe e vranë me gurë; kështu ai vdiq. Pas kësaj i çuan fjalë Jezebelit: "Nabothi u vra me gurë dhe vdiq". Kur Jezebeli mësoi që Nabothi ishte vrarë me gurë dhe kishte vdekur, i tha Ashabit: "Çohu dhe shtjere në dorë vreshtin e Nabothit në Jezreel, që ai nuk pranoi të të japë me para, sepse Nabothi nuk jeton më, por ka vdekur". Me të dëgjuar Ashabi që Nabothi kishte vdekur, u ngrit dhe u nis për të shtënë në dorë vreshtin e Nabothit në Jezreel. Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Elias, tishbitit, me këto fjalë, duke i thënë: "Çohu dhe dil para Ashabit, mbretit të Izraelit, që banon në Samari; Ja, ai është në vreshtin e Nabothit, ku ka shkuar për ta shtënë në dorë. Do t'i flasësh kështu: Kështu thotë Zoti: "Në fillim vrave një njeri dhe pastaj i rrëmbeve pronën". Pastaj t'i thuash: Kështu thotë Zoti: "Po në atë vend ku qentë kanë lëpirë gjakun e Nabothit, ata kanë për të lëpirë edhe gjakun tënd"". Ashabi i tha Elias: "Më gjete pra, o armiku im?". Elia u përgjigj: "Po, të gjeta, sepse je shitur për të bërë atë që është e keqe në sytë e Zotit. Ja, unë do të sjell mbi ty fatkeqësinë, do t'i zhduk tërë pasardhësit e tu dhe do të shfaros nga shtëpia e Ashabit çdo mashkull, skllav apo i lirë në Izrael. Do ta bëj shtëpinë tënde si shtëpinë e Jeroboamit, birit të Nabatit, dhe si shtëpinë e Baashas, birit të Ahijahut, sepse ti ke nxitur zemërimin tim dhe e ke bërë Izraelin të mëkatojë. Edhe për sa i përket Jezebelit, Zoti flet dhe thotë: "Qentë do ta hanë Jezebelin poshtë mureve të Jezreelit". Ata të Ashabit që do të vdesin në qytet do t'i hanë qentë, ata që do të vdesin përkundrazi në ara do t'i hanë shpendët e qiellit". Në të vërtetë nuk pati kurrë ndonjë njeri që u shit për të bërë atë që është e keqe në sytë e Zotit si Ashabi, sepse ishte i shtyrë nga gruaja e tij Jezebeli. Ai u soll në mënyrë të neveritshme duke u dhënë pas idhujve, ashtu si kishin bërë amorenjtë që Zoti i kishte dëbuar përpara bijve të Izraelit. Kur Ashabi dëgjoi këto fjalë, grisi rrobat e tij, e mbuloi trupin me një thes dhe agjëroi; binte në shtrat i mbështjellë me thesin dhe ecte si i përvuajtur. Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Elias, tishbitit, duke i thënë: "A e pe si u poshtërua Ashabi para meje? Duke qenë se u poshtërua para meje, unë nuk do ta godas me fatkeqësinë sa është i gjallë, por do të dërgoj fatkeqësinë mbi shtëpinë e tij gjatë jetës së birit të tij".