1 i Mbretërve 10:1-8
1 i Mbretërve 10:1-8 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Mbretëresha e Shebës kishte dëgjuar për emrin që kishte fituar Solomoni në saje të emrit të ZOTIT dhe erdhi për ta vënë në provë me pyetje të vështira. Ajo mbërriti në Jerusalem me një shpurë të madhe, me deve të ngarkuara me erëra të mira, me shumë ar e me gurë të çmuar dhe shkoi te Solomoni e bisedoi me të për gjithçka që kishte në zemër. Solomoni iu përgjigj të gjitha pyetjeve dhe asnjë nga pyetjet nuk ishte e panjohur për mbretin, që të mos i jepte përgjigje. Kur mbretëresha e Shebës pa gjithë urtinë e Solomonit, pallatin mbretëror, që ai kishte ndërtuar, gjellët që shtroheshin në tryezën e tij, banesat e zyrtarëve të tij, fisnikërinë e shërbëtorëve të tij, veshjet e kupëmbajtësve të tij dhe flitë e shkrumbimit, që ai kushtonte në tempullin e ZOTIT, mbeti pa fjalë. Atëherë ajo i tha mbretit: «Paskan qenë të vërteta fjalët që kisha dëgjuar në vendin tim për ty, për veprat e tua dhe për urtinë tënde. Nuk u besoja fjalëve derisa erdha dhe e pashë me sytë e mi. Po shoh se nuk më paskan thënë as gjysmën. Urtia dhe pasuria jote është më e madhe nga ç'kisha dëgjuar unë. Lum njerëzit e tu e lum shërbëtorët e tu që gjenden përherë pranë teje e që dëgjojnë urtinë tënde.
1 i Mbretërve 10:1-8 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kur mbretëresha e Shebës dëgjoi të flitet për diturinë e Salomonit për shkak të emrit të Zotit, erdhi ta vërë në provë me anë pyetjesh të vështira. Ajo arriti në Jeruzalem me një suitë shumë të madhe, me deve të ngarkuara me aroma dhe me një sasi të madhe ari dhe gurësh të çmuara; pastaj shkoi te Salomoni dhe i foli atij për të gjitha gjërat që kishte në zemër. Salomoni iu përgjigj të gjitha pyetjeve të saj, dhe nuk pati asgjë që të ishte e fshehtë për mbretin dhe që ky të mos ishte në gjendje ta shpjegonte. Kur mbretëresha e Shebës pa gjithë diturinë e Salomonit, shtëpinë që ai kishte ndërtuar, gjellët e tryezës së tij, banesat e shërbëtorëve të tij, shërbimin e kamarierëve të tij dhe rrobat e tyre, kupëmbajtësit e tij dhe holokaustet që ai ofronte në shtëpinë e Zotit, ajo mbeti pa fjalë. Pastaj i tha mbretit: "Ishte e vërtetë, pra, ajo që kisha dëgjuar në vendin tim për fjalët e tua dhe diturinë tënde. Por nuk u besova këtyre gjërave derisa nuk erdha vetë dhe nuk i pashë me sytë e mi; e mirë, pra, as gjysmën e tyre nuk më kishin thënë. Dituria dhe begatia jote tejkalojnë famën për të cilën me kishin folur. Lum njerëzit e tu, lum shërbëtorët e tu që rrinë gjithnjë përpara teje dhe dëgjojnë diturinë tënde!