1 e Korintasve 12:4-13
1 e Korintasve 12:4-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ka dhunti të ndryshme, por është i njëjti Shpirt. Ka edhe shërbesa të ndryshme, por është i njëjti Zot. Ka edhe larmi veprash, por është i njëjti Perëndi që bën gjithçka në të gjithë. Secilit i shfaqet Shpirti për të mirën e të gjithëve. Dikujt Shpirti i jep dhuntinë për të folur me urti, një tjetri i njëjti Shpirt i jep dhuntinë për të folur me dituri. Dikujt i njëjti Shpirt i jep besim, ndërsa një tjetri dhuntinë për të shëruar, dikujt fuqinë për të bërë mrekulli, një tjetri për të profetizuar, një tjetri për të dalluar shpirtrat, një tjetri i jep larmi gjuhësh, ndërsa një tjetri shpjegimin e gjuhëve. Të gjitha këto i bën i njëjti dhe i vetmi Shpirt, duke i dhënë secilit dhunti të veçantë, sipas vullnetit të tij. Ashtu si trupi është një, por ka shumë gjymtyrë dhe të gjitha gjymtyrët e trupit, megjithëse janë shumë, përbëjnë një trup të vetëm, ashtu është edhe Krishti. Edhe ne, qofshim judenj apo helenë, skllevër apo të lirë, u pagëzuam me të njëjtin Shpirt për t'u bërë një trup i vetëm dhe kemi pirë të gjithë nga i njëjti Shpirt.
1 e Korintasve 12:4-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ka larmi dhuntish, por i njëjti Frymë. Ka edhe larmi shërbimesh, por i njëjti Zot. Dhe ka larmi veprimtarish por është i njëjti Perëndi i cili i bën të gjitha gjërat në të gjithë. Dhe secilit i jepet shfaqja e Frymës për dobinë e përbashkët. Dikujt, pra, i jepet, me anë të Frymës, fjalë diturie; një tjetri, sipas të po atij Frymë, fjalë njohurie; një tjetri besim, nga po ai Frymë; një tjetri dhuntitë e shërimeve, nëpërmjet po atij Frymë; një tjetri pushtet për të kryer veprime të fuqishme; një tjetri profeci; një tjetri të dallojë frymërat; një tjetri larmi gjuhësh; një tjetri interpretimi i gjuhëve. Dhe të gjitha këto i bën i njëjti dhe i vetmi Frymë, duke i ndarë gjithsecilit dhunti veç e veç ashtu si do vetë. Sepse ashtu si trupi është një, por ka shumë gjymtyrë, dhe të gjitha gjymtyrët e të njëjtit trup, megjithëse janë shumë, formojnë një trup të vetëm, kështu është edhe Krishti. Sepse të gjithë ne jemi pagëzuar në një Frymë të vetëm në të njëjtin trup, qofshin hebrenjtë apo grekët, qofshin skllevërit a të liruarit, dhe të gjithë jemi ujitur në të njëjtin Frymë.