Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Mbretërve 12:1-33

1 i Mbretërve 12:1-33 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Rehoboami shkoi në Shekem, ku kishte ardhur mbarë Izraeli për ta shpallur mbret. Jeroboami, biri i Nebatit, ishte ende në Egjipt, ku kishte marrë arratinë për shkak të mbretit Solomon. Kur e mori vesh këtë, Jeroboami qëndroi në Egjipt, por kur i çuan fjalë dhe e thirrën, u kthye. Atëherë e gjithë bashkësia e Izraelit foli me Rehoboamin e i thanë: «Yt atë na ka vënë zgjedhë të rëndë. Nëse ti na e lehtëson tani disi zgjedhën e punës së rëndë që na ngarkoi yt atë, ne do të të shërbejmë». Rehoboami u tha: «Shkoni e kthehuni tek unë pas tri ditësh». Dhe populli u largua. Kështu, mbreti Rehoboam u këshillua me pleqtë që kishin qenë në shërbim të atit të tij, Solomonit, kur ishte gjallë, e i pyeti: «Ç'këshillë më jepni, që t'i përgjigjem popullit?». Ata i thanë: «Nëse ti sot bëhesh shërbëtor i këtij populli e i shërben dhe nëse u thua fjalë të mira, ata do të jenë gjithmonë shërbëtorët e tu». Rehoboami nuk e pranoi këshillën e pleqve, por u këshillua me të rinjtë me të cilët ishte rritur e që i rrinin pranë. Ai i pyeti: «Ç'këshillë më jepni, që t'i përgjigjem popullit? Ata më kanë kërkuar t'ua lehtësoj zgjedhën që u ka vënë ati im». Të rinjtë, që ishin rritur me të, iu përgjigjën: «Popullit që foli me ty e që të kërkoi t'ua lehtësosh zgjedhën që u vuri yt atë, thuaji kështu: “Gishti im i vogël është më i trashë se ijët e atit tim. Im atë ju vuri një zgjedhë të rëndë, ndërsa unë do t'ju vë një zgjedhë edhe më të rëndë. Im atë ju rrahu me fshikuj, por unë do t'ju rrah me frushkuj me gjemba hekuri”». Pas tri ditësh, Jeroboami e mbarë bashkësia e Izraelit shkuan te Rehoboami, ashtu siç u kishte thënë mbreti, që të ktheheshin tek ai pas tri ditësh. Mbreti iu përgjigj ashpër popullit dhe e përbuzi këshillën që i kishin dhënë pleqtë. Ai u foli sipas këshillës që i kishin dhënë të rinjtë e u tha: «Im atë ju vuri një zgjedhë të rëndë, por unë do t'ju vë një zgjedhë edhe më të rëndë. Im atë ju rrahu me fshikuj, por unë do t'ju rrah me frushkuj me gjemba hekuri». Mbreti nuk e dëgjoi popullin, sepse kështu kishte dashur ZOTI, që të shkonte në vend fjala që ZOTI i tha Jeroboamit, birit të Nebatit, përmes Ahijahut, shilonitit. Kur mbarë Izraeli pa se mbreti nuk i kishte dëgjuar, ata i dërguan fjalë e i thanë: «Ç'lidhje kemi ne me Davidin e ç'pjesë kemi me të birin e Jeseut? Nëpër tendat tuaja, o izraelitë! Ndërsa ti kujdesu për shtëpinë tënde tani, o David!». Kështu, izraelitët shkuan nëpër shtëpitë e tyre. Rehoboami mbretëronte mbi izraelitët që jetonin në qytetet e Judës. Mbreti Rehoboam dërgoi tek izraelitët e tjerë Adoramin, mbikëqyrësin e punës së detyruar, por ata e vranë me gurë e ai vdiq. Atëherë mbreti Rehoboam hipi me ngut në një karrocë dhe ia mbathi për në Jerusalem. Izraeli ngriti krye kundër shtëpisë së Davidit e ashtu është deri sot. Kur izraelitët e tjerë morën vesh se ishte kthyer Jeroboami, dërguan për ta thirrur dhe e gjithë bashkësia e shpalli mbret të mbarë Izraelit. Vetëm fisi i Judës i qëndroi besnik shtëpisë së Davidit. Kur mbërriti në Jerusalem, Rehoboami mblodhi njëqind e tetëdhjetë mijë luftëtarë të zgjedhur nga fisi i Judës dhe nga fisi i Benjaminit, për të sulmuar mbretërinë e Izraelit dhe për t'ia kthyer mbretërinë Rehoboamit, birit të Solomonit. Atëherë fjala e Perëndisë iu drejtua Shemajahut, njeriut të Perëndisë, e i tha: «Thuaji Rehoboamit, birit të Solomonit dhe mbretit të Judës, të gjithë fisit të Judës dhe të Benjaminit, si edhe mbarë popullit, se