Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 e Korintasve 12:1-31

1 e Korintasve 12:1-31 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Vëllezër, lidhur me dhuntitë e Shpirtit të shenjtë, nuk dua të jeni të paditur. Ju e dini se, kur ishit prej kombeve, të mashtruar, tërhiqeshit prej idhujve të pagojë. Prandaj dua ta dini se asnjë nuk mund të flasë i udhëhequr nga Shpirti i Perëndisë e të thotë: «Mallkuar qoftë Jezui!» dhe asnjë nuk mund të thotë: «Zoti Jezu», nëse nuk është i udhëhequr nga Shpirti i shenjtë. Ka dhunti të ndryshme, por është i njëjti Shpirt. Ka edhe shërbesa të ndryshme, por është i njëjti Zot. Ka edhe larmi veprash, por është i njëjti Perëndi që bën gjithçka në të gjithë. Secilit i shfaqet Shpirti për të mirën e të gjithëve. Dikujt Shpirti i jep dhuntinë për të folur me urti, një tjetri i njëjti Shpirt i jep dhuntinë për të folur me dituri. Dikujt i njëjti Shpirt i jep besim, ndërsa një tjetri dhuntinë për të shëruar, dikujt fuqinë për të bërë mrekulli, një tjetri për të profetizuar, një tjetri për të dalluar shpirtrat, një tjetri i jep larmi gjuhësh, ndërsa një tjetri shpjegimin e gjuhëve. Të gjitha këto i bën i njëjti dhe i vetmi Shpirt, duke i dhënë secilit dhunti të veçantë, sipas vullnetit të tij. Ashtu si trupi është një, por ka shumë gjymtyrë dhe të gjitha gjymtyrët e trupit, megjithëse janë shumë, përbëjnë një trup të vetëm, ashtu është edhe Krishti. Edhe ne, qofshim judenj apo helenë, skllevër apo të lirë, u pagëzuam me të njëjtin Shpirt për t'u bërë një trup i vetëm dhe kemi pirë të gjithë nga i njëjti Shpirt. Trupi nuk ka një gjymtyrë, por shumë. Nëse këmba do të thoshte: «Ngaqë nuk jam dorë, nuk i përkas trupit», mos për këtë nuk i përket trupit? E nëse veshi do të thoshte: «Ngaqë nuk jam sy, nuk i përkas trupit», mos për këtë nuk i përket trupit? Nëse i gjithë trupi do të ishte sy, ku do të ishte dëgjimi? Po të ishte i gjithi dëgjim, ku do të ishte nuhatja? Por Perëndia i vuri gjymtyrët në trup një nga një, ashtu siç deshi. Nëse të gjitha do të ishin një gjymtyrë e vetme, ku do të ishte trupi? Por tani ka shumë gjymtyrë dhe një trup. Syri nuk mund t'i thotë dorës: «Nuk ta kam nevojën» e as koka nuk mund t'u thotë këmbëve: «Nuk jua kam nevojën». Përkundrazi, ato gjymtyrë të trupit që duken më të papërfillshmet, janë më të nevojshmet. Ne kujdesemi më shumë për gjymtyrët që i vlerësojmë më pak dhe përpiqemi t'i zbukurojmë sa më shumë gjymtyrët më të pahijshme, gjë që nuk e kanë të nevojshme gjymtyrët e hijshme. Por Perëndia e ndërtoi trupin duke u dhënë më shumë nderim gjymtyrëve më të papërfillshme, që të mos ketë përçarje në trup, por që gjymtyrët të kujdesen për njëra-tjetrën. Nëse njëra gjymtyrë vuan, atëherë vuajnë të gjitha me të. Nëse njëra gjymtyrë nderohet, të gjitha gëzohen me të. Ju jeni trupi i Krishtit dhe secili prej jush është gjymtyrë e tij. Prandaj Perëndia i caktoi disa në kishë, së pari apostuj, së dyti profetë, së treti mësues, pastaj ata me dhuntitë për të bërë mrekulli, të shërimeve, të përkujdesjes, të drejtimit e të larmive të gjuhëve. A mos janë të gjithë apostuj, apo mos janë të gjithë profetë? A mos janë të gjithë mësues, apo mos kanë të gjithë dhuntinë për të bërë mrekulli? A mos kanë të gjithë dhuntinë e shërimeve, apo mos flasin të gjithë shumë gjuhë? A mos janë të gjithë shpjegues gjuhësh? Por kërkoni me zell dhuntitë më të larta.

