Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 69:1-18

Psalmet 69:1-18 ALBB

Shpëtomë, o Perëndi, se ujërat më kanë arritur deri në grykë. Jam zhytur në një batak të thellë dhe nuk gjej asnjë pikë mbështetjeje; kam arritur në ujëra të thella dhe rryma më rrëmben me vete. Jam lodhur duke bërtitur, gryka më është tharë; sytë e mi konsumohen në pritje të Perëndisë tim. Ata që më urrejnë pa shkak janë më të shumtë se flokët e mi; janë të fuqishëm ata që duan të më shkatërrojnë dhe që janë pa të drejtë armiq të mi; jam i detyruar të kthej atë që nuk kam vjedhur. O Perëndi, ti e di marrëzinë time dhe fajet e mia nuk të janë fshehur. Mos u ngatërrofshin për shkakun tim ata që kanë shpresë te ti, o Zot, Zoti i ushtrive; mos u turpërofshin për shkakun tim ata që të kërkojnë, o Perëndi i Izraelit. Për hir të dashurisë sate unë po heq një poshtërim dhe turpi më mbulon fytyrën. Unë jam i bërë një i huaj për vëllezërit e mi dhe për bijtë e nënës sime. Sepse zelli i shtëpisë sate më ka përpirë dhe fyerjet e rënda të atij që të fyen kanë rënë mbi mua. Kam qarë duke pikëlluar shpirtin tim me agjërim, por kjo më ka sjellë çnderim. Kam veshur madje si rroba një thes, por u bëra për ta objekt talljeje. Ata që ulen te porta flasin për mua, dhe u bëra kënga e pijanecëve. Por sa për mua, o Zot, lutja ime të drejtohet ty, o Zot, në kohë të pranueshme; në dhembshurinë tënde të madhe përgjigjmu, o Perëndi, në shpëtimin tënd të siguruar. Më nxirr nga bataku që të mos fundosem në të, dhe bëj që të çlirohem nga ata që më urrejnë dhe nga ujërat e thella. Mos më mbuloftë rryma e ujërave, mos më përpiftë humnera dhe mos u mbylltë gryka e pusit mbi mua. Përgjigjmu, o Zot, sepse mirësia jote është e çmuar; në dhembshuritë e tua të mëdha sillu nga unë. Mos e fshih fytyrën tënde nga shërbëtori yt, sepse jam në ankth; nxito të më përgjigjesh. Afrohu te unë dhe më shpjego; çliromë nga armiqtë e mi.