Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 12:1-27

Marku 12:1-27 ALBB

Pastaj ai filloi t'u flasë me shëmbëlltyra: ''Një njeri mbolli një vresht, e thuri me gardh, gërmoi një vend për të shtrydhur rrushin, ndërtoi një kullë dhe ua besoi disa vreshtarëve dhe pastaj shkoi larg. Në kohën e të vjelave dërgoi shërbëtorin te vreshtarët për të marrë prej tyre pjesën e vet të frutave të vreshtit. Por ata e kapën, e rrahën dhe e kthyen duarbosh. Ai u nisi përsëri një shërbëtor tjetër, por ata, mbasi e gjuajtën me gurë, e plagosën në kokë dhe e kthyen të turpëruar. Përsëri dërgoi edhe një tjetër, por ata e vranë. Më pas dërgoi shumë të tjerë dhe nga këta disa i rrahën, të tjerët i vranë. I ngeli edhe një për të dërguar: birin e tij të dashur. Më së fundi ua dërgoi edhe atë duke thënë: "Për djalin tim do të kenë respekt". Por ata vreshtarë i thanë njëri-tjetrit: "Ky është trashëgimtari, ejani ta vrasim dhe do të na mbesë trashëgimia". Dhe e kapën, e vranë dhe e hodhën jashtë vreshtit. Çfarë do të bëjë, pra, i zoti i vreshtit? Ai do të vijë dhe do t'i shfarosë vreshtarët dhe vreshtin do t'ua japë të tjerëve. Po a nuk e keni lexuar këtë shkrim: "Guri, që ndërtuesit e hodhën poshtë, u bë guri i qoshes. Kjo është bërë nga Zoti dhe është një gjë e mrekullueshme në sytë tanë"?''. Atëherë ata kërkuan ta kapin, sepse kuptuan se ai e kishte thënë atë shëmbëlltyrë kundër tyre; por kishin frikë nga turma; dhe e lanë e ikën. Pastaj i dërguan disa farisenj dhe herodianë për ta zënë në gabim në fjalë. Këta erdhën dhe i thanë: ''Mësues, ne e dimë se ti je i vërtetë pa pyetur për njeri, sepse nuk merr parasysh dukjen e njerëzve, por u mëson udhën e Perëndisë sipas së vërtetës. A është e ligjshme t'i paguhet taksa Cezarit apo jo? Duhet t'ia paguajmë apo jo? Por ai, duke njohur hipokrizinë e tyre, u tha atyre: ''Përse më tundoni? Më sillni një denar që ta shoh!''. Ata ia prunë. Dhe ai u tha atyre: ''E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?''. Ata i thanë: ''E Cezarit''. Atëherë Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: ''I jepni Cezarit atë që është e Cezarit, dhe Perëndisë atë që është e Perëndisë''. Dhe ata u çuditën nga ai. Pastaj iu paraqitën disa saducenj, të cilët thonë se nuk ka ringjallje, dhe e pyetën duke thënë: ''Mësues, Moisiu na la të shkruar që, nëse vdes vëllai i dikujt dhe e lë gruan pa fëmijë, vëllai i tij duhet të martohet me të venë për t'i lindur pasardhës vëllait të tij. Tani ishin shtatë vëllezër; i pari u martua dhe vdiq pa lënë fëmijë. E mori, pra, i dyti, por edhe ky vdiq pa lënë fëmijë; po kështu i treti. Që të shtatë e morën për grua dhe vdiqën pa lënë fëmijë. E fundit, pas të gjithëve, vdiq edhe gruaja. Në ringjallje, pra, kur të ringjallen, gruaja e kujt do të jetë ajo? Sepse që të shtatë e patën grua''. Jezusi, duke u përgjigjur, tha atyre: ''A nuk është pikërisht për këtë që jeni në gabim, sepse nuk i njihni as shkrimet as pushtetin e Perëndisë? Sepse kur njerëzit do të ringjallen së vdekuri, as do të martohen as do të martojnë, por do të jenë si engjëjt në qiell. Sa për ringjalljen e të vdekurve, a nuk keni lexuar në librin e Moisiut se si foli Perëndia nga ferrishta duke thënë: "Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit"? Ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por Perëndia i të gjallëve. Ju, pra, po gaboni shumë''.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë