1 i Mbretërve 19:1-8
1 i Mbretërve 19:1-8 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ahabi i tregoi Izebelës për gjithçka që kishte bërë Elia dhe si i kishte vrarë me shpatë të gjithë profetët e Baalit. Atëherë Izebela i dërgoi lajm Elisë e i tha: «Keq e më keq ma bëfshin perënditë nëse nesër në këtë kohë nuk të bëj atë që ti i bëre secilit prej profetëve». Elia u tremb dhe u ngrit të ikte për të shpëtuar jetën. Shkoi në Bershebë të Judës dhe atje la shërbëtorin e tij. Vetë mori rrugën e shkretëtirës dhe udhëtoi një ditë. Pastaj u ndal dhe u ul nën një gjineshtër. I kërkoi Zotit të vdiste e i tha: «Mjaft, o ZOT! Merrma jetën, se nuk jam më i mirë se të parët e mi». Më pas ra e fjeti nën hijen e gjineshtrës. Papritur e preku një engjëll e i tha: «Çohu e ha». Elia u çua të shohë dhe, ja, te koka ishte një kulaç i pjekur në thëngjij dhe një katruve me ujë. Elia hëngri e piu dhe pastaj u shtri sërish. Engjëlli i ZOTIT u kthye përsëri, e preku Elinë e i tha: «Çohu e ha, se ke rrugë të gjatë për të bërë». Elia u çua dhe hëngri e piu. Me forcën që i dha ushqimi, eci dyzet ditë e dyzet net, derisa mbërriti në malin e Perëndisë, në Horeb.
1 i Mbretërve 19:1-8 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ashabi i njoftoi Jezebelit tërë ato gjëra që Elia kishte bërë dhe si kishte vrarë me shpatë tërë profetët. Atëherë Jezebeli i dërgoi një lajmëtar Elias për t'i thënë: "Perënditë të më bëjnë kështu dhe më keq, në rast se nesër në këtë orë nuk do të të kem bërë ty si një nga ata". Kur dëgjoi këto fjalë, Elia u ngrit dhe iku për të shpëtuar. Arriti në Beer-Sheba, që i përket Judës, dhe la aty shërbëtorin e tij. Përkundrazi u fut në shkretëtirë një ditë rrugë, shkoi të ulet poshtë një gjineshtre dhe kërkoi të vdesë, duke thënë: "Tani mjaft, o Zot! Merr jetën time, se unë nuk jam më i mirë se etërit e mi". Pastaj u shtri dhe e zuri gjumi poshtë gjineshtrës, por ja që një engjëll e preku dhe i tha: "Çohu dhe ha". Ai shikoi dhe pa pranë kokës së tij një kulaç të pjekur mbi gurë të nxehtë dhe një enë me ujë. Ai hëngri dhe piu, pastaj përsëri u shtri. Engjëlli i Zotit u kthye për herë të dytë, e preku dhe i tha: "Çohu dhe ha, sepse rruga është tepër e gjatë për ty". Ai u ngrit, hëngri dhe piu; pastaj me forcën që i dha ai ushqim eci dyzet ditë dhe dyzet net derisa arriti në malin e Perëndisë, në Horeb.