1 i Mbretërve 17:18-24
1 i Mbretërve 17:18-24 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Atëherë vejusha i tha Elisë: «Ç'të kam bërë, o njeri i Perëndisë? Erdhe tek unë, që të më kujtosh paudhësitë e të më marrësh djalin?». Elia i tha: «Ma jep mua djalin». Ia mori djalin nga prehri, e çoi në dhomën e sipërme ku rrinte dhe e vuri mbi shtratin e vet. Atëherë i thirri ZOTIT: «O ZOT, Perëndia im, si ia solle këtë fatkeqësi edhe kësaj vejushe, tek e cila kam bujtur, dhe e le djalin e saj të vdesë?». Pastaj Elia u shtri tri herë mbi djalin dhe i thirri ZOTIT: «O ZOT, Perëndia im, të lutem, ktheja jetën djaloshit». ZOTI ia dëgjoi lutjen Elisë dhe djaloshi u ngjall e u kthye në jetë. Atëherë Elia e mori djaloshin, e zbriti nga dhoma e sipërme e shtëpisë, ia dha së ëmës e i tha: «Ja, djali yt jeton». Vejusha i tha Elisë: «Tani e di se ti je njeri i Perëndisë dhe se goja jote thotë me të vërtetë fjalën e ZOTIT».
1 i Mbretërve 17:18-24 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Atëherë ajo i tha Elias: "Çfarë lidhje kam me ty, o njeri i Perëndisë? Ndofta ke ardhur tek unë për të më kujtuar mëkatin që kam bërë dhe për të vrarë djalin tim?". Ai iu përgjigj: "Më jep djalin tënd". Kështu ia mori nga gjiri i saj, e çoi në dhomën lart dhe e shtriu në shtratin e tij. Pastaj i kërkoi ndihmë Zotit dhe tha: "O Zot, Perëndia im, mos ke goditur me fatkeqësi edhe këtë grua të ve, që më strehon, duke bërë t'i vdesë i biri?". U shtri pastaj tri herë mbi fëmijën dhe kërkoi ndihmën e Zotit, duke thënë: "O Zot, Perëndia im, të lutem bëj që t'i kthehet shpirti kësaj fëmije". Zoti e plotësoi dëshirën e shprehur në zërin e Elias; shpirti i fëmijës u kthye tek ai dhe ai mori jetë përsëri. Atëherë Elia mori fëmijën, e zbriti nga dhoma e sipërme e shtëpisë dhe ia dha nënës së tij, duke i thënë: "Shiko, fëmija jote është gjallë!". Atëherë gruaja i tha Elias: "Tani pranoj që ti je një njeri i Perëndisë dhe që fjala e Zotit në gojën tënde është e vërtetë".