1 i Mbretërve 19:14-21
1 i Mbretërve 19:14-21 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Elia u përgjigj: «Të jam përkushtuar me shumë zell, o ZOT, Perëndi i ushtrive, por izraelitët e kanë shkelur besëlidhjen tënde, kanë shkatërruar altarët e tu dhe i kanë vrarë me shpatë profetët e tu. Kam ngelur vetëm unë dhe po kërkojnë të ma marrin jetën edhe mua». ZOTI i tha: «Ngrihu, merre përsëri rrugën e kthimit nëpër shkretëtirë e shko në Damask. Atje do të vajosësh Hazaelin si mbret të Aramit. Jehun, birin e Nimshit, vajose si mbret të Izraelit, ndërsa Eliseun, birin e Shafatit nga Abel Meholahu, vajose si profet në vendin tënd. Kush do t'i shpëtojë shpatës së Hazaelit do të vritet nga Jehu dhe kush do t'i shpëtojë shpatës së Jehut do të vritet nga Eliseu. Në Izrael do të lë gjallë shtatë mijë vetë, ata, gjunjët e të cilëve nuk u përkulën para Baalit dhe goja e të cilëve nuk e puthi». Elia u largua prej andej dhe gjeti Eliseun, birin e Shafatit, tek lëronte arat me dymbëdhjetë pendë qe. Eliseu ishte te penda e dymbëdhjetë. Elia iu afrua dhe i hodhi Eliseut gunën e vet përsipër. Eliseu i la menjëherë qetë, vrapoi pas Elisë e i tha: «Më lejo të përshëndetem me tim atë e time më, para se të vij pas teje». Elia i tha: «Shko e kthehu. Mos të pengova gjë unë?». Eliseu u kthye pas, mori një pendë qe dhe i kushtoi si fli. Me veglat e lërimit zieu mishin e ua dha njerëzve të hanin. Mandej u çua dhe shkoi pas Elisë e u vu në shërbim të tij.
1 i Mbretërve 19:14-21 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ai u përgjigj: "U nxita nga një zili e madhe për Zotin, për Perëndinë e ushtrive, sepse bijtë e Izraelit kanë braktisur besëlidhjen tënde, kanë prishur altarët dhe kanë vrarë me shpatë profetët e tu. Kam mbetur vetëm unë dhe ata përpiqen të më vrasin". Zoti i tha: "Shko, merr përsëri rrugën e kthimit deri në shkretëtirën e Damaskut; kur të arrish aty, do ta vajosësh Hazaelin mbret të Sirisë. Do të vajosësh gjithashtu Jehun, birin e Nimshit, mbret të Izraelit; do të vajosësh pastaj Eliseun, birin e Shafatit nga Abel-Melohahu, si profet në vendin tënd. Kështu që ai që do të shpëtojë nga shpata e Hazaelit, do të vritet nga Jehu; dhe ai që do të shpëtojë nga shpata e Jehut, do të vritet nga Eliseu. Por kam lënë në Izrael një tepricë prej shtatë mijë njerëzish; të gjithë nuk janë gjunjëzuar përpara Baalit dhe nuk e kanë puthur me buzët e tyre". Elia u nis që andej dhe gjeti Eliseun, birin e Shafatit, ndërsa lëronte me dymbëdhjetë pendë qe para tij, dhe ai vetë gjendej me pendën e dymbëdhjetë. Elia i kaloi afër dhe i hodhi sipër mantelin e tij. Atëherë Eliseu la qetë dhe vrapoi pas Elias, duke thënë: "Të lutem, më lër të shkoj të puth atin tim dhe nënën time, pastaj do të të ndjek". Elia iu përgjigj: "Shko dhe kthehu, sepse ç'të kam bërë?". Me t'u larguar nga ai, Eliseu mori një pendë qe dhe i ofroi si flijim; me veglat e qeve poqi mishin dhe ua dhe njerëzve, që e hëngrën. Pastaj u ngrit, shkoi pas Elias dhe u vu në shërbim të tij.