1 Gjonit 1:1-10
1 Gjonit 1:1-10 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Po ju shkruajmë për Fjalën e jetës që ishte nga fillimi, që e dëgjuam dhe e pamë me sytë tanë, që e soditëm dhe e prekëm me duart tona. Jeta u shfaq dhe ne e pamë. Prandaj dëshmojmë dhe ju shpallim jetën e amshuar, që ishte me Atin dhe na u shfaq neve. Po ju shpallim atë që pamë dhe dëgjuam, që edhe ju të keni bashkësi me ne, sepse bashkësia jonë është me Atin dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin. Këto gjëra po i shkruajmë që gëzimi ynë të jetë i plotë. Ky është lajmi që dëgjuam prej tij dhe po jua njoftojmë juve: Perëndia është dritë dhe në të nuk ka kurrfarë errësire. Po të themi se kemi bashkësi me të, por jetojmë në errësirë, gënjejmë dhe nuk veprojmë sipas së vërtetës. Por po të jetojmë në dritë, sikurse ai është në dritë, kemi bashkësi me njëri-tjetrin dhe gjaku i Jezuit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat. Po të themi se nuk kemi mëkat, mashtrojmë veten dhe e vërteta nuk është në ne. Po të rrëfejmë mëkatet tona, Perëndia që është besnik dhe i drejtë do të na i falë mëkatet e do të na pastrojë nga çdo padrejtësi. Po të themi se nuk kemi mëkatuar, e bëjmë Perëndinë gënjeshtar dhe fjala e tij nuk është në ne.
1 Gjonit 1:1-10 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Atë që ishte nga fillimi, atë që dëgjuam, atë që pamë me sytë tanë, atë që vështruam dhe që duart tona e prekën lidhur me Fjalën e jetës (dhe jeta u shfaq dhe ne e pamë e dëshmojmë për të, dhe ju shpallim jetën e përjetshme që ishte pranë Atit dhe që na u shfaq neve), Atë që pamë dhe dëgjuam, ne po jua shpallim, që edhe ju të keni bashkësi me ne; dhe bashkësia jonë është me Atin dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin. Dhe po ju shkruajmë këto gjëra që gëzimi juaj të jetë i plotë. Dhe ky është mesazhi që dëgjuam nga ai dhe po jua shpallim juve: Perëndia është dritë dhe në Të nuk ka kurrfarë errësire. Po të themi se kemi bashkësi me Të, dhe ecim në errësirë, ne gënjejmë dhe nuk e vëmë në praktikë të vërtetën; por, po të ecim në dritë, sikurse ai është në dritë, kemi bashkësi njëri me tjetrin, dhe gjaku i Jezu Krishtit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat. Po të themi se jemi pa mëkat, gënjejmë vetveten dhe e vërteta nuk është në ne. Po t'i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi. Po të themi se s'kemi mëkatuar, e bëjmë atë gënjeshtar dhe fjala e tij nuk është në ne.