1 e Korintasve 6:12-20
1 e Korintasve 6:12-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Çdo gjë më lejohet, por jo gjithçka është e dobishme; çdo gjë më lejohet, por unë nuk do të nënshtrohem asnjërës. Gjellët janë për barkun dhe barku për gjellët; por Perëndia do të shkatërrojë edhe këtë edhe atë; por trupi nuk është për kurvëri, po për Zotin, dhe Zoti për trupin. Tani Perëndia siç e ringjalli Zotin kështu do të na ringjallë edhe ne me fuqinë e tij. A nuk e dini ju se trupat tuaj janë gjymtyrë të Krishtit? Të marr, pra, unë gjymtyrët e Krishtit dhe t'i bëj gjymtyrë të një kurve? mos qoftë ashtu! A nuk e dini ju se ai që bashkohet me një kurvë bëhet një trup me të? Sepse thuhet: ''Do të jenë të dy, thotë Zoti, një mish i vetëm''. Por ai që bashkohet me Zotin është një frymë me të. Largohuni nga kurvëria! Çdo mëkat që kryen njeriu është jashtë trupit, po ai që kurvëron mëkaton kundër trupit të vet. A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju, të cilin e keni nga Perëndia, dhe se nuk i përkitni vetvetes? Sepse u bletë me një çmim! Përlëvdoni Perëndinë, pra, në trupin tuaj dhe në frymën tuaj, që i përkasin Perëndisë.
1 e Korintasve 6:12-20 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Disa thonë: «Gjithçka më lejohet». Po, por jo gjithçka është e dobishme. Gjithçka më lejohet, por unë nuk do të sundohem nga asgjë. Thonë edhe: «Ushqimi është për barkun dhe barku për ushqimin». Por Perëndia do ta shkatërrojë edhe barkun, edhe ushqimin. Trupi nuk është për kurvëri, por për Zotin dhe Zoti për trupin. Perëndia do të na ngjallë edhe ne me fuqinë e tij, ashtu siç ngjalli Zotin. A nuk e dini se trupat tuaj janë gjymtyrë të Krishtit? T'i marr, pra, gjymtyrët e Krishtit e t'i bëj gjymtyrë të lavires? Larg qoftë! Apo nuk e dini se ai që bashkohet me një lavire bëhet një trup me të? Se që të dy do të jenë një trup i vetëm. Ai që bashkohet me Zotin, bëhet një shpirt me të. Largohuni nga kurvëria! Çdo mëkat tjetër që bën njeriu është jashtë trupit, ndërsa ai që kurvëron, mëkaton kundër vetë trupit të tij. Apo nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Shpirtit të shenjtë që është në ju dhe që jua dha Perëndia dhe se ju nuk i përkisni vetes tuaj? Perëndia ju bleu me një çmim. Përlëvdojeni, pra, Perëndinë në trupin tuaj!