Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Nehemia 8:1-12

Nehemia 8:1-12 ALBB

Atëherë tërë populli u mblodh si një njeri i vetëm në sheshin që ishte përpara portës së Ujërave; i thanë pastaj shkruesit Ezdra të sillte librin e ligjit të Moisiut, që Zoti i kishte dhënë Izraelit. Ditën e parë të muajit të shtatë, prifti Ezdra solli ligjin para asamblesë së burrave, të grave dhe të gjithë atyre që ishin të aftë të kuptonin. Pastaj e lexoi në sheshin që ndodhet përpara portës së Ujërave, nga agimi deri në mesditë përpara burrave, grave dhe atyre që ishin të aftë të kuptonin; dhe veshët e të gjithë popullit ndiqnin me vëmendje librin e ligjit. Shkruesi Ezdra qëndronte mbi një tribunë prej druri që kishin bërë për këtë rast. Pranë tij ishin në të djathtë Matithiahu, Shema, Ananiahu, Uria, Hilkiahu dhe Maaseiahu; në të majtë Pedajahu, Mishaeli, Malkijahu, Hashumi, Hashbadana, Zakaria dhe Meshulami. Ezdra e hapi librin në prani të të gjithë popullit, sepse rrinte më lart se tërë populli; sa e hapi, tërë populli u ngrit në këmbë. Ezdra bekoi Zotin, Perëndinë i madh, dhe tërë populli u përgjigj: "Amen, amen", duke ngritur duart; pastaj u përkulën dhe ranë përmbys me fytyrë për tokë përpara Zotit. Jeshua, Bani, Sherebiahu, Jamini, Akubi, Shabethai, Hodijahu, Maaseiahu, Kelita, Azaria, Jozabadi, Hanani, Pelajahu dhe levitët e ndihmonin popullin të kuptonte ligjin, ndërsa populli rrinte në këmbë në vendin e tij. Ata lexonin në librin e ligjit të Perëndisë në mënyrë të qartë, duke shpjeguar domethënien e tij, me qëllim që të kuptonin atë që lexohej. Nehemia, që ishte qeveritari, Ezdra, prift dhe shkrues, dhe levitët që e mësonin popullin i thanë tërë popullit: "Kjo ditë i shenjtërohet Zotit, Perëndisë tuaj; mos mbani zi dhe mos qani!". Tërë populli Pastaj Nehemia u tha atyre: "Shkoni, hani, ushqime shumë të shijshme dhe pini verëra të ëmbla, dhe u çoni racione atyre që nuk kanë përgatitur asgjë, sepse kjo ditë i është shenjtëruar Zotit tonë. Mos u trishtoni, sepse gëzimi i Zotit është fuqia juaj". Levitët e mbanin në heshtje tërë popullin, duke thënë: "Heshtni, sepse kjo ditë është e shenjtë. Mos u trishtoni!". Atëherë tërë populli shkoi të hajë, të pijë, t'u dërgojë racione të varfërve dhe të kremtojë me hare të madhe, sepse ata i kishin kuptuar fjalët që u ishin shpjeguar.