1 e Korintasve 15:33-58
1 e Korintasve 15:33-58 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Mos u mashtroni: shoqëritë e këqija prishin doket e mira. Ejani në vete e mos mëkatoni, se disa prej jush nuk e njohin Perëndinë dhe këtë e them për turpin tuaj. Dikush do të thotë: «Si do të ngjallen të vdekurit? Çfarë trupi do të kenë?». O i marrë! Fara që mbjell në arë, nuk merr jetë po nuk vdiq më parë. Ti nuk mbjell trupin që do të ketë bima në të ardhmen, por një kokërr të zhveshur gruri ose të ndonjë fare tjetër. Pastaj trupin ia jep Perëndia, ashtu siç dëshiron, dhe çdo farë ka trupin e vet. Jo çdo trup është i njëjtë me një trup tjetër. Tjetër është trupi i njeriut, tjetër trupi i kafshëve, tjetër trupi i shpendëve dhe tjetër ai i peshqve. Ka trupa qiellorë, ashtu siç ka edhe trupa tokësorë. Tjetër është shkëlqimi i trupave qiellorë dhe tjetër shkëlqimi i trupave tokësorë. Tjetër është shkëlqimi i diellit, tjetër shkëlqimi i hënës dhe tjetër shkëlqimi i yjeve, sepse ylli nga ylli ndryshon në shkëlqim. Kështu ndodh edhe me ngjalljen e të vdekurve: trupi mbillet në kalbje e ngjallet në moskalbje, mbillet në çnderim e ngjallet në lavdi, mbillet në dobësi e ngjallet në fuqi, mbillet trup tokësor e ngjallet trup shpirtëror. Ashtu siç ka trup tokësor, ka edhe trup shpirtëror. Prandaj është shkruar: njeriu i parë, Adami, u bë qenie tokësore, ndërsa Adami i fundit, Krishti, u bë shpirti që jep jetë. Nuk ishte njeriu shpirtëror i pari, por ai tokësor. Njeriu shpirtëror erdhi më pas. Njeriu i parë u bë nga dheu dhe është lëndor, ndërsa njeriu i dytë erdhi nga qielli. Ashtu siç është njeriu i bërë nga dheu, ashtu janë edhe lëndorët, dhe, ashtu siç është njeriu që erdhi nga qielli, ashtu janë edhe qiellorët. Ashtu siç jemi në përngjasim me njeriun lëndor, do të jemi edhe në përngjasim me njeriun qiellor. Ja se ç'dua të them, o vëllezër: njerëzit prej mishi dhe prej gjaku nuk mund ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë e as kalbja nuk mund të trashëgojë moskalbjen. Po ju them një të fshehtë: nuk do të vdesim të gjithë, por të gjithë do të shndërrohemi. Në çast, sa hap e mbyll sytë, kur të bjerë trumbeta e fundit, të vdekurit do të ngjallen në moskalbje, ndërsa ne do të shndërrohemi. Sepse ky trup i kalbshëm duhet të veshë moskalbjen dhe ky trup i vdekshëm duhet të veshë pavdekësinë. Kur ky trup i kalbshëm të ketë veshur moskalbjen dhe ky trup i vdekshëm të ketë veshur pavdekësinë, atëherë do të shkojë në vend fjala e shkruar: vdekja u përpi nga fitorja. O vdekje, ku është fitorja jote? O vdekje, ku është thumbi yt? Thumbi i vdekjes është mëkati, ndërsa fuqia e mëkatit është ligji. Por le të falënderojmë Perëndinë që na dha fitoren nëpërmjet Zotit tonë, Jezu Krishtit. Kështu, o vëllezër të dashur, qëndroni të fortë e të palëkundur dhe përparoni përherë në veprën e Zotit, duke e ditur se mundi juaj për Zotin nuk do të shkojë dëm.
1 e Korintasve 15:33-58 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Mos u gënjeni; shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira. Zgjohuni për drejtësinë dhe mos mëkatoni, sepse disa nga ju nuk e njohin Perëndinë; për turpin tuaj po ua them. Por do të thotë ndonjë: ''Si ringjallen të vdekurit, edhe me ç'trup do të vijnë?''. O i pamend! Atë që ti mbjell, nuk ngjallet, nëse nuk vdes përpara. Dhe atë që mbjell, ti nuk mbjell trupin që do të bëhet, por një kokërr të zhveshur, ndoshta nga grurë ose ndonjë farë tjetër. Po Perëndia i jep trup si të dojë, secilës farë trupin e vet. Jo çdo mish është i njëjti mish; por tjetër është mishi i njerëzve, tjetër mishi i bagëtive, tjetër i peshqve dhe tjetër i shpendëve. Dhe ka trupa qiellorë dhe trupa tokësorë; por tjetër është lavdia e trupave qiellorë e tjetër e atyre të tokës. Tjetër është lavdia e diellit dhe tjetër lavdia e hënës dhe tjetër lavdia e yjeve; sepse ndryshon në lavdi ylli nga ylli. Kështu do të jetë edhe ringjallja e të vdekurve; trupi mbillet në prishje dhe ringjallet në paprishje. Mbillet në çnderim dhe ringjallet në lavdi; mbillet i dobët dhe ringjallet në fuqi. Mbillet trup natyror dhe ringjallet trup frymëror. Ka trup natyror, ka edhe trup frymëror. Kështu edhe është shkruar: ''Njeriu i parë, Adami, u bë shpirt i gjallë; por Adami i fundit është Frymë që jep jetë. Por frymërori nuk është më parë, por përpara është natyrori, pastaj frymërori. Njeriu i parë i bërë prej dheu, është tokësor; njeriu i dytë është Zoti nga qielli. Siç është tokësori ashtu janë dhe tokësorët; dhe siç është qiellori, të tillë do të jenë edhe qiellorët. Dhe sikurse mbartëm shëmbëllimin e tokësorit, do të mbartim edhe shëmbëllimin e qiellorit. Edhe këtë po ju them, o vëllezër, se mishi dhe gjaku nuk mund të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë, as prishja nuk mund të trashëgojë paprishjen. Ja, unë po ju them një të fshehtë: të gjithë nuk do të vdesim, por të gjithë do të shndërrohemi në një moment, sa hap e mbyll sytë, në tingullin e burisë së fundit; sepse do të bjerë buria, të vdekurit do të ringjallen të paprishshëm dhe ne do të shndërrohemi, sepse ky trup që prishet duhet të veshë mosprishjen dhe ky i vdekshëm të veshë pavdekësinë. Edhe ky trup që prishet, kur të veshë mosprishjen, edhe ky i vdekshëm kur të veshë pavdekësinë, atëherë do të realizohet fjala që është shkruar: ''Vdekja u përpi në fitore''. O vdekje, ku është gjëmba jote? O ferr, ku është fitorja jote? Edhe gjëmba e vdekjes është mëkati; dhe fuqia e mëkatit është ligji. Por ta falënderojmë Perëndinë që na jep fitoren me anë të Zotit tonë Jezu Krisht. Prandaj, o vëllezërit e mi të dashur, qëndroni të fortë e të patundur, duke tepruar përherë në veprën e Zotit, duke e ditur se mundi juaj nuk është i kotë në Zotin.