1 e Korintasve 15:50-58
1 e Korintasve 15:50-58 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ja se ç'dua të them, o vëllezër: njerëzit prej mishi dhe prej gjaku nuk mund ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë e as kalbja nuk mund të trashëgojë moskalbjen. Po ju them një të fshehtë: nuk do të vdesim të gjithë, por të gjithë do të shndërrohemi. Në çast, sa hap e mbyll sytë, kur të bjerë trumbeta e fundit, të vdekurit do të ngjallen në moskalbje, ndërsa ne do të shndërrohemi. Sepse ky trup i kalbshëm duhet të veshë moskalbjen dhe ky trup i vdekshëm duhet të veshë pavdekësinë. Kur ky trup i kalbshëm të ketë veshur moskalbjen dhe ky trup i vdekshëm të ketë veshur pavdekësinë, atëherë do të shkojë në vend fjala e shkruar: vdekja u përpi nga fitorja. O vdekje, ku është fitorja jote? O vdekje, ku është thumbi yt? Thumbi i vdekjes është mëkati, ndërsa fuqia e mëkatit është ligji. Por le të falënderojmë Perëndinë që na dha fitoren nëpërmjet Zotit tonë, Jezu Krishtit. Kështu, o vëllezër të dashur, qëndroni të fortë e të palëkundur dhe përparoni përherë në veprën e Zotit, duke e ditur se mundi juaj për Zotin nuk do të shkojë dëm.
1 e Korintasve 15:50-58 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Edhe këtë po ju them, o vëllezër, se mishi dhe gjaku nuk mund të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë, as prishja nuk mund të trashëgojë paprishjen. Ja, unë po ju them një të fshehtë: të gjithë nuk do të vdesim, por të gjithë do të shndërrohemi në një moment, sa hap e mbyll sytë, në tingullin e burisë së fundit; sepse do të bjerë buria, të vdekurit do të ringjallen të paprishshëm dhe ne do të shndërrohemi, sepse ky trup që prishet duhet të veshë mosprishjen dhe ky i vdekshëm të veshë pavdekësinë. Edhe ky trup që prishet, kur të veshë mosprishjen, edhe ky i vdekshëm kur të veshë pavdekësinë, atëherë do të realizohet fjala që është shkruar: ''Vdekja u përpi në fitore''. O vdekje, ku është gjëmba jote? O ferr, ku është fitorja jote? Edhe gjëmba e vdekjes është mëkati; dhe fuqia e mëkatit është ligji. Por ta falënderojmë Perëndinë që na jep fitoren me anë të Zotit tonë Jezu Krisht. Prandaj, o vëllezërit e mi të dashur, qëndroni të fortë e të patundur, duke tepruar përherë në veprën e Zotit, duke e ditur se mundi juaj nuk është i kotë në Zotin.