Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 6:33-56

Marku 6:33-56 ALBB

Porsa turma i pa që u nisën, dhe shumë veta e njohën; dhe nga të gjitha qytetet erdhën aty me këmbë dhe mbërritën përpara tyre; dhe u mblodhën rreth tij. Kur Jezusi doli nga barka, pa një turmë të madhe dhe iu dhimbs, sepse ishin si delet pa bari; dhe nisi t'u mësojë shumë gjëra. Duke qenë se u bë vonë, dishepujt e tij iu afruan dhe i thanë: ''Ky vend është i shkretë, dhe tashmë është vonë. Lejoi këta njerëz që të shkojnë në fushat dhe në fshatrat rreth e qark që të blejnë bukë, se s'kanë gjë për të ngrënë''. Por ai, duke iu përgjigjur, u tha atyre: ''U jepni ju të hanë!'' Ata i thanë: ''A duhet të shkojmë ne të blejmë për dyqind denarë bukë dhe t'u japim të hanë?''. Dhe ai u tha atyre: ''Sa bukë keni? Shkoni e shikoni''. Ata, mbasi shikuan, thanë: ''Pesë bukë e dy peshq''. Atëherë ai i urdhëroi ata që t'i rregullojnë të gjithë, ulur në grupe, mbi barin e njomë. Kështu ata u ulën në grupe nga njëqind e nga pesëdhjetë. Pastaj ai mori pesë bukët dhe dy peshqit, i ngriti sytë nga qielli, i bekoi; i theu bukët dhe ua dha dishepujve të vet, që t'ua shpërndanin atyre; ua ndau gjithashtu dy peshqit të gjithëve. Të gjithë hëngrën sa u ngopën. Dhe mblodhën dymbëdhjetë shporta me copa buke dhe me mbetje peshku. Ata që hëngrën nga ato bukë ishin pesë mijë burra. Menjëherë Jezusi i detyroi dishepujt e vet të hyjnë në barkë dhe t'i prijnë në bregun tjetër drejt Betsaidas, derisa ai ta lejonte turmën. Sapo e lejoi, ai iu ngjit malit për t'u lutur. U ngrys, barka ishte në mes të detit dhe ai ishte i vetëm fare në tokë. Dhe kur i pa dishepujt që po mundoheshin duke vozitur, sepse era ishte kundër tyre, aty nga roja e katërt e natës, ai u nis drejt tyre duke ecur përmbi det dhe donte t'i kalonte. Por ata, kur e panë që po ecte mbi det, menduan se ishte një fantazmë dhe filluan të bërtasin, sepse e kishin parë të gjithë dhe ishin trembur; por ai menjëherë filloi të flasë me ta dhe tha: ''Merrni zemër, jam unë, mos kini frikë!'' Pastaj hipi në barkë me ta dhe era pushoi; dhe ata mbetën jashtëzakonisht të habitur në veten e tyre dhe u mrekulluan, sepse nuk e kishin kuptuar ndodhinë e bukëve, sepse zemra e tyre ishte ngurtësuar. Mbasi kaluan, arritën në krahinën e Gjenesaretit dhe aty e lidhën barkën. Dhe kur dolën nga barka, njerëzit e njohën menjëherë dhe, duke përshkuar me vrap mbarë krahinën përreth, filluan të sjellin të sëmurë në vigje, kudo që dëgjonin se gjendej; dhe kudo ku ai vinte, në fshatra, në qytete a në lagje, njerëzit i vendosnin të lënguarit në sheshe dhe e lutnin që të paktën të mund të preknin cepin e rrobës së tij; dhe të gjithë ata që e preknin, shëroheshin.