Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Romakëve 11:1-21

Romakëve 11:1-21 ALBB

Unë, pra, them: A thua Perëndia e hodhi poshtë popullin e vet? Aspak, sepse edhe unë jam Izraelit, nga pasardhja e Abrahamit, nga fisi i Beniaminit. Perëndia nuk e hodhi poshtë popullin e vet, të cilin e njohu që përpara. A nuk e dini ju ç'thotë Shkrimi për Elian? Si i drejtohet ai Perëndisë kundër Izraelit, duke thënë: ''O Zot, profetët e tu i vranë dhe altarët e tu i prishën, dhe unë mbeta i vetëm, dhe ata kërkojnë jetën time''. Por, çfarë i tha zëri hyjnor? ''Kam lënë për veten time shtatë mijë burra, që nuk kanë rënë në gjunjë përpara Baalit''. Kështu, pra, edhe në kohën e tanishme ka mbetur një mbetje pas zgjedhjes së hirit. Dhe, po të jetë prej hirit, nuk është më prej veprash, përndryshe hiri nuk do të ishte më hir, përndryshe vepra nuk do të ishte më vepër. E çfarë, atëherë? Izraeli nuk e mori atë që kërkonte, kurse të zgjedhurit e morën, dhe të tjerët u verbuan, siç është shkruar: ''Perëndia u dha atyre frymë hutimi, sy që të mos shohin dhe veshë që të mos dëgjojnë deri në ditën e sotme''. Dhe Davidi thotë: ''Tryeza e tyre iu bëftë lak, një kurth, një pengesë dhe një shpagim. Sytë e tyre u errësofshin që të mos shohin, dhe kurrizin e tyre kërruse përgjithnjë''. Unë them, pra: ''Mos u penguan, që të rrëzohen? Aspak; por me anë të rrëzimit të tyre u erdhi shpëtimi johebrenjve, që t'i shtjerë ata në xhelozi. Edhe nëse rrëzimi i tyre është fitim për botën dhe pakësimi i tyre është fitim për johebrenjtë, sa më tepër do të jetë mbushullia e tyre? Sepse unë po ju flas juve, johebrenjve, duke qenë se jam apostulli i johebrenjve; dhe unë e nderoj shërbesën time, për të provuar se në ndonjë mënyrë mund t'i provokoj se mos i shtie në zili ata që janë mishi im edhe shpëtoj disa prej tyre. Sepse, në qoftë se refuzimi i tyre është pajtim për botën, ç'do të jetë pranimi i tyre, përveçse kalimi prej vdekjes në jetë? Edhe po të jenë pemët e para të shenjta, edhe e tëra është e shenjtë; dhe po të jetë rrënja e shenjtë, edhe degët janë të shenjta. Edhe sikur të këputen disa degë, ti që ishe ullastër u shartove në vend të tyre dhe u bëre pjesëtar i rrënjës dhe i majmërisë së drurit të ullirit, mos u mburr kundër degëve: por nëse mburresh kundër tyre, mos harro se nuk e mban ti rrënjën, po rrënja të mban ty. Do të thuash, pra: ''Degët u prenë që të shartohem unë''. Mirë, ato u prenë për mosbesimin, por ti qëndron për shkak të besimit; mos u kreno, por druaj. Sepse nëse Perëndia nuk i kurseu degët natyrore, shiko se mos nuk të kursen edhe ty.