kështu thotë ZOTI: “Mos dilni për të luftuar kundër vëllezërve tuaj, izraelitëve. Kthehuni nëpër shtëpitë tuaja, sepse kjo gjë vjen nga unë”». Ata e dëgjuan fjalën e ZOTIT dhe u kthyen pas, siç kishte thënë ZOTI. Jeroboami fortifikoi Shekemin në malësinë e Efraimit dhe vendosi të banojë atje. Mandej doli prej andej dhe fortifikoi edhe Penuelin. Jeroboami mendoi me vete: «Siç janë gjërat tani, mbretëria ka për t'iu kthyer shtëpisë së Davidit. Nëse ky popull shkon në Jerusalem për të kushtuar fli në tempullin e ZOTIT, zemra e tyre do të kthehet te zotëria i tyre, Rehoboami, mbreti i Judës. Mua kanë për të më vrarë e vetë kanë për t'u kthyer te Rehoboami, mbreti i Judës». Pasi u këshillua, mbreti bëri dy viça prej ari e i tha popullit: «Mos shkoni më në Jerusalem. Ja ku janë perënditë e tu, o Izrael, perënditë që të nxorën nga toka e Egjiptit». Njërin e vuri në Betel e tjetrin në Dan. Kjo e shtyu popullin të mëkatojë, sepse ata shkuan deri në Dan, për të rënë përmbys para një viçi. Jeroboami ndërtoi edhe një tempull në vend të lartë dhe caktoi priftërinj, njerëz nga mbarë populli, që nuk ishin pasardhës të Levit. Ai caktoi edhe një të kremte në ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të tetë, që përkonte me festën që kremtohej në Judë, dhe vetë ai kushtoi fli mbi altar. Kështu veproi Jeroboami në Betel dhe u kushtoi fli viçave që kishte bërë, si edhe caktoi priftërinj për faltoret që kishte ndërtuar në vende të larta. Ai ofroi kusht te altari që kishte bërë në Betel, në ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të tetë, ditë që e kishte ndarë me mendje të vet. Ai e caktoi si të kremte për izraelitët dhe kushtoi temjan mbi altar.

1 i Mbretërve 12:1-33 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Roboami shkoi në Sikem, sepse tërë Izraeli kishte ardhur aty për ta bërë mbret. Kur Jeroboami, bir i Nebatit, e mësoi këtë (ai ishte në Egjipt, ku kishte ikur larg pranisë së mbretit Salomon), dhe Jeroboami jetonte në Egjipt. Atëherë dërguan ta thërrasin. Kështu Jeroboami dhe tërë asambleja e Izraelit erdhën t'i flasin Roboamit dhe i thanë: "Yt atë e ka bërë zgjedhën tonë të rënde; tani ti lehtëso skllavërinë e ashpër të atit tënd dhe zgjedhën e rëndë që na ka imponuar dhe ne do të të shërbejmë". Ai iu përgjigj atyre: "Shkoni dhe kthehuni tek unë pas tri ditëve". Dhe populli iku. Atëherë mbreti Roboam u këshillua me pleqtë që kishin qenë në shërbim të atit të tij, Salomonit, kur ishte i gjallë, dhe u tha: "Çfarë më këshilloni t'i përgjigjem këtij populli?". Ata iu përgjigjën, duke thënë: "Në rast se sot ti do të bëhesh shërbëtor i këtij populli dhe do t'i shërbesh, në rast se do të tregohesh mirëdashës me ta dhe do t'u thuash fjalë të mira, ata do të jenë shërbëtorë të tu përjetë". Por Roboami hodhi poshtë këshillën që i dhanë pleqtë dhe u këshillua me të rinjtë që ishin rritur me të dhe ishin në shërbim të tij, dhe u tha atyre: "Çfarë më këshilloni t'i përgjigjem këtij populli që më foli, duke më thënë: "Lehtëso zgjedhën që na ka vënë yt atë"?". Atëherë të rinjtë që ishin rritur me të iu përgjigjën, duke thënë: "Kështu do t'i përgjigjesh këtij populli që të është drejtuar ty duke të thënë: "Yt atë e ka bërë të rëndë zgjedhën tonë; tani ti lehtësoje atë". Kështu do t'u thuash atyre: "Gishti im i vogël është më i trashë nga brinjët e atit tim; prandaj, në qoftë se im atë ju ka ngarkuar me një zgjedhë të rëndë, unë do ta bëj atë edhe më të rëndë; në qoftë se im atë ju ka dënuar me fshikull, unë do t'ju dënoj me kamxhik"". Tri ditë më vonë Jeroboami dhe tërë populli erdhën te Roboami, ashtu si