1 e Korintasve 15:42-49
1 e Korintasve 15:42-49 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kështu ndodh edhe me ngjalljen e të vdekurve: trupi mbillet në kalbje e ngjallet në moskalbje, mbillet në çnderim e ngjallet në lavdi, mbillet në dobësi e ngjallet në fuqi, mbillet trup tokësor e ngjallet trup shpirtëror. Ashtu siç ka trup tokësor, ka edhe trup shpirtëror. Prandaj është shkruar: njeriu i parë, Adami, u bë qenie tokësore, ndërsa Adami i fundit, Krishti, u bë shpirti që jep jetë. Nuk ishte njeriu shpirtëror i pari, por ai tokësor. Njeriu shpirtëror erdhi më pas. Njeriu i parë u bë nga dheu dhe është lëndor, ndërsa njeriu i dytë erdhi nga qielli. Ashtu siç është njeriu i bërë nga dheu, ashtu janë edhe lëndorët, dhe, ashtu siç është njeriu që erdhi nga qielli, ashtu janë edhe qiellorët. Ashtu siç jemi në përngjasim me njeriun lëndor, do të jemi edhe në përngjasim me njeriun qiellor.
1 e Korintasve 15:42-49 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kështu do të jetë edhe ringjallja e të vdekurve; trupi mbillet në prishje dhe ringjallet në paprishje. Mbillet në çnderim dhe ringjallet në lavdi; mbillet i dobët dhe ringjallet në fuqi. Mbillet trup natyror dhe ringjallet trup frymëror. Ka trup natyror, ka edhe trup frymëror. Kështu edhe është shkruar: ''Njeriu i parë, Adami, u bë shpirt i gjallë; por Adami i fundit është Frymë që jep jetë. Por frymërori nuk është më parë, por përpara është natyrori, pastaj frymërori. Njeriu i parë i bërë prej dheu, është tokësor; njeriu i dytë është Zoti nga qielli. Siç është tokësori ashtu janë dhe tokësorët; dhe siç është qiellori, të tillë do të jenë edhe qiellorët. Dhe sikurse mbartëm shëmbëllimin e tokësorit, do të mbartim edhe shëmbëllimin e qiellorit.