Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 e Korintasve 10:1-13

1 e Korintasve 10:1-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Vëllezër, nuk dua të mos e dini se etërit tanë ishin nën mbrojtjen e resë dhe që të gjithë kaluan mes për mes detit. Të gjithë ata u bashkuan me Moisiun duke u pagëzuar në re dhe në det. Të gjithë hëngrën të njëjtin ushqim shpirtëror dhe pinë të njëjtën pije shpirtërore, sepse pinin nga shkëmbi shpirtëror që i shoqëronte. Ky shkëmb ishte Krishti. Por shumica e tyre nuk gjetën pëlqimin e Perëndisë dhe ranë të vdekur në shkretëtirë. Këto ngjarje u bënë shembull për ne, që të mos dëshirojmë edhe ne gjëra të këqija, siç dëshiruan ata. Mos u bëni idhujtarë si disa prej tyre, sikurse është shkruar: populli u ul për të ngrënë e për të pirë dhe pastaj u ngrit për të luajtur. As të mos kurvërojmë si disa prej tyre, që ranë të vdekur njëzet e tre mijë veta në një ditë. As Krishtin të mos e vëmë në provë, siç bënë disa prej tyre, që vdiqën nga gjarpërinjtë. As mos murmurisni, siç bënë disa prej tyre, që u vranë nga engjëlli shkatërrues. Këto gjëra u ndodhën atyre si shembull dhe janë shkruar që të bëhen mësim për ne që jetojmë në fund të kohëve. Kush mendon se qëndron i sigurt, kujdes se mos rrëzohet! Sprovat që kishit deri tani kanë qenë brenda mundësive njerëzore. Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë të viheni në provë përtej mundësive tuaja, por bashkë me sprovat do t'ju japë edhe rrugëdaljen, që të mund t'i përballoni.

1 e Korintasve 10:1-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Sepse, o vëllezër, unë nuk dua që ju të mos e dini se gjithë etërit tanë ishin nën renë, dhe të gjithë shkuan nëpër det, dhe të gjithë u pagëzuan për Moisinë në re dhe në det, të gjithë hëngrën të njëjtën ushqim frymëror, dhe të gjithë pinë të njëjtën pije frymërore, sepse pinin prej shkëmbi frymëror që i ndiqte; edhe ky shkëmb ishte Krishti. Por Perëndia nuk pëlqeu shumicën prej tyre; sepse ranë të vdekur në shkretëtirë. Dhe këto u bënë si shembuj për ne, që ne të mos dëshirojmë gjëra të liga, ashtu si dëshiruan ata, dhe që të mos bëheni idhujtarë si disa nga ata, sikurse është shkruar: ''Populli u ul që të hajë dhe të pijë, dhe u ngrit për të luajtur''. Dhe të mos kurvërojmë, ashtu si kurvëruan disa nga ata edhe ranë të vdekur në një ditë njëzet e tre mijë. Dhe të mos e tundojmë Krishtin, ashtu si e tunduan disa nga ata dhe u vranë nga gjarpërinjtë. Dhe mos u ankoni, ashtu si u ankuan disa nga ata, dhe u vranë nga shkatërruesi. Dhe të gjitha këto gjëra u ndodhën atyre si shembull, dhe janë shkruar për paralajmërimin tonë, për ne që jemi në mbarim të epokave. Prandaj ai që mendon se qëndron më këmbë, le të shohë se mos bjerë. Asnjë tundim nuk ju ka gjetur juve, përveçse tundimi njerëzor; por Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që t'ju tundojnë përtej fuqive tuaja, por me tundimin do t'ju japë dhe rrugë dalje, që ju të mund ta përballoni.