1 i Kronikave 12:8-18
1 i Kronikave 12:8-18 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Joelahu e Zebadjahu, bijtë e Jerohamit nga Gedori. Disa prej gaditëve u bashkuan me Davidin në strehimin e shkretëtirës. Ishin burra të fortë e ushtarë luftarakë, përdorues të shqytit e të heshtës, me pamje luani e të shkathët si sorkadhet e bjeshkëve. Kryetari ishte Ezeri, i dyti Abdia, i treti Eliabi, i katërti Mishmanahu, i pesti Jeremia, i gjashti Ataji, i shtati Elieli, i teti Johanani, i nënti Elzabadi, i dhjeti Jeremia, i njëmbëdhjeti Makbanai. Këta ishin prej bijve të Gadit, prijësit ushtarak. Më i vogli prijës për njëqind vetë e më i madhi për një mijë. Këta e kaluan Jordanin në muajin e parë, kur fryhej e dilte nga brigjet gjithandej, dhe i dëbuan të gjithë banorët e luginës, në lindje e në perëndim. Disa prej bijve të Benjaminit e të Judës shkuan deri te fortesa e Davidit. Davidi u doli para, iu përgjigj e tha: «Nëse keni ardhur tek unë paqësisht, për të më ndihmuar, jam i gatshëm të bashkohem me ju me gjithë zemër, por nëse më dorëzoni te kundërshtarët, edhe pse duart e mia nuk kanë ushtruar dhunë, paftë e gjykoftë Perëndia i etërve tanë!».
1 i Kronikave 12:8-18 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ndër gaditët disa njerëz vendosën të bashkohen me Davidin në kalanë e shkretëtirës; ishin njerëz të fortë dhe trima, të stërvitur për luftë, të shkathët në përdorimin e mburojës dhe të shtizës; fytyrat e tyre ishin si fytyrat e luanëve dhe në malet ishin të shpejtë si gazelat. Ezeri ishte i pari i tyre, Obadiahu vinte i dyti dhe Eliabi i treti, Mishmanahu i katërti, Jeremia i pesti Atai i gjashti, Elieli i shtati, Johanani i teti, Elzabadi i nënti, Jeremia i dhjeti, Makbanai i njëmbëdhjeti. Këta gaditë ishin komandantë të ushtrisë; më i vogli komandonte njëqind ushtarë, më i madhi një mijë. Këta janë ata që kaluan Jordanin në muajin e parë kur ky lumë kishte dalë nga shtrati i tij, dhe i bënë të ikin me vrap tërë banorët e luginave, në lindje dhe në perëndim. Edhe disa nga bijtë e Beniaminit e të Judës shkuan te Davidi në kala. Davidi u doli përpara dhe, duke marrë fjalën, tha: "Në rast se keni ardhur tek unë me qëllime paqësore për të më ndihmuar, jam gati të bashkohem me juve, por në se keni ardhur për të më tradhtuar dhe për të më dorëzuar në duart e kundërshtarëve të mi, megjithëse unë nuk kam përdorur fare dhunën, Perëndia i etërve tanë le të shohë dhe le të dënojë". Atëherë Fryma e përshkoi Amasain, të parin e të tridhjetëve, që thirri: "Ne jemi me ty, David; jemi me ty, o biri i Isait! Paqe, paqe ty dhe paqe atij që të ndihmon, sepse Perëndia yt të ndihmon". Atëherë Davidi i priti dhe i bëri komandantë të trupave.