Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Mbretërve 19:1-18

1 i Mbretërve 19:1-18 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Ahabi i tregoi Izebelës për gjithçka që kishte bërë Elia dhe si i kishte vrarë me shpatë të gjithë profetët e Baalit. Atëherë Izebela i dërgoi lajm Elisë e i tha: «Keq e më keq ma bëfshin perënditë nëse nesër në këtë kohë nuk të bëj atë që ti i bëre secilit prej profetëve». Elia u tremb dhe u ngrit të ikte për të shpëtuar jetën. Shkoi në Bershebë të Judës dhe atje la shërbëtorin e tij. Vetë mori rrugën e shkretëtirës dhe udhëtoi një ditë. Pastaj u ndal dhe u ul nën një gjineshtër. I kërkoi Zotit të vdiste e i tha: «Mjaft, o ZOT! Merrma jetën, se nuk jam më i mirë se të parët e mi». Më pas ra e fjeti nën hijen e gjineshtrës. Papritur e preku një engjëll e i tha: «Çohu e ha». Elia u çua të shohë dhe, ja, te koka ishte një kulaç i pjekur në thëngjij dhe një katruve me ujë. Elia hëngri e piu dhe pastaj u shtri sërish. Engjëlli i ZOTIT u kthye përsëri, e preku Elinë e i tha: «Çohu e ha, se ke rrugë të gjatë për të bërë». Elia u çua dhe hëngri e piu. Me forcën që i dha ushqimi, eci dyzet ditë e dyzet net, derisa mbërriti në malin e Perëndisë, në Horeb. Kur mbërriti në Horeb, Elia hyri në shpellë dhe atje kaloi natën. Atëherë fjala e ZOTIT iu drejtua e i tha: «Ç'bën këtu, Eli?». Elia u përgjigj: «Të jam përkushtuar me shumë zell, o ZOT, Perëndi i ushtrive, por izraelitët e kanë shkelur besëlidhjen tënde, kanë shkatërruar altarët e tu dhe i kanë vrarë me shpatë profetët e tu. Kam ngelur vetëm unë dhe po kërkojnë të ma marrin jetën edhe mua». Zoti i tha: «Dil nga shpella e qëndro në mal në prani të ZOTIT». E, ja, po kalonte ZOTI. Para se të kalonte ZOTI, fryu një erë e furishme dhe e fortë që çante malin e thërrmonte shkëmbinjtë, por ZOTI nuk ishte në erë. Pas erës, ra tërmet, por ZOTI nuk ishte as në tërmet. Pas tërmetit, shpërtheu zjarri, por ZOTI nuk ishte as në zjarr. Pas zjarrit, u dëgjua fërfërima e një puhize të lehtë. Kur dëgjoi fërfërimën, Elia mbuloi fytyrën me gunë, doli jashtë dhe qëndroi te hyrja e shpellës. Papritur, një zë i tha: «Ç'bën këtu, Eli?». Elia u përgjigj: «Të jam përkushtuar me shumë zell, o ZOT, Perëndi i ushtrive, por izraelitët e kanë shkelur besëlidhjen tënde, kanë shkatërruar altarët e tu dhe i kanë vrarë me shpatë profetët e tu. Kam ngelur vetëm unë dhe po kërkojnë të ma marrin jetën edhe mua». ZOTI i tha: «Ngrihu, merre përsëri rrugën e kthimit nëpër shkretëtirë e shko në Damask. Atje do të vajosësh Hazaelin si mbret të Aramit. Jehun, birin e Nimshit, vajose si mbret të Izraelit, ndërsa Eliseun, birin e Shafatit nga Abel Meholahu, vajose si profet në vendin tënd. Kush do t'i shpëtojë shpatës së Hazaelit do të vritet nga Jehu dhe kush do t'i shpëtojë shpatës së Jehut do të vritet nga Eliseu. Në Izrael do të lë gjallë shtatë mijë vetë, ata, gjunjët e të cilëve nuk u përkulën para Baalit dhe goja e të cilëve nuk e puthi».

