Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Mbretërve 12:25-33

1 i Mbretërve 12:25-33 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Jeroboami fortifikoi Shekemin në malësinë e Efraimit dhe vendosi të banojë atje. Mandej doli prej andej dhe fortifikoi edhe Penuelin. Jeroboami mendoi me vete: «Siç janë gjërat tani, mbretëria ka për t'iu kthyer shtëpisë së Davidit. Nëse ky popull shkon në Jerusalem për të kushtuar fli në tempullin e ZOTIT, zemra e tyre do të kthehet te zotëria i tyre, Rehoboami, mbreti i Judës. Mua kanë për të më vrarë e vetë kanë për t'u kthyer te Rehoboami, mbreti i Judës». Pasi u këshillua, mbreti bëri dy viça prej ari e i tha popullit: «Mos shkoni më në Jerusalem. Ja ku janë perënditë e tu, o Izrael, perënditë që të nxorën nga toka e Egjiptit». Njërin e vuri në Betel e tjetrin në Dan. Kjo e shtyu popullin të mëkatojë, sepse ata shkuan deri në Dan, për të rënë përmbys para një viçi. Jeroboami ndërtoi edhe një tempull në vend të lartë dhe caktoi priftërinj, njerëz nga mbarë populli, që nuk ishin pasardhës të Levit. Ai caktoi edhe një të kremte në ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të tetë, që përkonte me festën që kremtohej në Judë, dhe vetë ai kushtoi fli mbi altar. Kështu veproi Jeroboami në Betel dhe u kushtoi fli viçave që kishte bërë, si edhe caktoi priftërinj për faltoret që kishte ndërtuar në vende të larta. Ai ofroi kusht te altari që kishte bërë në Betel, në ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të tetë, ditë që e kishte ndarë me mendje të vet. Ai e caktoi si të kremte për izraelitët dhe kushtoi temjan mbi altar.

1 i Mbretërve 12:25-33 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj Jeroboami ndërtoi Sikemin në zonën malore të Efraimit dhe u vendos aty; pastaj doli që andej dhe ndërtoi Penuelin. Jeroboami tha në zemër të vet: "Tani mbretëria do t'i kthehet me sa duket shtëpisë së Davidit. Në rast se ky popull shkon në Jeruzalem për të ofruar flijime në shtëpinë e Zotit, zemra e këtij populli do të kthehet përsëri nga zotëria e tij, nga Roboami, mbret i Judës; kështu do të më vrasin dhe do të kthehen nga Roboami, mbret i Judës". Mbasi u këshillua, mbreti bëri dy viça prej ari dhe i tha popullit: "Është shumë për ju të shkoni deri në Jeruzalem! O Izrael, ja ku janë perënditë e tua që të kanë nxjerrë nga vendi i Egjiptit!". Pastaj vendosi njërin prej tyre në Bethel dhe tjetrin në Dan. Ky ishte shkaku i mëkatit, sepse populli shkonte deri në Dan për të rënë përmbys përpara një viçi. Ai ndërtoi edhe tempuj mbi vendet e larta dhe bëri priftërinj duke i marrë nga të gjitha shtresat, por që nuk ishin bij të Levit. Jeroboami caktoi një festë në muajin e tetë, ditën e pesëmbëdhjetë të muajit, të njëllojtë me festën që kremtohej në Judë dhe ofroi flijime mbi altarin. Kështu veproi në Bethel për të flijuar viçat që ai kishte bërë; dhe në Bethel vendosi priftërinjtë e vendeve të larta që kishte ngritur. Ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të tetë, muaj i zgjedhur nga ai vetë, Jeroboami u ngjit në altarin që kishte ndërtuar në Bethel; caktoi një festë për bijtë e Izraelit dhe u ngjit në altar për të djegur temjan.