1 e Korintasve 4:1-21
1 e Korintasve 4:1-21 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kështu, gjithkush të na shohë si shërbëtorë të Krishtit dhe si kujdestarë të të fshehtave të Perëndisë. Ajo që kërkohet nga kujdestarët është të jenë besnikë. Sa për mua, nuk ka shumë rëndësi nëse gjykohem nga ju apo nga ndonjë gjyq njerëzor dhe, madje, as vetë unë nuk e gjykoj veten. Ndërgjegjja nuk më qorton për asgjë, por nuk është kjo që më bën të drejtë, sepse gjykatësi im është Zoti. Prandaj mos gjykoni para kohe, derisa të vijë Zoti që do të nxjerrë në dritë të fshehtat e errësirës dhe do të zbulojë dëshirat e zemrës. Atëherë gjithsecili do të marrë lëvdimin e vet nga Perëndia. O vëllezër, këto gjëra që ju thashë për veten dhe për Apolin jua dhashë si shembull, që të mësoni kuptimin e thënies «Sa është shkruar e jo më shumë» dhe që të mos krenoheni me njërin e të hidhni poshtë tjetrin. Çfarë të dallon nga të tjerët? A nuk t'i ka dhënë tjetërkush të gjitha ato që ke? Nëse i ke marrë nga Perëndia, përse mburresh si të mos i kishe marrë prej tij? Tani qenkeni të ngopur! Tani qenkeni të pasur! Tani qenkeni bërë mbretër pa ne! Ah, sikur të ishit bërë mbretër, që të mbretëronim edhe ne me ju. Unë mendoj se Perëndia na ka vënë ne apostujt në vendin e fundit, na ka bërë si të dënuar me vdekje, se jemi bërë gazi i botës, i engjëjve dhe i njerëzve. Kështu, për shkak të Krishtit ne jemi të marrë, ndërsa ju të mençur; ne jemi të dobët, ndërsa ju të fortë; ne jemi të poshtëruar, ndërsa ju të nderuar. Sot e kësaj dite ne kemi uri, kemi etje, jemi të zhveshur, na rrahin me shuplaka, endemi pa shtëpi dhe lodhemi duke punuar me duart tona. Kur na fyejnë, bekojmë; kur na përndjekin, durojmë; kur na shajnë, përgjigjemi me mirësi. Jemi bërë si plehrat e botës dhe ende jemi si fundërrinat e njerëzve. Këto nuk jua shkruaj për t'ju turpëruar, por për t'ju këshilluar si bijtë e mi të dashur. Edhe sikur të kishit me mijëra mësues për besimin në Krishtin, nuk keni shumë etër, se jam unë ai që ju ktheva në besimin e Krishtit Jezu me anë të ungjillit. Prandaj ju kërkoj të më shkërbeni mua. Për këtë arsye ju dërgova Timoteun që është biri im i dashur dhe besnik në veprën e Zotit. Ai do t'ju kujtojë parimet e mia për jetën me Krishtin Jezu, ashtu siç ua mësoj unë njerëzve në çdo kishë. Disa nga ju filluan të krekosen duke menduar se nuk do të vij te ju, por do të vij së shpejti, në dashtë Zoti, dhe ata që krekosen do t'i njoh nga çfarë janë të zotë të bëjnë e jo nga fjalët. Mbretëria e Perëndisë nuk duket nga fjalët, por nga fuqia. Çfarë doni? Të vij te ju me thupër apo me dashuri e me shpirtbutësi?
1 e Korintasve 4:1-21 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kështu njeriu, pra, le të na mbajë për shërbëtorë të Krishtit dhe si administratorë të mistereve të Perëndisë. E tjetra që kërkohet nga administratorët, është që secili të gjendët besnik. Sa për mua, më intereson fort pak që të gjykohem prej jush ose prej një gjykate njerëzore; madje as vetveten nuk e gjykoj. Sepse nuk jam i vetëdijshëm për asnjë faj, por për këtë nuk jam justifikuar, por ai që më gjykon është Zoti. Prandaj mos gjykoni asgjë para kohe derisa të vijë Zoti, që do të nxjerrë në dritë gjërat e fshehta të errësirës dhe do të shfaqë këshillat e zemrave; dhe atëherë secili do të ketë lavdërimin e vet nga Perëndia. Dhe tani, o vëllezër, për të mirën tuaj, ia kalova këto gjëra vetes sime dhe Apolit, që nëpërmjet nesh të mësoni që të mos mendoni përtej asaj që është shkruar, që të mos krekoset ndonjë prej jush, njeri kundër tjetrit. Sepse çfarë të bën të ndryshëm? Çfarë ke ti që nuk e ke marrë? Dhe, nëse e ke marrë, pse krenohesh sikur nuk e ke marrë? Tashmë jeni të ngopur, tashmë jeni të pasur, tashmë u bëtë mbretër pa ne; dhe makar të ishit bërë mbretër, që edhe ne të mbretëronim me ju. Sepse unë mendoj se Perëndia na ka paraqitur ne apostujt si të fundit, si njerëz të dënuar për vdekje; sepse u bëmë lojë për botën, për engjëjt dhe për njerëzit. Ne jemi të marrë për Krishtin, por ju të urtë në Krishtin; ne jemi të dobët, por ju të fortë; ju jeni të nderuar, por ne të përbuzur. Deri tani vuajmë nga uria, etja, e jemi të zhveshur; jemi të qëlluar me shuplaka dhe endemi pa shtëpi, dhe mundohemi, duke punuar me duart tona; duke qenë të fyer, bekojmë; duke qenë të përndjekur, durojmë; duke qenë të sharë, lutemi; jemi bërë si pisllëku i botës, porsi plehrat e të gjithëve deri më sot. Këto gjëra nuk po i shkruaj që t'ju turpëroj, por që t'ju paralajmëroj si fëmijët e mi të dashur. Sepse, edhe sikur të kishit dhjetë mijë mësues në Krishtin, nuk do të kishit shumë etër, sepse unë ju kam dhënë jetë në Krishtin Jezus, me anë të ungjillit. Prandaj ju bëj thirrje të bëheni imituesit e mi. Për këtë arsye ju kam dërguar Timoteun, që është biri im i dashur dhe besnik në Zotin. Ky do t'ju kujtojë udhët e mia në Krishtin ashtu siç mësoj kudo në çdo kishë. Dhe disa u krekosën, sikur nuk do të vija më te ju; por shpejt kam për të ardhur te ju, në dashtë Zoti, dhe kam për të njohur jo fjalën, po fuqinë e atyre që janë krekosur, sepse mbretëria e Perëndisë nuk qëndron në fjalë, por në fuqi. Çfarë doni? Që të vij te ju me thupër apo me dashuri dhe me zemërbutësi?