1 Gjonit 2:1-11
1 Gjonit 2:1-11 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Bijtë e mi, këto gjëra jua shkruaj që të mos mëkatoni. Por edhe nëse dikush mëkaton, mbrojtës tek Ati kemi Jezu Krishtin, të drejtin. Ai u flijua për mëkatet tona, e jo vetëm për mëkatet tona, por edhe për mëkatet e gjithë botës. Nëse zbatojmë urdhërimet e tij, atëherë e dimë se e kemi njohur atë. Ai që thotë: «Unë e kam njohur Perëndinë», por nuk zbaton urdhërimet e tij, është gënjeshtar dhe e vërteta nuk është në të. Por tek ai që e zbaton fjalën e tij, dashuria e Perëndisë është me të vërtetë e përsosur. Kështu mund ta dimë se jemi në Perëndinë. Ai që thotë se qëndron në të, duhet të ecë në të njëjtën udhë nëpër të cilën eci Jezu Krishti. Fort të dashur, nuk po ju shkruaj një urdhërim të ri, por një urdhërim të vjetër, të cilin e kishit që nga fillimi. Urdhërimi i vjetër është fjala që dëgjuat. Megjithatë, po ju shkruaj një urdhërim të ri, që është i vërtetë për Krishtin dhe për ju, se errësira po shkon dhe tashmë po ndrin drita e vërtetë. Ai që thotë se është në dritë, por urren vëllanë e vet, ai është ende në errësirë. Ai që do vëllanë e vet, qëndron në dritë e nuk bëhet pengesë. Por ai që urren vëllanë e vet, është në errësirë. Ai ecën në errësirë e nuk sheh ku shkon, se errësira ia ka verbuar sytë.
1 Gjonit 2:1-11 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Djema të mi, ju shkruaj këto gjëra që të mos mëkatoni; dhe në qoftë se ndokush mëkatoi, kemi një avokat te Ati, Jezu Krishtin të drejtin. Ai është shlyesi për mëkatet tona; dhe jo vetëm për tonat, por edhe për ato të të gjithë botës. Dhe nga kjo e dimë se e kemi njohur atë, në qoftë se i zbatojmë urdhërimet e tij. Ai që thotë: ''Unë e kam njohur atë'', dhe nuk zbaton urdhërimet e tij, është gënjeshtar dhe e vërteta nuk është në të. Por kush e zbaton fjalën e tij, në të me të vërtetë dashuria e Perëndisë është përsosur. Nga kjo e njohim se jemi në të. Ai që thotë se qëndron në të, duhet të ecë edhe vetë sikurse ka ecur ai. Vëllezër, nuk ju shkruaj një urdhërim të ri, por një urdhërim të vjetër, që e kishit nga fillimi: urdhërimi i vjetër është fjala që dëgjuat nga fillimi. E megjithatë po ju shkruaj një urdhërim të ri, që është i vërtetë në të dhe në ju, sepse errësira po shkon dhe tashmë po ndrit drita e vërtetë. Ai që thotë se është në dritë dhe urren vëllanë e vet, është ende në errësirë. Ai që e do vëllanë e vet qëndron në dritë dhe nuk ka asgjë në të që e bën të bjerë. Por ai që urren vëllanë e vet është në errësirë, ecën në errësirë dhe nuk di ku shkon, sepse errësira ia ka verbuar sytë.