1 Gjonit 3:1-10
1 Gjonit 3:1-10 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Shikoni ç'dashuri të madhe na ka dhënë Ati: të quhemi bij të Perëndisë. Dhe me të vërtetë jemi, prandaj bota nuk na njeh, sepse nuk e ka njohur as atë. Fort të dashur, tani jemi bij të Perëndisë dhe nuk na është shfaqur ende se çfarë do të jemi, por dimë që kur të shfaqet Krishti, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim ashtu siç është. Dhe kush ka këtë shpresë tek ai, bëhet i pastër, sikurse është i pastër ai. Kush bën mëkat, shkel ligjin, sepse mëkati është shkelja e ligjit. Ju e dini se Jezu Krishti u shfaq për të marrë mbi vete mëkatet dhe në të nuk ka mëkat. Kush qëndron në të, nuk mëkaton. Kush mëkaton, nuk e ka parë dhe nuk e ka njohur atë. Bijtë e mi, mos t'ju mashtrojë askush! Ai që bën drejtësinë është i drejtë, sikurse është i drejtë Jezu Krishti. Ai që bën mëkat është nga djalli, sepse djalli mëkatoi që nga fillimi. Prandaj u shfaq Biri i Perëndisë: për të shkatërruar veprat e djallit. Kush ka lindur nga Perëndia, nuk bën mëkat, sepse fara e jetës së Perëndisë qëndron në të dhe nuk mund të mëkatojë, meqenëse ka lindur nga Perëndia. Ja nga dallohen qartë bijtë e Perëndisë nga bijtë e djallit: kush nuk bën atë që është e drejtë dhe nuk do vëllanë e vet, nuk është nga Perëndia.
1 Gjonit 3:1-10 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Shikoni ç'dashuri të madhe na dha Ati, që të quhemi bij të Perëndisë. Prandaj bota nuk na njeh, sepse nuk e ka njohur atë. Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë, por ende nuk është shfaqur ç'do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim se si është ai. Dhe kushdo që e ka këtë shpresë në të, le ta pastrojë veten, siç është i pastër ai. Kush bën mëkat, bën edhe shkelje të ligjit; dhe mëkati është shkelje e ligjit. Dhe ju e dini se ai u shfaq për të hequr mëkatet tona; dhe në të nuk ka mëkat. Kush qëndron në të nuk mëkaton; kush mëkaton nuk e ka parë dhe as nuk e ka njohur. Djema, kurrkush mos ju mashtroftë: ai që zbaton drejtësinë është i drejtë, ashtu sikur është i drejtë ai. Kush kryen mëkat është nga djalli, sepse djalli mëkaton nga fillimi; prandaj është shfaqur Biri i Perëndisë: për të shkatërruar veprat e djallit. Kush lindi nga Perëndia nuk kryen mëkat, sepse fara e Perëndisë qëndron në të dhe nuk mund të mëkatojë sepse lindi nga Perëndia. Prej kësaj njihen bijtë e Perëndisë dhe bijtë e djallit; kushdo që nuk praktikon drejtësinë nuk është nga Perëndia, as ai që nuk do vëllanë e vet.