Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 14:53-72

Marku 14:53-72 ALBB

Atëherë ata e çuan Jezusin te kryeprifti, ku u mblodhën të gjithë krerët e priftërinjve, pleqtë dhe skribët. Dhe Pjetri e ndoqi nga larg deri brenda në pallatin e kryepriftit dhe u ul atje bashkë me rojat dhe ngrohej afër zjarrit. Dhe krerët e priftërinjve dhe gjithë sinedri kërkonin dëshmi kundër Jezusit për ta vrarë, por nuk po gjenin. Shumë veta në fakt jepnin dëshmi të rreme kundër tij; por dëshmitë e tyre nuk përkonin. Atëherë disa u ngritën dhe dëshmuan rrejshëm kundër tij duke thënë: ''Ne e kemi dëgjuar se ka thënë: "Unë do ta shkatërroj këtë tempull të bërë me duar, dhe brenda tri ditësh do të ndërtoj një tjetër që nuk është bërë me duar"''. Por as mbi këtë dëshmia e tyre nuk përkonte. Atëherë kryeprifti u ngrit në mes të kuvendit dhe e pyeti Jezusin duke thënë: ''Nuk përgjigjesh fare? Çfarë po dëshmojnë këta kundër teje?''. Por ai heshti dhe nuk u përgjigj fare. Përsëri kryeprifti e pyeti dhe i tha: ''A je ti Krishti, Biri i të Bekuarit?''. Dhe Jezusi tha: ''Unë jam. Dhe ju do ta shihni Birin e njeriut të ulur në të djathtën e Pushtetit dhe duke ardhur me retë e qiellit''. Atëherë kryeprifti, duke i shqyer rrobat, tha: ''Ç'nevojë kemi më për dëshmitarë? Ju e dëgjuat blasfeminë, ç'ju duket?''. Dhe të gjithë gjykuan se meritonte vdekjen. Atëherë disa filluan ta pështyjnë, t'ia zënë fytyrën, ta qëllojnë me shuplaka dhe t'i thonë: ''Profetizo!''. Dhe rojat e godisnin. Ndërsa Pjetri ishte poshtë në pallat, erdhi një shërbëtore e kryepriftit. Dhe kur pa Pjetrin që po ngrohej, e vështroi me kujdes dhe tha: ''Edhe ti ishe me Jezusin Nazareas''. Por ai e mohoi duke thënë: ''Nuk e njoh, nuk kuptoj çfarë thua''. Pastaj doli jashtë në hajat dhe gjeli këndoi. Dhe shërbëtorja, duke e parë përsëri, filloi t'u flasë të pranishmëve: ''Ky është një nga ata''. Por ai përsëri e mohoi. Dhe pak më vonë të pranishmit i thanë përsëri Pjetrit: ''Me të vërtetë ti je një nga ata; se ti je galileas dhe e folura jote e zbulon''. Por ai nisi të mallkojë dhe të betohet: ''Unë nuk e njoh atë njeri për të cilin po flisni''. Dhe gjeli këndoi për të dytën herë; atëherë Pjetrit iu kujtua fjala që Jezusi i kishte thënë: ''Përpara se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë''. Dhe, duke e menduar këtë, qau.

Devocione dhe Plane Leximi falas për Marku 14:53-72