Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ruthi 2:14-23

Ruthi 2:14-23 ALBB

Në kohën e drekës Boazi i tha: "Eja këtu, ha bukë dhe ngjyeje kafshatën tënde në uthull". Kështu ajo u ul midis korrësve. Boazi i ofroi grurë të pjekur, dhe ajo hëngri sa u ngop dhe vuri mënjanë tepricat. Pastaj u ngrit për të vazhduar mbledhjen e kallinjve që kishin mbetur, dhe Boazi u dha këtë urdhër shërbëtorëve të tij duke thënë: "Lëreni të vazhdojë të mbledhë kallinjtë edhe midis duajve dhe mos e qortoni; përveç kësaj lini që të bien për të kallinj nga dorëza dhe mos i merrni, me qëllim që t'i mbledhë ajo, dhe mos i bërtisni". Pastaj ajo vazhdoi të mbledhë kallinj në arë deri në mbrëmje, pastaj shiu atë që kishte mbledhur dhe siguroi pothuaj një efë elbi. E ngarkoi në kurriz, hyri në qytet dhe e vjehrra pa atë që kishte mbledhur. Pastaj Ruthi nxori atë që kishte tepruar nga ushqimi pasi ajo ishte ngopur dhe ia dha. E vjehrra e pyeti: "Ku i ke mbledhur kallinjtë sot? Ku ke punuar? Bekuar qoftë ai që tregoi kujdes për ty!". Kështu Ruthi i tregoi së vjehrrës pranë kujt kishte punuar dhe shtoi: "Njeriu pranë të cilit punova sot quhet Boaz". Naomi i tha nuses: "Qoftë i bekuar nga Zoti ai që nuk e ka hequr mirësinë e tij nga të gjallët dhe të vdekurit". Dhe shtoi: "Ky njeri është një i afërti ynë i ngushtë, një njeri që ka të drejtë të na shpengojë". Atëherë Ruthi, moabitja, tha: "Më tha edhe: "Rri me shërbëtorët e mi, derisa të kenë mbaruar korrjen time"". Naomi i tha Ruthit, nuses së saj: "E mira është që ti të shkosh, bija ime, me shërbëtoret e tij dhe mos të të gjejnë në një arë tjetër". Kështu ajo mbeti duke mbledhur kallinj me shërbëtoret e Boazit deri në fund të korrjes së elbit dhe të grurit. Dhe banonte bashkë me të vjehrrën.