Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Romakëve 13:1-14

Romakëve 13:1-14 ALBB

Çdo njeri le t'i nënshtrohet pushteteve të sipërm, sepse nuk ka pushtet veçse prej Perëndisë; dhe pushtetet që janë, janë caktuar nga Perëndia. Prandaj ai që i kundërvihet pushtetit, i kundërvihet urdhrit të Perëndisë; dhe ata që i kundërvihen do të marrin mbi vete dënimin. Sepse eprorët s'ke pse t'i kesh frikë për vepra të mira, por për të këqijat; a do, pra, të mos i kesh frikë pushtetit? Bëj të mirën, dhe do të kesh lavdërim nga ai, sepse eprori është shërbëtor i Perëndisë për ty për të mirë; por, po të bësh të këqija, druaj, sepse nuk e mban kot shpatën; sepse ai është shërbëtor i Perëndisë, hakmarrës plot zemërim kundër atij që bën të keqen. Prandaj është e nevojshme t'i nënshtroheni, jo vetëm nga druajtje e zemërimit, por edhe për arsye të ndërgjegjes. Sepse për këtë paguani edhe tatimet, sepse ata janë shërbëtorë të Perëndisë, që i kushtohen vazhdimisht këtij shërbimi. I jepni, pra, secilit atë që i takon: tatimin atij që i përket, druajtje atij që është për t'u druajtur, nderimin atij që është për nderim. Mos i kini asnjë detyrim askujt, përveçse ta doni njëri-tjetrin, sepse ai që e do tjetrin e tij e ka përmbushur ligjin. Sepse urdhërimet: ''Mos shkel kurorë, mos vrit, mos vidh, mos thua dëshmi të rreme, mos lakmo'', dhe në pastë ndonjë urdhërim tjetër, përmblidhen në këtë fjalë: ''Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!''. Dashuria nuk i bën keq të afërmit; dashuria, pra, është përmbushja e ligjit. Dhe këtë aq më shumë duhet të bëjmë, duke ditur kohën, sepse tanimë erdhi ora të zgjohemi nga gjumi, sepse shpëtimi ynë është më afër, se kur besuam. Nata u thye dhe dita u afrua; le të flakim, pra, veprat e errësirës dhe të veshim armët e dritës. Le të ecim me ndershmëri, si ditën, jo në orgji dhe në dehje, jo në imoralitet dhe sensualizëm, jo në grindje e në smirë. Por vishuni me Zotin Jezu Krisht dhe mos tregoni kujdes për mishin, që t'ia kënaqni lakmitë.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë