1 i Kronikave 11:4-9
1 i Kronikave 11:4-9 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Davidi shkoi me mbarë Izraelin në Jerusalem, domethënë në Jebus, sepse në atë tokë banonin jebusitët. Banorët e Jebusit i thanë Davidit: «Ti nuk do të hysh këtu», por Davidi e pushtoi fortesën e Sionit, domethënë qytetin e Davidit. Davidi kishte thënë: «Kush i godet i pari jebusitët, do të bëhet kryetar e prijës». Atëherë Joabi, biri i Cerujahut, ishte ngjitur i pari e ishte bërë kryetar. Davidi u vendos në këtë fortesë, prandaj e quajnë Qyteti i Davidit. Ai e rindërtoi qytetin nga Miloja përreth, ndërsa Joabi ndërtoi pjesën tjetër të qytetit. Davidi bëhej gjithnjë e më i fuqishëm dhe ZOTI i ushtrive ishte me të.
1 i Kronikave 11:4-9 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Davidi së bashku me tërë Izraelin doli kundër Jeruzalemit, që është Jebusi, ku ndodheshin jebusenjtë, banorë të vendit. Atëherë banorët e Jebusit i thanë Davidit: "Nuk do të hysh këtu". Por Davidi pushtoi qytetin e fortifikuar të Sionit, që është qyteti i Davidit. Davidi kishte thënë: "Ai që do t'i mundë i pari jebusenjtë do të bëhet kryetar dhe princ". Doli i pari Joabi, bir i Tserujahut, që u bë kështu kryetar. Davidi u vendos pastaj në kalanë që u quajt për këtë arsye "qyteti i Davidit". Pastaj ai bëri ndërtime përreth qytetit nga Milo dhe në gjithë perimetrin e tij; Joabi meremetoi pjesën tjetër të qytetit. Kështu Davidi bëhej gjithnjë e më i madh dhe Zoti i ushtrive ishte me të.