1 e Korintasve 12:1-31 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Edhe për sa u përket dhuntive frymërore, o vëllezër, nuk dua të jeni të paditur. Ju e dini se, kur ishit paganë, tërhiqeshit pas idhujve të pagojë, nën shtytje të çastit. Prandaj ju bëj të ditur se askush që flet në Frymën e Shenjtë nuk thotë: ''Mallkuar qoftë Jezusi!''; edhe asnjë nuk mund të thotë: ''Jezusi është Zot'', veç se në Frymën e Shenjtë. Ka larmi dhuntish, por i njëjti Frymë. Ka edhe larmi shërbimesh, por i njëjti Zot. Dhe ka larmi veprimtarish por është i njëjti Perëndi i cili i bën të gjitha gjërat në të gjithë. Dhe secilit i jepet shfaqja e Frymës për dobinë e përbashkët. Dikujt, pra, i jepet, me anë të Frymës, fjalë diturie; një tjetri, sipas të po atij Frymë, fjalë njohurie; një tjetri besim, nga po ai Frymë; një tjetri dhuntitë e shërimeve, nëpërmjet po atij Frymë; një tjetri pushtet për të kryer veprime të fuqishme; një tjetri profeci; një tjetri të dallojë frymërat; një tjetri larmi gjuhësh; një tjetri interpretimi i gjuhëve. Dhe të gjitha këto i bën i njëjti dhe i vetmi Frymë, duke i ndarë gjithsecilit dhunti veç e veç ashtu si do vetë. Sepse ashtu si trupi është një, por ka shumë gjymtyrë, dhe të gjitha gjymtyrët e të njëjtit trup, megjithëse janë shumë, formojnë një trup të vetëm, kështu është edhe Krishti. Sepse të gjithë ne jemi pagëzuar në një Frymë të vetëm në të njëjtin trup, qofshin hebrenjtë apo grekët, qofshin skllevërit a të liruarit, dhe të gjithë jemi ujitur në të njëjtin Frymë. Sepse edhe trupi nuk është një gjymtyrë e vetme, por shumë. Sikur të thoshte këmba: ''Mbasi nuk jam dorë, unë nuk jam pjesë e trupit'', mos për këtë nuk është pjesë e trupit? Dhe sikur veshi të thoshte: ''Mbasi nuk jam sy, unë nuk jam pjesë e trupit'', mos për këtë nuk është pjesë e trupit? Po të ishte gjithë trupi sy, ku do të ishte dëgjimi? Po të ishte gjithë dëgjim, ku do të ishte të nuhaturit? Por Perëndia ka vënë çdo gjymtyrë të trupit si ka dashur. Po të ishin të gjitha gjymtyrët një gjymtyrë e vetme, ku do të ishte trupi? Kështu, pra, janë shumë gjymtyrë, por një trup i vetëm. Dhe syri nuk mund t'i thotë dorës: ''Unë nuk kam nevojë për ty''; dhe po ashtu koka nuk mund t'u thotë këmbëve: ''Unë nuk kam nevojë për ju''. Madje, gjymtyrët e trupit që duken se janë më të dobëta, janë shumë më të nevojshme se të tjerat; dhe ato që ne i konsiderojmë më pak të nderuara, pikërisht ata rrethojmë me më shumë nderim; dhe të pahijshmet tona kanë më tepër hijeshi. Por gjymtyrët tona të hijshme nuk kanë nevojë. Por Perëndia e ndërtoi trupin duke i dhënë më tepër nder asaj pjese që e kishte mangut, që të mos kishte përçarje në trup, por të gjitha gjymtyrët të kenë të njëjtin kujdes për njëra-tjetrën. Dhe nëse vuan një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët vuajnë; kurse po të nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të. Dhe ju jeni trupi i Krishti dhe gjymtyrët e tij, veç e veç. Dhe Perëndia i vuri disa në kishë, së pari apostuj, së dyti profetë, së treti mësues; pastaj vepra të fuqishme; pastaj dhuntitë e shërimit, të ndihmës e të qeverisjes dhe të larmive të gjuhëve. A janë vallë të gjithë apostuj? Janë të gjithë profetë? Janë të gjithë mësues? A kanë të gjithë dhuntinë e veprave të fuqishme? A kanë të gjithë dhuntitë e shërimeve? A flasin të gjithë gjuhë të ndryshme? A interpretojnë të gjithë? Por kërkoni me zemër të zjarrtë dhuntitë më të mira; dhe unë do t'ju tregoj një udhë shumë më të lartë.