1 Gjonit 5:1-12
1 Gjonit 5:1-12 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kush beson se Jezui është Krishti, ka lindur prej Perëndisë dhe kush e do të atin, do edhe fëmijët e tij. Ja si e dimë se i duam bijtë e Perëndisë: kur duam Perëndinë dhe zbatojmë urdhërimet e tij. Dashuria e Perëndisë është të zbatojmë urdhërimet e tij dhe urdhërimet e tij nuk janë të rënda, sepse kush ka lindur prej Perëndisë e mund botën dhe fitorja që mundi botën është besimi ynë. Kush e mund botën? Vetëm ai që beson se Jezui është Biri i Perëndisë. Jezu Krishti është ai që erdhi nëpërmjet ujit të pagëzimit të tij dhe nëpërmjet gjakut të vdekjes së tij në kryq, jo vetëm me ujë, por me ujë e me gjak. Ai që dëshmon është Shpirti dhe ai është e vërteta. Tre janë ata që dëshmojnë: Shpirti, uji e gjaku, dhe që të tre japin të njëjtën dëshmi. Ne pranojmë dëshminë e njerëzve, por dëshmia e Perëndisë është më e madhe dhe ajo është dëshmia që dha për Birin e tij. Ai që beson në Birin e Perëndisë e ka këtë dëshmi. Ai që nuk beson në Perëndinë, e ka bërë atë gënjeshtar, pasi nuk i ka besuar dëshmisë që Perëndia dha për Birin e vet. Dhe dëshmia është kjo: Perëndia na dha jetën e amshuar dhe kjo jetë është në Birin e tij. Ai që ka Birin, ka jetën. Ai që nuk e ka Birin e Perëndisë, nuk e ka as jetën.
1 Gjonit 5:1-12 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kushdo që beson se Jezusi është Krishti, ka lindur nga Perëndia; dhe kushdo që do atë që e ka ngjizur, do edhe atë që ka qenë ngjizur nga ai. Nga kjo ne dimë t'i duam bijtë e Perëndisë: kur duam Perëndinë dhe zbatojmë urdhërimet e tij. Sepse kjo është dashuria e Perëndisë: që ne të zbatojmë urdhërimet e tij; dhe urdhërimet e tij nuk janë të rënda. Sepse çdo gjë që ka lindur nga Perëndia e mund botën; dhe kjo është fitorja që e mundi botën: besimi ynë. Cili është ai që e mund botën, veç se ai që beson se Jezusi është Biri i Perëndisë? Ky është ai që erdhi me anë të ujit e gjakut, Jezu Krishti; jo vetëm me anë të ujit, por me anë të ujit e me anë të gjakut. Dhe Fryma është ai që dëshmon, sepse Fryma është e vërteta. Sepse tre janë ata që dëshmojnë në qiell: Ati, Fjala dhe Fryma e Shenjtë; dhe këta të tre janë një. Edhe tre janë ata që dëshmojnë mbi dhe: Fryma, uji dhe gjaku; dhe këta të tre janë të një mendimi. Në qoftë se ne pranojmë dëshminë e njerëzve, dëshmia e Perëndisë është më e madhe, sepse kjo është dëshmia e Perëndisë që ai dha për Birin e tij. Ai që beson në Birin e Perëndisë ka këtë dëshmi në vetvete; ai që nuk beson te Perëndia, e ka bërë atë gënjeshtar, sepse nuk i besoi dëshmisë që Perëndia dha për Birin e tij. Dhe dëshmia është kjo: Perëndia na dha jetën e përjetshme dhe kjo jetë është në Birin e tij. Ai që ka Birin, ka jetën; ai që nuk ka Birin e Perëndisë, nuk ka jetën.