Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 14:1-25

Marku 14:1-25 ALBB

Tani dy ditë më vonë ishte Pashka dhe festa e të Ndormëve; dhe krerët e priftërinjve dhe skribët kërkonin mënyrën se si ta kapnin Jezusin me mashtrim dhe ta vrisnin. Por thoshin: ''Jo gjatë festës, që të mos ndodhë ndonjë trazirë nga populli''. Tani ai ishte në Betania, në shtëpinë e Simonit lebros, dhe ndërsa ishte në tryezë, hyri një grua me një enë alabastri me vaj të parfumuar me nard të vërtetë, shumë të kushtueshëm; ajo e theu enën prej alabastri dhe ia derdhi vajin mbi krye. Disa u indinjuan midis tyre dhe thanë: ''Përse bëhet gjithë ky shpenzim i kotë i vajit? Sepse ky vaj mund të shitej për më shumë se treqind denarë dhe këto t'u jepeshin të varfërve''. Dhe ishin të indinjuar ndaj asaj. Por Jezusi tha: ''Lëreni të qetë; pse e shqetësoni? Ajo kreu një vepër të mirë ndaj meje. Sepse të varfrit do t'i keni gjithmonë me ju; dhe, kur të doni, mund t'u bëni mirë; por mua nuk do të më keni gjithmonë. Ajo bëri atë që mundi; vajosi para kohe trupin tim për varrim. Por po ju them në të vërtetë se në gjithë botën, kudo që do të predikohet ky ungjill, do të tregojnë edhe atë që ajo bëri, në përkujtim të saj''. Atëherë Juda Iskarioti, një nga të dymbëdhjetët, shkoi te krerët e priftërinjve, që t'ua dorëzonte Jezusin. Dhe ata, kur e dëgjuan, u gëzuan dhe i premtuan se do t'i jepnin para. Kështu ai kërkonte rastin e përshtatshëm për ta tradhtuar. Tani në ditën e parë të festës së të Ndormëve, kur flijohej Pashka, dishepujt e vet i thanë: ''Ku do të shkojmë dhe të përgatisim për ta ngrënë Pashkën?''. Atëherë ai dërgoi dy nga dishepujt e vet duke u thënë: ''Shkoni në qytet dhe atje do të takoni një njeri, që bart një kanë plot me ujë; ndiqeni atë. Dhe atje ku ai do të hyjë, i thoni të zotit të shtëpisë: "Mësuesi pyet: Ku është dhoma ku mund të ha Pashkën me dishepujt e mi?". Atëherë ai do t'ju tregojë lart një sallë të madhe të mobiluar dhe gati; aty përgatitni për ne''. Dishepujt e tij shkuan, arritën në qytet dhe gjetën ashtu siç ai u kishte thënë; dhe përgatitën Pashkën. Kur u bë darkë, ai erdhi me të dymbëdhjetët. Dhe kur po rrinin në tryezë dhe po hanin, Jezusi tha: ''Ju them në të vërtetë se njëri prej jush, që po ha me mua, do të më tradhtojë''. Atëherë ata filluan të trishtohen dhe t'i thoshin njëri pas tjetrit: ''Mos jam unë?''. Dhe një tjetër tha: ''Mos jam unë?''. Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Është një nga të dymbëdhjetët që po ngjyen me mua në çanak. Po, Biri i njeriut po shkon ashtu siç është shkruar për të; por mjerë ai njeri me anë të cilit tradhtohet Biri i njeriut. Do të ishte më mirë për të, që ai njeri të mos kishte lindur kurrë!''. Dhe, ndërsa ata po hanin, Jezusi mori bukë, e bekoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: ''Merrni, hani; ky është trupi im''. Pastaj mori kupën, e falënderoi, ua dha atyre dhe të gjithë pinë prej saj. Atëherë u tha: ''Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, që derdhet për shumë veta. Në të vërtetë unë po ju them se nuk do të pi më prej frytit të hardhisë deri në atë ditë kur do ta pi të ri në mbretërinë e Perëndisë''.