1 e Korintasve 3:5-15
1 e Korintasve 3:5-15 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kush është Apoli dhe kush është Pali? Janë vetëm shërbëtorë, nëpërmjet të cilëve besuat dhe që veprojnë, secili sipas fuqisë që i dha Zoti. Unë mbolla farën, Apoli e ujiti, por Perëndia e rriti. Kështu, nuk kanë rëndësi as ai që mbjell e as ai që ujit, por Perëndia që rrit. Ai që mbjell dhe ai që ujit, janë një, dhe secili do të marrë shpërblimin sipas mundit. Sepse ne jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë, ndërsa ju jeni ara dhe ndërtesa e tij. Unë, sipas hirit që më dha Perëndia, si arkitekt i ditur vura themelin, por tjetërkush po ndërton mbi të. Secili të ketë kujdes sesi ndërton. Askush nuk mund të vendosë një themel tjetër përveç këtij që kemi dhe që është Jezu Krishti. Disa ndërtojnë mbi këtë themel me ar, argjend apo gurë të çmuar dhe disa të tjerë ndërtojnë me dru, sanë apo kashtë, por vepra e secilit prej tyre do të dalë në dritë dhe vlerën e saj do ta tregojë dita e gjykimit. Ajo ditë do të vijë me zjarr dhe me këtë zjarr do të provohet vepra e kujtdo. Nëse vepra që ndërtoi dikush i qëndron zjarrit, ai do të marrë shpërblimin. Nëse vepra e dikujt digjet, ai do ta humbasë shpërblimin, por vetë do të shpëtojë si një njeri që kalon përmes zjarrit.
1 e Korintasve 3:5-15 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kush është, pra, Pali dhe kush është Apoli, veçse shërbëtor me anë të të cilëve ju besuat, edhe ashtu si Zoti i dha gjithsecilit? Unë mbolla, Apoli ujiti, po Perëndia i bëri të rriten. Kështu, pra, as ai që mbjell, as ai që ujit, nuk është gjë, por Perëndia që rrit. Por ai që mbjell dhe ai që ujit janë një, dhe secili do të marrë shpërblimin e vet sipas mundit të tij. Ne, pra, jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë; ju jeni ara e Perëndisë, ndërtesa e Perëndisë. Sipas hirit të Perëndisë që më është dhënë, si arkitekt i ditur, unë kam hedhur themelin dhe një tjetër ndërton mbi të; por secili të ketë kujdes se si ndërton mbi të, sepse askush nuk mund të hedhë themel tjetër përveç atij që është hedhur, i cili është Jezu Krishti. Dhe, në qoftë se dikush ndërton mbi këtë themel ar, argjend, gurë të çmuar, dru, sanë, kashtë, vepra e secilit do të shfaqet, sepse dita do ta tregojë; sepse do të zbulohet me anë të zjarrit, dhe zjarri do të provojë veprën e secilit e ç'lloji është. Në qoftë se vepra që dikush ka ndërtuar mbi themelin qëndron, ai do të marrë një shpërblim, në qoftë se vepra e tij digjet, ai do të pësojë humbje, por ai vetë do të shpëtohet, si përmes zjarrit.