Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Mbretërve 19:11-18

1 i Mbretërve 19:11-18 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Zoti i tha: «Dil nga shpella e qëndro në mal në prani të ZOTIT». E, ja, po kalonte ZOTI. Para se të kalonte ZOTI, fryu një erë e furishme dhe e fortë që çante malin e thërrmonte shkëmbinjtë, por ZOTI nuk ishte në erë. Pas erës, ra tërmet, por ZOTI nuk ishte as në tërmet. Pas tërmetit, shpërtheu zjarri, por ZOTI nuk ishte as në zjarr. Pas zjarrit, u dëgjua fërfërima e një puhize të lehtë. Kur dëgjoi fërfërimën, Elia mbuloi fytyrën me gunë, doli jashtë dhe qëndroi te hyrja e shpellës. Papritur, një zë i tha: «Ç'bën këtu, Eli?». Elia u përgjigj: «Të jam përkushtuar me shumë zell, o ZOT, Perëndi i ushtrive, por izraelitët e kanë shkelur besëlidhjen tënde, kanë shkatërruar altarët e tu dhe i kanë vrarë me shpatë profetët e tu. Kam ngelur vetëm unë dhe po kërkojnë të ma marrin jetën edhe mua». ZOTI i tha: «Ngrihu, merre përsëri rrugën e kthimit nëpër shkretëtirë e shko në Damask. Atje do të vajosësh Hazaelin si mbret të Aramit. Jehun, birin e Nimshit, vajose si mbret të Izraelit, ndërsa Eliseun, birin e Shafatit nga Abel Meholahu, vajose si profet në vendin tënd. Kush do t'i shpëtojë shpatës së Hazaelit do të vritet nga Jehu dhe kush do t'i shpëtojë shpatës së Jehut do të vritet nga Eliseu. Në Izrael do të lë gjallë shtatë mijë vetë, ata, gjunjët e të cilëve nuk u përkulën para Baalit dhe goja e të cilëve nuk e puthi».

1 i Mbretërve 19:11-18 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Perëndia i tha: "Dil dhe ndalu mbi malin përpara Zotit". Dhe ja, po kalonte Zoti. Një erë e fortë dhe e furishme çante malet dhe thyente shkëmbinjtë përpara Zotit, por Zoti nuk ishte në erë. Mbas erës ra një tërmet, por Zoti nuk ishte në tërmet. Mbas tërmetit ra një zjarr, por Zoti nuk ishte në zjarr. Mbas zjarrit u dëgjua një zë, si një shushuritje e ëmbël. Sa e dëgjoi këtë, Elia e mbuloi fytyrën me mantelin, doli dhe u ndal në hyrje të shpellës; dhe ja, një zë i tha: Ç'bën aty Elia?". Ai u përgjigj: "U nxita nga një zili e madhe për Zotin, për Perëndinë e ushtrive, sepse bijtë e Izraelit kanë braktisur besëlidhjen tënde, kanë prishur altarët dhe kanë vrarë me shpatë profetët e tu. Kam mbetur vetëm unë dhe ata përpiqen të më vrasin". Zoti i tha: "Shko, merr përsëri rrugën e kthimit deri në shkretëtirën e Damaskut; kur të arrish aty, do ta vajosësh Hazaelin mbret të Sirisë. Do të vajosësh gjithashtu Jehun, birin e Nimshit, mbret të Izraelit; do të vajosësh pastaj Eliseun, birin e Shafatit nga Abel-Melohahu, si profet në vendin tënd. Kështu që ai që do të shpëtojë nga shpata e Hazaelit, do të vritet nga Jehu; dhe ai që do të shpëtojë nga shpata e Jehut, do të vritet nga Eliseu. Por kam lënë në Izrael një tepricë prej shtatë mijë njerëzish; të gjithë nuk janë gjunjëzuar përpara Baalit dhe nuk e kanë puthur me buzët e tyre".