1 i Mbretërve 19:1-18 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ashabi i njoftoi Jezebelit tërë ato gjëra që Elia kishte bërë dhe si kishte vrarë me shpatë tërë profetët. Atëherë Jezebeli i dërgoi një lajmëtar Elias për t'i thënë: "Perënditë të më bëjnë kështu dhe më keq, në rast se nesër në këtë orë nuk do të të kem bërë ty si një nga ata". Kur dëgjoi këto fjalë, Elia u ngrit dhe iku për të shpëtuar. Arriti në Beer-Sheba, që i përket Judës, dhe la aty shërbëtorin e tij. Përkundrazi u fut në shkretëtirë një ditë rrugë, shkoi të ulet poshtë një gjineshtre dhe kërkoi të vdesë, duke thënë: "Tani mjaft, o Zot! Merr jetën time, se unë nuk jam më i mirë se etërit e mi". Pastaj u shtri dhe e zuri gjumi poshtë gjineshtrës, por ja që një engjëll e preku dhe i tha: "Çohu dhe ha". Ai shikoi dhe pa pranë kokës së tij një kulaç të pjekur mbi gurë të nxehtë dhe një enë me ujë. Ai hëngri dhe piu, pastaj përsëri u shtri. Engjëlli i Zotit u kthye për herë të dytë, e preku dhe i tha: "Çohu dhe ha, sepse rruga është tepër e gjatë për ty". Ai u ngrit, hëngri dhe piu; pastaj me forcën që i dha ai ushqim eci dyzet ditë dhe dyzet net derisa arriti në malin e Perëndisë, në Horeb. Atje hyri në një shpellë dhe aty kaloi natën. Dhe ja, fjala e Zotit iu drejtua dhe i tha: "Ç'bën këtu Elia?". Ai u përgjigj: "Më nxiti një zili e madhe për Zotin, Perëndinë e ushtrive, sepse bijtë e Izraelit e kanë braktisur besëlidhjen tënde, kanë prishur altarët e tu dhe kanë vrarë me shpatë profetët e tu. Kam mbetur vetëm unë dhe ata kërkojnë të më vrasin". Perëndia i tha: "Dil dhe ndalu mbi malin përpara Zotit". Dhe ja, po kalonte Zoti. Një erë e fortë dhe e furishme çante malet dhe thyente shkëmbinjtë përpara Zotit, por Zoti nuk ishte në erë. Mbas erës ra një tërmet, por Zoti nuk ishte në tërmet. Mbas tërmetit ra një zjarr, por Zoti nuk ishte në zjarr. Mbas zjarrit u dëgjua një zë, si një shushuritje e ëmbël. Sa e dëgjoi këtë, Elia e mbuloi fytyrën me mantelin, doli dhe u ndal në hyrje të shpellës; dhe ja, një zë i tha: Ç'bën aty Elia?". Ai u përgjigj: "U nxita nga një zili e madhe për Zotin, për Perëndinë e ushtrive, sepse bijtë e Izraelit kanë braktisur besëlidhjen tënde, kanë prishur altarët dhe kanë vrarë me shpatë profetët e tu. Kam mbetur vetëm unë dhe ata përpiqen të më vrasin". Zoti i tha: "Shko, merr përsëri rrugën e kthimit deri në shkretëtirën e Damaskut; kur të arrish aty, do ta vajosësh Hazaelin mbret të Sirisë. Do të vajosësh gjithashtu Jehun, birin e Nimshit, mbret të Izraelit; do të vajosësh pastaj Eliseun, birin e Shafatit nga Abel-Melohahu, si profet në vendin tënd. Kështu që ai që do të shpëtojë nga shpata e Hazaelit, do të vritet nga Jehu; dhe ai që do të shpëtojë nga shpata e Jehut, do të vritet nga Eliseu. Por kam lënë në Izrael një tepricë prej shtatë mijë njerëzish; të gjithë nuk janë gjunjëzuar përpara Baalit dhe nuk e kanë puthur me buzët e tyre".

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë