1 i Kronikave 16:23-36
1 i Kronikave 16:23-36 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Le t'i këndojë ZOTIT dheu mbarë, shpëtimin e tij përditë kumtoni. Ndër kombe rrëfejeni lavdinë e tij, mrekullitë e tij ndër popuj mbarë, se i madh është ZOTI e fort i lavdërueshëm, më i tmerrshëm se të gjithë perënditë. Se mbarë perënditë e popujve janë të kotë, por ZOTI bëri qiejt. Shkëlqim e madhështi para tij, në vendin e tij fuqi e hare. Jepini ZOTIT, o familjet e popujve, jepini ZOTIT lavdi e fuqi, jepini ZOTIT lavdinë e emrit të tij! Kushtojini fli e dilni para tij, adhuroni ZOTIN veshur me shkëlqim. Le të dridhet para tij mbarë toka, se botës i vë themel e ajo nuk do të trandet. Le të ngazëllejë qielli e të gëzojë toka, le të thuhet ndër popuj: «ZOTI mbretëron». Le të ushtojë deti me gjithçka në të, e fusha me gjithçka në të le të galdojë. Atëherë do të brohorasin pemët e pyllit para ZOTIT që vjen për ta gjykuar tokën. Përlëvdoni Zotin, se është i mirë, se mirësia e tij mbetet përjetë. Thoni: «Shpëtona, o Perëndi i shpëtimit tonë, mblidhna e çlirona nga kombet, që ta falënderojmë emrin tënd të shenjtë, të mburremi duke të të lavdëruar. Bekuar qoftë ZOTI, Perëndia i Izraelit, nga mot e përgjithmonë!». Mbarë populli u përgjigj: «Amen» e «Lavdi Zotit».
1 i Kronikave 16:23-36 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Këndojini Zotit, o banorë të të gjithë tokës, lajmëroni çdo ditë shpëtimin e tij! Shpallni lavdinë e tij midis kombeve dhe mrekullitë e tij midis tërë popujve! Sepse Zoti është i madh dhe i denjë të lëvdohet në kulm; ai është më i tmerrshmi nga tërë perënditë. Sepse tërë perënditë e kombeve janë idhuj, kurse Zoti ka krijuar qiejt. Shkëlqimi dhe madhëria janë para tij, forca dhe gëzimi ndodhen në banesën e tij. Jepini Zotit, o familje të popujve, jepini Zotit lavdi dhe forcë. Jepini Zotit zulmin që i takon emrit të tij, çojini oferta dhe ejani para tij. Bini përmbys para Zotit në shkëlqimin e shenjtërisë së tij; dridhuni para tij, o banorë të të gjithë tokës! Po, bota është e qëndrueshme dhe nuk do të tundet. Le të gëzohen qiejt dhe toka, dhe le të thonë kombet: "Zoti mbretëron". Le të gjëmojë deti dhe tërë ato që janë në të; atëherë tërë drurët e pyllit do të lëshojnë britma gëzimi përpara Zotit, sepse ai vjen të gjykojë tokën. Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. Thoni: "Shpëtona, o Perëndi i shpëtimit tonë! Na mblidh dhe na çliro nga kombet, me qëllim që të kremtojmë emrin tënd të shenjtë dhe të mburremi se të kemi lëvduar". I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga amshimi në amshim! Dhe tërë populli tha: "Amen", dhe lëvdoi Zotin.