Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 14:12-23

Marku 14:12-23 ALBB

Tani në ditën e parë të festës së të Ndormëve, kur flijohej Pashka, dishepujt e vet i thanë: ''Ku do të shkojmë dhe të përgatisim për ta ngrënë Pashkën?''. Atëherë ai dërgoi dy nga dishepujt e vet duke u thënë: ''Shkoni në qytet dhe atje do të takoni një njeri, që bart një kanë plot me ujë; ndiqeni atë. Dhe atje ku ai do të hyjë, i thoni të zotit të shtëpisë: "Mësuesi pyet: Ku është dhoma ku mund të ha Pashkën me dishepujt e mi?". Atëherë ai do t'ju tregojë lart një sallë të madhe të mobiluar dhe gati; aty përgatitni për ne''. Dishepujt e tij shkuan, arritën në qytet dhe gjetën ashtu siç ai u kishte thënë; dhe përgatitën Pashkën. Kur u bë darkë, ai erdhi me të dymbëdhjetët. Dhe kur po rrinin në tryezë dhe po hanin, Jezusi tha: ''Ju them në të vërtetë se njëri prej jush, që po ha me mua, do të më tradhtojë''. Atëherë ata filluan të trishtohen dhe t'i thoshin njëri pas tjetrit: ''Mos jam unë?''. Dhe një tjetër tha: ''Mos jam unë?''. Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Është një nga të dymbëdhjetët që po ngjyen me mua në çanak. Po, Biri i njeriut po shkon ashtu siç është shkruar për të; por mjerë ai njeri me anë të cilit tradhtohet Biri i njeriut. Do të ishte më mirë për të, që ai njeri të mos kishte lindur kurrë!''. Dhe, ndërsa ata po hanin, Jezusi mori bukë, e bekoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: ''Merrni, hani; ky është trupi im''. Pastaj mori kupën, e falënderoi, ua dha atyre dhe të gjithë pinë prej saj.