Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 10:13-27

Marku 10:13-27 ALBB

Atëherë i prunë disa fëmijë të vegjël që ai t'i prekte ata; por dishepujt i qortonin ata që i prunë. Kur Jezusi e pa këtë, i indinjuar, u tha atyre: ''I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë. Në të vërtetë po ju them se kushdo që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël, nuk do të hyjë në të''. Dhe, si i mori në krahë, i bekoi duke vënë duart mbi ta. Tani kur po bëhej gati për rrugë, i doli përpara dikush me vrap; u gjunjëzua para tij dhe e pyeti: ''Mësues i mirë, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?''. Dhe Jezusi i tha: ''Përse më quan i mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë. Ti i njeh urdhërimet: "Mos shkel kurorën. Mos vrit. Mos vidh. Mos bëj dëshmi të rreme. Mos mashtro. Ndero atin tënd dhe nënën tënde"''. Dhe ai, duke iu përgjigjur, i tha: ''Mësues, të gjitha këto i kam zbatuar që në fëmijërinë time''. Atëherë Jezusi e vështroi në fytyrë, ndjeu dashuri për të dhe i tha: ''Një gjë të mungon; shko, shit të gjitha ato që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja, merre kryqin tënd dhe më ndiq''. Por ai u trishtua për këto fjalë dhe u largua me keqardhje, sepse kishte shumë pasuri. Atëherë Jezusi, mbasi e hodhi vështrimin përreth, u tha dishepujve të vet: ''Sa vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!''. Dishepujt u habitën shumë nga këto fjalë të tij. Por Jezusi foli përsëri dhe u tha atyre: ''O bij, sa e vështirë është që të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë ata që mbështeten te pasuria. Është më e lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e një gjilpëre, se sa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë''. Dhe ata u çuditën edhe më tepër dhe i thoshin njëri-tjetrit: ''Atëherë kush vallë mund të shpëtohet?''. Por Jezusi, duke i ngulur sytë mbi ta, u tha: ''Kjo për njerëzit është e pamundur, por jo për Perëndinë, sepse gjithçka është e mundur për Perëndinë''.