Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 e Korintasve 10:1-22

1 e Korintasve 10:1-22 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Vëllezër, nuk dua të mos e dini se etërit tanë ishin nën mbrojtjen e resë dhe që të gjithë kaluan mes për mes detit. Të gjithë ata u bashkuan me Moisiun duke u pagëzuar në re dhe në det. Të gjithë hëngrën të njëjtin ushqim shpirtëror dhe pinë të njëjtën pije shpirtërore, sepse pinin nga shkëmbi shpirtëror që i shoqëronte. Ky shkëmb ishte Krishti. Por shumica e tyre nuk gjetën pëlqimin e Perëndisë dhe ranë të vdekur në shkretëtirë. Këto ngjarje u bënë shembull për ne, që të mos dëshirojmë edhe ne gjëra të këqija, siç dëshiruan ata. Mos u bëni idhujtarë si disa prej tyre, sikurse është shkruar: populli u ul për të ngrënë e për të pirë dhe pastaj u ngrit për të luajtur. As të mos kurvërojmë si disa prej tyre, që ranë të vdekur njëzet e tre mijë veta në një ditë. As Krishtin të mos e vëmë në provë, siç bënë disa prej tyre, që vdiqën nga gjarpërinjtë. As mos murmurisni, siç bënë disa prej tyre, që u vranë nga engjëlli shkatërrues. Këto gjëra u ndodhën atyre si shembull dhe janë shkruar që të bëhen mësim për ne që jetojmë në fund të kohëve. Kush mendon se qëndron i sigurt, kujdes se mos rrëzohet! Sprovat që kishit deri tani kanë qenë brenda mundësive njerëzore. Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë të viheni në provë përtej mundësive tuaja, por bashkë me sprovat do t'ju japë edhe rrugëdaljen, që të mund t'i përballoni. Prandaj, fort të dashurit e mi, largohuni nga idhujtaria! Po flas me ju si me njerëz të arsyeshëm: gjykojini vetë këto që po them. Kur pimë nga kupa për të cilën bekojmë Perëndinë, a nuk marrim pjesë në gjakun e Krishtit? Kur hamë nga buka që thyejmë, a nuk marrim pjesë në trupin e Krishtit? Ashtu si buka është një e vetme, ashtu edhe ne, edhe pse jemi shumë, bëhemi një trup i vetëm, sepse marrim pjesë në të vetmen bukë. Shikoni popullin e Izraelit! A nuk marrin pjesë në altar ata që hanë flijimet që kushtohen mbi të? A dua të them me këtë se mishi që u flijohet idhujve ka ndonjë vlerë apo që idhujt janë ndonjë gjë? Jo, por dua të them se ato ua flijojnë djajve e jo Perëndisë dhe unë nuk dua që të keni pjesë me djajtë. Nuk mund të pini edhe nga kupa e Zotit, edhe nga kupa e djajve; nuk mund të hani edhe nga tryeza e Zotit, edhe nga tryeza e djajve. Mos duam të nxisim xhelozinë e Zotit? Vallë, mos jemi më të fortë se ai?

1 e Korintasve 10:1-22 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Sepse, o vëllezër, unë nuk dua që ju të mos e dini se gjithë etërit tanë ishin nën renë, dhe të gjithë shkuan nëpër det, dhe të gjithë u pagëzuan për Moisinë në re dhe në det, të gjithë hëngrën të njëjtën ushqim frymëror, dhe të gjithë pinë të njëjtën pije frymërore, sepse pinin prej shkëmbi frymëror që i ndiqte; edhe ky shkëmb ishte Krishti. Por Perëndia nuk pëlqeu shumicën prej tyre; sepse ranë të vdekur në shkretëtirë. Dhe këto u bënë si shembuj për ne, që ne të mos dëshirojmë gjëra të liga, ashtu si dëshiruan ata, dhe që të mos bëheni idhujtarë si disa nga ata, sikurse është shkruar: ''Populli u ul që të hajë dhe të pijë, dhe u ngrit për të luajtur''. Dhe të mos kurvërojmë, ashtu si kurvëruan disa nga ata edhe ranë të vdekur në një ditë njëzet e tre mijë. Dhe të mos e tundojmë Krishtin, ashtu si e tunduan disa nga ata dhe u vranë nga gjarpërinjtë. Dhe mos u ankoni, ashtu si u ankuan disa nga ata, dhe u vranë nga shkatërruesi. Dhe të gjitha këto gjëra u ndodhën atyre si shembull, dhe janë shkruar për paralajmërimin tonë, për ne që jemi në mbarim të epokave. Prandaj ai që mendon se qëndron më këmbë, le të shohë se mos bjerë. Asnjë tundim nuk ju ka gjetur juve, përveçse tundimi njerëzor; por Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që t'ju tundojnë përtej fuqive tuaja, por me tundimin do t'ju japë dhe rrugë dalje, që ju të mund ta përballoni. Prandaj, të dashurit e mi, largohuni nga idhujtaria. Po ju flas si të mençur, gjykojeni ju atë që them: kupa e bekimit, që ne bekojmë, a nuk është vallë pjesëmarrje në gjakun e Krishtit? Buka që ne thyejmë, a nuk është vallë pjesëmarrje në trupin e Krishtit? Sepse ne të shumtit, jemi një bukë, një trup, sepse të gjithë marrim pjesë në të vetmen bukë. Shikoni Izraelin sipas mishit: ata që hanë flijimet a nuk janë pjesëmarrës të altarit? Çfarë them, pra? Se idhulli është diçka? Apo se ajo që u është flijuar idhujve është diçka? Jo, por them se gjërat që flijojnë johebrenjtë, ua flijojnë demonëve dhe jo Perëndisë; tani unë nuk dua që ju të keni pjesë me demonët. Ju nuk mund të pini kupën e Zotit dhe kupën e demonëve; ju nuk mund të merrni pjesë në tryezën e Zotit dhe në tryezën e demonëve. A duam ne të provokojmë Zotin deri në xhelozi? A jemi ne më të fortë se ai?