kishte urdhëruar mbreti, duke thënë: "Kthehuni tek unë pas tri ditëve". Mbreti iu përgjigj ashpër popullit, duke mos pranuar këshillën që i kishin dhënë pleqtë; përkundrazi i foli popullit sipas këshillës së të rinjve, duke thënë: "Im atë e ka bërë të rëndë zgjedhën tuaj; por unë do ta bëj edhe më të rëndë; im atë ju ka dënuar me fshikull, kurse unë do t'ju dënoj me kamxhik". Kështu mbreti nuk mori parasysh kërkesën e popullit, sepse rrjedha e ngjarjeve varej nga Zoti, në mënyrë që të përmbushej fjala që Zoti i kishte drejtuar Jeroboamit, birit të Nebatit, me anë të Ahijahut nga Shiloh. Kur tërë Izraeli pa që mbreti nuk e dëgjonte, iu përgjigj atij duke i thënë: "Çfarë pjese kemi ne me Davidin? Nuk kemi asnjë trashëgimi me të birin e Isait! Në çadrat e tua, o Izrael! Tani kujdesohu Por mbi bijtë e Izraelit që banonin në qytetet e Judës mbretëronte Roboami. Mbreti Roboam dërgoi Adoramin, të ngarkuarin me haraçet, por tërë Izraeli e qëlloi me gurë dhe ai vdiq. Atëherë mbreti Roboam shpejtoi të hipë mbi një qerre për të ikur në Jeruzalem. Kështu Izraeli ngriti krye kundër shtëpisë së Davidit deri në ditën e sotme. Kur tërë Izraeli dëgjoi që Jeroboami ishte kthyer, dërgoi ta thërrasë dhe të paraqitej përpara asamblesë dhe, e bëri mbret mbi tërë Izraelin. Asnjeri nuk e ndoqi shtëpinë e Davidit, me përjashtim të të vetmit fis të Judës. Roboami, me të arritur në Jeruzalem, mblodhi tërë shtëpinë e Judës dhe fisin e Beniaminit, njëqind e tetëdhjetë mijë luftëtarë të zgjedhur për të luftuar kundër shtëpisë së Izraelit dhe për t'i kthyer kështu mbretërinë Roboamit, birit të Salomonit. Por fjala e Perëndisë iu drejtua Shemajahut, njeriut të Perëndisë, duke i thënë: "Fol me Roboamin, birin e Salomonit, mbret të Judës, me tërë shtëpinë e Judës dhe të Beniaminit dhe pjesës tjetër të popullit, dhe u thuaj atyre: Kështu flet Zoti: "Mos dilni të luftoni kundër vëllezërve tuaj, bijve të Izraelit! Secili të kthehet në shtëpinë e tij, sepse kjo gjë vjen nga unë". Ata iu bindën fjalës të Zotit dhe u kthyen prapa, sipas fjalës të Zotit. Pastaj Jeroboami ndërtoi Sikemin në zonën malore të Efraimit dhe u vendos aty; pastaj doli që andej dhe ndërtoi Penuelin. Jeroboami tha në zemër të vet: "Tani mbretëria do t'i kthehet me sa duket shtëpisë së Davidit. Në rast se ky popull shkon në Jeruzalem për të ofruar flijime në shtëpinë e Zotit, zemra e këtij populli do të kthehet përsëri nga zotëria e tij, nga Roboami, mbret i Judës; kështu do të më vrasin dhe do të kthehen nga Roboami, mbret i Judës". Mbasi u këshillua, mbreti bëri dy viça prej ari dhe i tha popullit: "Është shumë për ju të shkoni deri në Jeruzalem! O Izrael, ja ku janë perënditë e tua që të kanë nxjerrë nga vendi i Egjiptit!". Pastaj vendosi njërin prej tyre në Bethel dhe tjetrin në Dan. Ky ishte shkaku i mëkatit, sepse populli shkonte deri në Dan për të rënë përmbys përpara një viçi. Ai ndërtoi edhe tempuj mbi vendet e larta dhe bëri priftërinj duke i marrë nga të gjitha shtresat, por që nuk ishin bij të Levit. Jeroboami caktoi një festë në muajin e tetë, ditën e pesëmbëdhjetë të muajit, të njëllojtë me festën që kremtohej në Judë dhe ofroi flijime mbi altarin. Kështu veproi në Bethel për të flijuar viçat që ai kishte bërë; dhe në Bethel vendosi priftërinjtë e vendeve të larta që kishte ngritur. Ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të tetë, muaj i zgjedhur nga ai vetë, Jeroboami u ngjit në altarin që kishte ndërtuar në Bethel; caktoi një festë për bijtë e Izraelit dhe u ngjit në altar për të djegur temjan.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë