Atëherë Jezusi, mbasi e hodhi vështrimin përreth, u tha dishepujve të vet: ''Sa vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!''.
Dishepujt u habitën shumë nga këto fjalë të tij. Por Jezusi foli përsëri dhe u tha atyre: ''O bij, sa e vështirë është që të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë ata që mbështeten te pasuria.
Është më e lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e një gjilpëre, se sa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë''.
Dhe ata u çuditën edhe më tepër dhe i thoshin njëri-tjetrit: ''Atëherë kush vallë mund të shpëtohet?''.
Por Jezusi, duke i ngulur sytë mbi ta, u tha: ''Kjo për njerëzit është e pamundur, por jo për Perëndinë, sepse gjithçka është e mundur për Perëndinë''.
Atëherë Pjetri e mori fjalën dhe tha: ''Ja, ne lamë çdo gjë dhe të kemi ndjekur''.
Jezusi, duke u përgjigjur, tha: ''Në të vërtetë po ju them që nuk ka asnjeri që të ketë lënë shtëpinë, a vëllezërit a motrat, a atin, a nënën, a fëmijët ose arat për hirin tim dhe për ungjillin,
që të mos marrë tani, në këtë kohë, njëqindfish shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara, së bashku me përndjekje, dhe në botën e ardhshme, jeta e përjetshme.
Por shumë të parë do të jenë të fundit dhe shumë të fundit do të jenë të parët''.