1 Gjonit 2:18-27
1 Gjonit 2:18-27 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Bijtë e mi, po vjen ora e fundit! Siç keni dëgjuar, antikrishti po vjen. Tani ka shumë antikrishtë dhe nga kjo e dimë se po vjen ora e fundit. Nga ne dolën, por nuk ishin nga tanët. Po të ishin nga tanët, do të kishin qëndruar me ne, por ikën prej nesh që të duket qartë se të gjithë ata nuk janë nga tanët. Ju jeni vajosur nga i Shenjti, prandaj të gjithë e dini të vërtetën. Nuk ju shkrova ngaqë nuk e njihni të vërtetën, por sepse e njihni dhe e dini se asnjë gënjeshtër nuk vjen nga e vërteta. Kush është gënjeshtari, pra? A nuk është ai që mohon se Jezui është Krishti? Ai është antikrishti, ai që mohon Atin dhe Birin. Ai që mohon Birin, nuk e ka as Atin. Ai që e rrëfen Birin, e ka edhe Atin. Le të qëndrojë në ju çfarë dëgjuat që nga fillimi. Po të qëndrojë në ju çfarë dëgjuat që nga fillimi, atëherë edhe ju do të qëndroni në Birin dhe në Atin. Dhe ky është premtimi që na ka bërë ai: jeta e amshuar. Këto gjëra jua shkrova për shkak të atyre që kërkojnë t'ju mashtrojnë. Sa për ju, vajosja që morët prej Krishtit qëndron në ju dhe nuk ka nevojë t'ju mësojë kush. Vajosja e tij ju mëson për gjithçka. Krishti është i vërtetë dhe nuk është i gënjeshtërt. Prandaj qëndroni në të ashtu siç ju mësoi.
1 Gjonit 2:18-27 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Fëmijë, është ora e fundit. Dhe, sikurse e dëgjuat, antikrishti duhet të vijë, dhe tani janë shfaqur shumë antikrishtë; prej nga e dimë se është ora e fundit. Mes nesh dolën, por nuk ishin nga tanët, sepse, po të ishin nga tanët, do të kishin qëndruar me ne; por kjo ndodhi që të dalë se nuk janë të gjithë nga tanët. Por ju keni vajosjen nga i Shenjti dhe dini çdo gjë. Nuk ju shkrova juve sepse nuk e njihni të vërtetën, por sepse ju e njihni dhe sepse asnjë gënjeshtër nuk del nga e vërteta. Kush është gënjeshtari, veçse ai që mohon se Jezus është Krishti? Antikrishti është ai, që mohon Atin dhe Birin. Kushdo që mohon Birin, s'ka as Atin; kushdo që njeh Birin, ka edhe Atin. Ajo që ju, pra, dëgjuat nga fillimi le të qëndrojë në ju; në qoftë se ajo që dëgjuat nga fillimi qëndron në ju, edhe ju do të qëndroni në Birin dhe në Atin. Dhe ky është premtimi që ai na bëri: jeta e përjetshme. Ju shkrova këto gjëra për ata që kërkojnë t'ju gënjejnë. Dhe, sa për ju, vajosja që keni marrë prej tij qëndron në ju dhe nuk keni nevojë që ndokush t'ju mësojë; por, duke qenë se vajosja e tij ju mëson çdo gjë dhe është e vërtetë e nuk është gënjeshtër, qëndroni në të ashtu sikurse ju mësoi.